Ambasadori i BE-së Zhbogar takon Reis’ul-Ulemanë

Ambasadori i BE-së Zhbogar takon Reis’ul-Ulemanë

Më 19 qershor, 2019, Bashkësinë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut e ka vizituar Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, me bashkëpunëtorë. Delegacioni është pritur në Rijaset nga Kryetari i BFI-së, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi.
Bashkësia Fetare Islame dhe kreu i saj, Sulejman ef. Rexhepi, prej kohësh kanë një bashkëpunim të afërt me BE-në dhe ky bashkëpunim është dalluar me takime të ndërsjella, me shkëmbim përvojash dhe njohurish nga të dy institucionet, gjithnjë me qëllim: zhvillimin e papenguar të jetës fetare, të edukimit fetar dhe të ruajtjes së paqes e të qetësisë në këto tërthore. Me këtë rast, të dyja palët në qendër të vëmendjes, në takim, kanë pasur edhe zhvillimet e fundit rreth BFI-së, përtej pragut të këtij institucioni autonom mysliman, me ç’rast delegacioni i lartë është njohur deri në detaje nga Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi për tentativat për të goditur në mënyrë të pashembullt BFI-në dhe udhëheqjen e saj legale dhe legjitime.
Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, ka falënderuar kreun e myslimanëve të Maqedonisë së Veriut për sqarimin përimtues, duke thënë që BE e çmon lart punën e BFI-së dhe të të gjitha institucioneve që udhëhiqen prej saj, si një kontribut konkret në zhvillimin e vendit, të demokracisë dhe të jetës fetare në përgjithësi. Ai po ashtu ka nënvizuar që ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe do të zgjerohet në të ardhmen, gjithnjë në dobi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pa dallim nacionaliteti e religjioni.
Në takim është biseduar edhe për Raportin e fundit të Komisionit të BE-së për përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

 

Comments are closed.