Të hënën më 30 Shtatorë 2013, Ambasadori i Republikës Islame të Iranit, ekselenca e tij Said Sadik Mohamedi vizitoi Rijasetin e Bashkësisë Fetare Islame ku u prit nga Kryetari I BFI-së Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi.
Gjatë këtij takimi protokollar, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi e njoftoi mysafirin me veprimtarinë dhe funksionimin e Bashkësisë Fetare Islame si organ i vetëm i obliguar të organizojë jetën fetare Islame në vend si dhe me përkatësinë nacionale të pjesëtarëve të Islamit në vendin tonë. Reisul Ulemaja gjithashtu bëri edhe një rezyme të Institucioneve edukativo arsimore siç janë: Medreseja Isa Beu me të gjitha paralelet e saja si dhe Fakuteti i Shkencave Islame.
Nga ana tjetër z. Said Sadik Mohamedi shprehu kënaqësinë për zemërgjerësinë e nikoqirit në këtë vizitë të parë të tij, që pas marrjes së postit Ambasador në vendin tonë. Ai e siguroi Kreun e BFI-së H. Sulejman ef. Rexhepi se shteti të cilin e përfaqëson, Republika Islamike e Iranit do të jetë gjithmonë e gatshme që të bashkëpunojë me Bashkësinë Fetare Islame në të gjitha poret e jetës, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në aspektin akademik, ku nxënës nga vendi jonë mund të përfitojnë bursa për të studiuar nëpër universitetet e Teheranit.
Gjithashtu Ambasadori Said Sadiku e njoftoi Reisin se para ca kohe ka pasur takim me Dhomën Ekonomike Veri-Perëndimore me qëllim që të inkurajojë biznesmenët shqiptarë e muslimanë të bashkëpunojnë me kompanitë e Iranit, duke e pasur në mendje se BFI është përfaqësuese edhe e pronarëve të bizneseve që i takojnë besimit Islam.
Temë e bisedës gjithashtu ishte edhe bashkëpunimi në sferën e humanizmit, ku BFI me Organizatën e saj Humanitare Hilal, ka qenë prezent në çdo vatër me kushte të rënda ekonomike në vend, por kur ka qenë nevoja, kjo Organizatë ka ndihmuar edhe jashtë kufijve,: Shqipëri, Pakistan, etj. Ndoshta ato ndihma kanë qenë simbolike, por e rëndësishme është se asnjëherë nuk është hequr dorë nga humanizmi.
Në fund të takimit, Ambasadori Said Sadik Mohamedi, në shenjë falënderimi, Reisul Ulemasë i dhuroi një pllakat me mbishkrim në gjuhën Persishte.
Comments are closed.