Ambasadori suedez vizitoi BFI-në

ambasadori suedez vizitoi BFIShkup, 14, korrik – Sot, Bashkësia Fetar Islame në RM u vizitua nga z. Mats Staffansson, ambassador i Suedisë për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, i shoqëruar nga z. Aleksander Mojsiejuk, Zëvendës shef i Misionit pranë kësaj Ambasade, të cilët u pritën nga Reisul Ulema, H. Sulejman ef. Rexhepi.

Që në fillim të bisedës, ambasadori suedez, duke shprehur mirënjohje për organizimin institucional të jetës fetare islame në Maqedoni, shprehu interes për t’u njohtuar për së afërmi me pozitën dhe rolin e fesë islame në Maqedoni, për funksionimin e bashkësive fetare në vend si dhe për mënyrën dhe intensitetin e bashkëpunimit të ndërsjellë. Me këtë rast, efendi Rexhepi mysafirët suedezë i njohtoi me mënyrën e funksionimit të Bashkësisë Islame si institucion fetar mbi 600 vjeçar si dhe për raportet e BFI-së që i ka me bashkësisë e tjera fetare, në theks të veçantë me KOM-in por edhe me pushtetin aktual maqedonas.

“Si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë dhe Maqedoni, pjesëtarë të fesë islame në shumicë janë shqiptarët. BFI në RM është një institucion fetar që për nga karakteri nacional është shumëetnik. Në organet e Institucionit tonë si dhe para këtyre organeve të gjithë pjesëtarët e fesë islame janë të barabartë. Ligjeratat fetare kryhen në gjuhët përkatëse që do të thotë se, për ne, të gjitha gjuhët e pjesëtarëve tanë janë zyrtare. Ky është parim islam dhe mbi këtë parim askush nuk ka të drejtë të shkel,” është shprehur H. Sulejman ef. Rexhepi.

Më tej, Reis Ulema i BFI-së ka folur mbi ligjin që rregullon pozicionin juridik dhe funksionimin e bashkësive fetare si dhe për përpjekjet e politikës zyrtare që këtë shtet me çdo kusht ta prezantojnë si shtet ortodoks. “Është më se evidente se politika zyrtare e favorizon haptazi KOM-in dhe për këtë konstatim kemi dhjetra prova, siç ekzistojnë edhe provat që dëshmojnë për një politikë diskriminuese dhe raciste në dëm të fesë islame dhe të pjesëtarëve të saj. KOM-I ka kohë që e ka harruar problemin me denacionalizimin, ndërsa ne, si BFI, deri më tani nuk na është kthyer as 15 për qind e pronës sonë, vakëfit. Ky realitet flet për një aventurë të politikanëve maqedonasë të cilët akoma qëndrojnë të zhytur në vorbullën e tranzicionit dhe assesi të hedhin një hap tutje drejt realitetit politik, fetar e kulturor”, ka thënë Reisul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi.

Comments are closed.