Ambasadori Pol Volers vizitoi BFI-në

Pol volers per kurban bajram ne BFIShkup, 4 tetotr – I pari personalitet në vend që provoi bakllavanë e Bajramit të Kurbanit ishte ambasadori amerikan, Pol Volers, i cili vizitoi Bashkësinë Fetare Islame në RM pikërisht në Ditën e Arifes. Me këtë rast, ambasadori Volers, në emrin e tij si dhe në emrin e tërë stafit të Ambasadës Amerikane në Shkup, e uroi Reisul Ulemanë, H. Sulejman ef. Rexhepin dhe e luti që t’ua përcjellë të gjithë muslimanëve të vendit urimet më të përzemërta me rastin e Kurban Bajramit.

“Zoti Kryetar, më lejoni që me këtë rast t’ju falënderoj dhe t’ju përgezoj edhe për qëndrimet dhe opinionet e juaja publike në raport me ngjarjet e fundit si dhe me situatën e përgjithshme. Jemi falënderues ndaj qëndrimit dhe kontributit tuaj të çmueshëm në sjelljen e ligjit që ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të Maqedonisë në luftrat e huaja. Jeni një personalitet që parreshtur jeni angazhuar për të promovuar dhe kultivuar harmoni e bashkëjetesë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe për këtë ju përgëzojmë parezervë”, u shpreh veç të tjerash ambasadori amerikan, Pol Volers.

Nga ana e vet, Reisul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, e garantoi ambasadorin Volers se nga ky kurs BFI nuk do të shmanget, sepse, siç u shpreh efendi Rexhepi, vetë feja islame obligon çdo musliman që të jetë pishtar i paqes, i harmonisë dhe i dashurisë njerëzore.

“Ne edhe më tej do të jemi në anën e të gjithë faktorëve me relevancë të cilët përpiqen që këtë shtet ta vënë në binaret e shëndosha dhe që parreshtur ua bëjnë me dije politikanëve të këtushëm se ky shtet është multietnik, multikulturor e multifetar dhe se vetëm si i tillë mund të jetë funksional dhe paqësor. Ne ju sigurojmë se, Ambasada Amerikane te BFI-ja edhe më tej do të gjejë partnerin e sinqertë dhe të paluhatshëm në promovimin e vlerave njerëzore që shtojnë sigurinë, paqen, bashkëjetesën dhe mirëqenien për të gjithë qytetarët e vendit”, është shprehur kryetari i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi.

Comments are closed.