Bashkimi i trojeve shqiptare është vullnet i Zotit

Intervistë e Reis ul Ulema të BFI-së për Zhurnal plus
“Bashkimi i tokave shqiptare ka qenë vullnet i Allahut, andaj ne e kemi obligim që përsëri t’i rikthejmë ashtu siç kanë qenë. Unifikimi i forcave të popullit shqiptar të të gjitha niveleve do e bënë realitet Shqipërinë autentike me kufijtë që e ka krijuar Zoti.
BFI me gjithë kapacitetin e saj është e gatshme t’i kontribuojë çështjes kombëtare dhe t’i përgjigjet çdolloj thirrje që synon bashkimin e mbarë shqiptarëve”, ka deklaruar kreu i BFI-së, Sulejman ef. Rexhepi.
reis ulema 77777.1
Intervistoi: Shkëlzen LUSHAJ
Kryesori i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejman ef. Rexhepi, ka qenë më i sinqertë dhe më i papërmbajtur se kurrë në intervistën dhënë gazetës “Zhurnal Plus”. Me qëndrimet prej patrioti, kryetari i institucionit më të vjetër fetar në Maqedoni, ka bërë lidhjen më të fortë mes fesë dhe kombit, islamit dhe shqiptarisë. Duke folur për rolin e dijetarëve islamë, ef. Rexhepi hedh dritë të re mbi faktet historike që provojnë kontributin e tyre në çështjen kombëtare, ndërsa konstaton me bindje se islami ka parandaluar asimilimin sllavo-ortodoks të shqiptarëve.
Zhurnal Plus: Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë është përfshirë në mënyrë impenjative në kremtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Cili është motivi që ka shoqëruar gjatë tërë kohës angazhimin e këtij institucioni shumëshekullor në këtë Njëqindvjetor?
REIS UL ULEMA: BFI është institucion me traditë të vjetër, me relevancë dhe shumë autoritet, andaj e gjithë kjo është arritur me kontributin që ka dhënë në aspektin fetar dhe kombëtar. BFI, shekuj me radhë, ka hapëruar në dy rrugë: njëra për t’i rezistuar sistemeve dhe politikave antiislame dhe antishqiptare, e që nënkupton kontributin e dhënë për kauzën shqiptare; dhe rruga tjetër është kultivimi i vlerave fetare islame dhe zhvillimi i jetës dhe kulturës islame në këto hapësira. E kaluara, historia, faktet dhe veprat e gjalla të Ulemave Islamë të këtyre trevave gjithnjë ka qenë në shërbim të fesë dhe atdheut, ngase ajo ka qenë dhe është ideali i çdo Ulemaje, Prijësi fetar dhe teologu, gjegjësisht hoxhe. Institucioni BFI ka shërbyer në vazhdimësi duke e kuptuar edhe obligim fetar nga Zoti se atdheu duhet mbrojtur dhe për të duhet sakrifikuar gjithçka. Por, njëherësh është parim fetar se nëse nuk ka liri të plotë kombëtare nuk mund të ketë aprovim të plotë fetar.
Zhurnal Plus: Keni deklaruar gjatë një rasti se feja islame ka parandaluar asimilimin sllavo-ortodoks të shqiptarëve të Maqedonisë. Në ç’bazë e ç’fakte mbështesni mendimin tuaj?
REIS UL ULEMA: Faktet janë të shumta. Se sa e vështirë ka qenë rruga e shqiptarëve si komb, por akoma më e vështirë historia e shqiptarit si mysliman në këto treva, na flet e kaluara jonë dhe arkivi i institucionit tonë fetar islame në vend. Veprimtaria fetare dhe patriotike e udhëheqësisë së Bashkësisë Fetare Islame por edhe e teologëve, imamllarëve, hoxhallarëve si Vebi Dibra, Hoxhë Kadri Prishtina, Ferhat Draga, Sait Hoxha, Atulla ef. Kurtishi, Shaban Efendiu, Shaip Kamberi, Azem Marana, Mulla Hajdari, Hafëz Isuf Azemi, Hafëz Etem Tahiri, Mulla Garipi dhe shumë e shumë të tjerë janë faktet më me vlerë që ka populli shqiptar. Do të vëreni se shqiptarët e Maqedonisë gjatë shekullit XX-të, në faza të ndryshme kanë kaluar në dy ekstreme, edhe momentet e paaftësisë së plotë të klasës politike por edhe momente të një ndriçimi të admirueshëm dhe frymëzues për të ardhmen, në sensin e aftësisë së shtetformimit, të njerëzve që veshën petkun fetar por luftuan për fe dhe komb. Sepse ato e dinin se të jesh shqiptar i mirë e i devotshëm dhe vetëm i tillë, kjo gjë nuk të ndihmon asgjë para Allahut pasi që të mungon adresa e drejtë e besimit. Ndërkaq të jesh mysliman i mirë, me automatizëm ti je edhe kombëtar i mirë. Mulla Idriz Gjilani na ka lënë amanet se: “S’ka fe pa atdhe”.
Veprimtaria shekullore nuk është e vogël, ngase është fjala për një shekull përballje me zullumin, dhunën, persekutimin, padrejtësinë, pafajësinë dhe diskriminimin. Qindra xhami janë rrënuar, shumë prej tyre me pretekst se janë ndërtuar mbi themele të objekteve fetare ortodokse, disa prej tyre janë nënçmuar dhe përbuzur, prona ( vakufi) është keqpërdorur dhe konfiskuar me pa të drejtë, mësim-besimi fetar nëpër mektebe dhe tubime është penguar, ndërsa hoxhallarët janë burgosur, Medreseja Isa Beu është detyruar që të pushojë dhe të ndërpritet mësimi, shumë vështirësi kemi pasur për të hedhur gurthemelin e Fakultetit të Shkencave Islame, dhe shumë raste të tjera. Andaj pas gjithë atyre presioneve, mënyra dhe idetë e hoxhallarëve kanë bërë që përmes punës fetare dhe shpjegimit të Islamit në mënyrë mjeshtërore të bënë që t’i bëjmë ballë asimilimit sllavo-ortodoks. Feja Islame ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në ngritjen e vetëdijes dhe kulturës të popullit tonë, andaj i kemi bërë rezistencë asimilimit.
Zhurnal Plus: Një simpozium shkencor i organizuar nga institucioni juaj fetar, ka theksuar bukur mirë rolin e ulemave në ngritjen e çështjes kombëtare. Cili është, sipas jush, kontributi i tyre në arritjet kombëtare të shqiptarëve?
REIS UL ULEMA: Ne e kemi të gjallë veprën e Ulemave të këtyre hapësirave në ngritjen e çështjes kombëtare, megjithatë ajo nuk është promovuar aq sa duhet në të kaluarën. Andaj e pamë shumë të arsyeshme që të organizojmë një simpozium shkencorë kushtuar ulemave islam për kontributin e tyre të dhënë për çështjen dhe kauzën kombëtare, për të cilët kemi thënë haptazi se janë krijues dhe veprimtarë të Lëvizjes kombëtare dhe iluministe. Këtij simpoziumi i parapriu edhe ekspozita që u mbajt ditë më parë në Shkup gjegjësisht në Çarshi të vjetër në Çifte Hamam, ku u shpalosen 65 tablo me mbi 211 eksponate të përmbledhur dokumente arkivore, fotografi, harta dhe materiale të ndryshme ilustruese, që janë siguruar gjatë hulumtimeve disavjeçare nëpër arkivat e shteteve ballkanike si ai i Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Sllovenisë, Bullgarisë dhe Turqisë. Ne e kemi obligim që veprën e tyre ta publikojmë dhe ta njoftojmë mbarë opinionin gjithandej se Ulematë kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare bile-bile ata kanë qenë edhe kreatorë të projektit për mëvetësinë e shtetit shqiptar dhe ngritjes së flamurit kombëtar. BFI përmes këtyre aktiviteteve ka bërë një hap dhe për t’i dhënë mundësi edhe shkencëtarëve, hulumtuesve, historianëve, akademikëve që gjithnjë të kenë parasysh veprën madhështore të ulemave dhe të njëjtët edhe më tej në të ardhmen të punojnë që të zbardhin edhe më shumë dokumente që flasin për veprën madhështore të Ulemave ngase me të vërtetë kanë dhënë mjaft mund për arritjet e popullit shqiptar, dhe se një ideal i tillë është prezent tek të gjithë strukturat e institucionit tone fetar në vend se tokat shqiptare duhet të jenë të bashkuara. Bashkimi i tokave shqiptare ka qenë vullnet i Allahut, andaj ne e kemi obligim që përsëri t’i rikthejmë ashtu siç kanë qenë. Unifikimi i forcave të popullit shqiptar të të gjitha niveleve do e bënë realitet Shqipërinë autentike me kufijtë që e ka krijuar Zoti. BFI me gjithë kapacitetin e saj është e gatshme t’i kontribuojë çështjeës kombëtare dhe t’i përgjigjet çdo lloj thirrje që synon bashkimin e mbarë shqiptarëve. Jam shumë i brengosur për pozitën e shqiptarëve ngase nuk mund të imagjinoj një popull të jeton në pesë shtete, nuk mund ta pranoj që babai të jetojë në tokën arbërore, ndërsa vëllezërit e tij të jenë jashtë kufijve.
Zhurnal Plus: A mendoni se politika druan ende të pranojë realisht kontributin e institucioneve fetare në çështjet kombëtare?
REIS UL ULEMA: Shikuar ndër kohëra mund të them se një gjë e tillë nuk është promovuar aq sa duhet dhe se për atë arsye nuk është shprehur mirënjohje nga politika në drejtim të institucioneve fetare për kontributin e tyre të dhënë në drejtim të çështjes kombëtare. Shfrytëzoj rastin që të theksoj se Kryeministri i mbarë shqiptarëve z. Sali Berisha kohë më parë në Tiranë në një konferencë kushtuar 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar të organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë dhe Bashkësia Islame e Kosovës deklaroi se, citoj: “Unë iu përkulem dijetarëve islam”, sentencë e cila më bëri të krijoj bindje se institucioni më i lartë i popullit shqiptar, në këtë rast Këshilli i Ministrave në krye me Kryeministrin, z. Berisha nuk kanë drojë që të pranojnë veprën e shenjtë të ulemave lidhur me pavarësinë e shtetit shqiptarë. Ndërsa një guxim të tillë nuk e kemi hasur dhe vërejtur tek politikanët tanë!
Zhurnal Plus: Një propozim i kryeministrit Berisha që ka ardhur me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, thotë se duhet të rikthehet fjala “Zot” në vargjet e himnit kombëtar të shqiptarëve. Do të mbështesnit një ide të tillë?
REIS UL ULEMA: Ne përkrahim çdo iniciativë të kryeministrit shqiptar dr. Sali Berisha, ngase ai është figura më e lartë e popullit, në fjalimet dhe pjesëmarrjet e tij reflekton dhe rrezaton gjithnjë shkëndijat e besimit të tij që ka në Zotin. Propozimin e tij e kemi mirëpritur dhe po e shprehim haptazi në këtë intervistë, andaj kemi thënë se gjithçka që buron dhe del si kërkesë nga Ai, ne do ta pranojmë dhe lusim Allahun që ta bekojë dr. Berishën, popullin, atdheun dhe tokën tonë.
Zhurnal Plus: A mund të na tregoni, si njohës i mirë që jeni, për ulje-ngritjet e fesë islame në trevat shqiptare të paktën gjatë këtij Njëqindvjetori të Pavarësisë?
 REIS UL ULEMA: Përjetimet që patën shqiptarët dhe myslimanët në tërësi në këtë qindvjetor të fundit përgjatë dy luftërave botërore dhe atyre ballkanike, sigurisht që ka pasur rënie dhe ngritje të zhvillimit dhe kultivimit të jetës fetare islame. Gjatë shtetit Osman në Ballkan të gjithë qytetarët kanë gëzuar të drejta pavarësisht se çfarë nacionaliteti dhe feje kanë qenë, por se mllefi i popujve jomysliman ishte tejet i madh dhe kishin krijuar aversione të paparë ndaj këtij shteti. Andaj, me tërheqjen e këtij shteti nga Ballkani, shoqëria myslimane mbeti në duart e armiqve të përbetuar të Islamit. Një pozitë e tillë bëri që të mungojnë shumë elemente për t’u zhvilluar jeta dhe kultura islame. Myslimanët ishin në pozitë të palakmueshme, e të mos cekim për trashëgiminë kulturore islame. Megjithatë, falë veprës së shumë atdhetarëve dhe ulemave fetarë, kemi arritur që përsëri ta mbrojmë dhe kultivojmë islamin në këto hapësira. Ne jemi mirënjohës edhe ndaj diasporës tone shqiptare që gjithnjë na ka ndihmuar dhe përkrahur në iniciativat tona dhe në realizimin e idealit tone fe-atdhe.
Kjo intervistë është realizuar me Reis ul Ulema të BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi për gazetën ditore Zhurnal plus më 28 Nëntor 2012, kushtuar 100 vjetorit të Pavarësis së shtetit dhe flamurit shqiptar.

Comments are closed.