Ambasadorja Suomalainen vizitoi BFI-në

osce

Ambasadorja Suomalainen vizitoi BFI-në

Shefja e Misionit të OSBE-së, ambasadorja Nina Suomalainen, me bashkëpunëtorët e saj, ka vizituar BFI-në ku është pritur nga kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi.

Me këtë rast, delegacioni i lartë i kësaj Organizate është njohtuar drejtpërdrejt nga efendi Rexhepi lidhur me peshën dhe rolin e BFI-së që e ka në shoqërinë tonë, me aktivitetet e ndërmarrura në aspekt të zhvillimit dhe avansimit të jetës fetare si dhe për kontributin permanent të këtij Institucioni fetare në krijimin e kushteve për një bashkëjetesë të lakmueshme ndërfetare e ndërnacionale. Gjithashtu ka folur edhe për pozitën juridike dhe shoqërore të bashkësive fetare në Maqedoni.

Nga ana tjetër, ambasadorja Nina Suomalainen, veç tjerash ka shprehur interesim edhe për situatën e sigurisë në vend, sidomos pas raportimeve në media lidhur me shkuarjen e qytetarëve në vatrat e luftës.

Efendi Rexhepi ka njohtuar mysafirët se më tepër kemi të bëjmë me spekulime gazetareske se sa diçka të vërtetë. “E vërtetë është se nga radhët e myslimanëve të vendit tonë ka pasur individë të manipuluar që kanë marrur pjesë në vatrat e ndryshme të luftërave që po zhvillohen gjatë këtyre viteve. E vërtetë është se janë vrarë një numër i konsiderueshëm, ndërsa flitet se një numër tashmë janë kthyer në vendlindjet e tyre, por, deri më sot nuk është vërejtur dhe nuk është dëgjuar për asnjë dukuri të pazakonshme që mund të vijë nga ana e tyre”, ka theksuar efendi Rexhepi.

Në vazhdim, pas interesimit të theksuar të delegacionit të OSBE-së që të informohen më në detaje rreth projektit unikat të BFI-së STOP RedTerr, që ka të bëjë me sensibilizimin e opinionit rreth vatrave të pakuptimta të luftës që po zhvillohen në disa vende të Sirisë, Irakut, Avganistanit, Reisul Ulema efendi Rexhepi ka folur në hollësi për të gjitha komponentet  që ngërthehen në këtë projekt.

“Për aq sa kemi pasur mundësi dhe kapacitete ne e kemi zbatuar me përpikmëri komponentin e parë dhe të dytë të projektit tonë dhe kjo ka rezultuar me faktin që, që nga aksioni jonë për sensibilizim të popullatës së përgjithshme e deri më tani nuk kemi pasur asnjë të ri nga vendi ynë që është manipuluar dhe ka marrur rrugën drejt atyre vatrave. Natyrisht, ky projekt ka koston e vet financiar dhe, mundësitë tona për ta mbuluar tërë projektin janë shumë të kufizuara dhe të parealizueshme nëse nuk kyçen edhe instititucionet dhe organet e shtetit që janë të parapara me këtë projekt”, ka thënë kryetari i BFI-së.

Në këtë takim, të dy palët kanë biseduar dhe kanë rënë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit në mes të BFI-së dhe OSBE-së.

 

 

 

Comments are closed.