AMBASADORJA E GJERMANISË E VIZITOI REISUL ULEMANË
Të hënën më 07.03.2022, Kryetari I Bashkësisë Fetare Islame të RMV priti në selinë e Rijasetit të BFI Ambasadoren e Gjermanisë në Shkup, Ekselencën e saj znj. Anke Hollshtajn.
Fillimisht Reisul Ulemaja i dëshiroi mirëseardhje Ambasadores së Gjermanisë në institucionin e Bashkësisë Fetare Islame, i cili përfaqëson të gjithë myslimanët e Maqedonisë së Veriut. Ai e njoftoi mysafiren për funksionimin e BFI dhe organizimin e jetës fetare në vendin tonë dhe jashtë, nëpërmjet qendrave islame që veprojnë në Perëndim, duke organizuar jetën fetare islame për mërgatën tonë e jeton dhe vepron në vendet e Bashkimit Evropian, e posaçërisht në Gjermani, ku kemi një mërgatë të organizuar mirë në të gjitha aspektet.
Ambasadorja Gjermane, Ekselenca e saj znj. Anke Hollshtajn vlerësoi lartë veprimtarinë e BFI sidomos në organizimin e jetës fetare dhe promovimin e tolerancës dhe bashkëjetesës si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe jashtë kufijve, ku mërgata muslimanë e këtij vendi, është shembullore në zbatimin e këtyre parimeve fetare dhe demokratike, sidomos në Gjermani.
Më pas, të dy bashkëbiseduesit u ndalën dhe ndanë mendime për ngjarjet aktuale që po ndodhin në lindje të Evropës, agresionin Rus ndaj Ukrainës dhe ndanë shqetësimet për faktin se luftërat asnjëherë nuk kanë sjellë asgjë pozitive për njerëzimin. Ata e dënuan ashpër përdorimin e forcës për të nënshtruar një popull të lirë dhe sovran. Bashkërisht e dënuan këtë agresion, i cili me “flakët” e tij po rrezikon ta “djegë” tërë Evropën
Reisul Ulemanë në këtë takim e shoqëronin Sekretari Gjeneral i BFI H. Irsal ef. Jakupi, Drejtori i sektorit për punë të jashtme Mr. Mustafa ef. Dauti dhe Shefi i Kabinetit Dr. Abdilkerim Iseni.
Ambasadorja Anke Hollshtajn është mbështetëse e madhe e vendit tonë në aspiratat Evropiane dhe ajo në vendin tonë erdhi si ambasadore karriere me moton: “Si ambasadore e Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut për mua është e rëndësishme që ti ofrojmë vendet tona dhe popujt tanë dhe Maqedoninë e Veriut në formën më të mirë ta përkrahim në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian”.
Prev Post
Next Post
Comments are closed.