Ambasadorët i shkruajnë ef. Rexhepit: Anulimi i protestave, vendim i mençur


imageShkup, 14 mars
 – Vendimi i Rijasetit të BFI-së të udhëhequr nga Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, për shtyrjen e protestës së 15 marsit, ka hasur në përkrahje të gjerë dhe të parezervë nga ana e përfaqësive diplomatike në vendin tonë.

Fillimisht ka qene ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Paul Wohlers, i cili i ka shprehur përmes një letre kryetarit të BFI-së, mirënjohjen për, siç thuhet, vendimin e drejtë dhe të mençur që Riaseti i BFI-së e mori për shtyrjen e protestave të paralajmëruara për më 15 mars.

“Falënderoj Reisin dhe stafin e tij për mirëkuptimin Tuaj për situatën sensitive në prag të zgjedhjeve. Njëkohësisht, jemi të interesuar të vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje për Burmali Xhaminë dhe për kontestet tjera, në interes të mirëkuptimit dhe bashkëjetesës midis komuniteteve të ndryshme të Maqedonisë”, thuhet në letrën e ambasadorit Wohlers.

Edhe ambasadori i OSBE-së në Maqedoni, Ralf Breth, ka vlerësuar vendimin e BFI-së, duke e cilësuar si “mjaft të matur në një kohë kaq senzitive nëpër të cilën kalon vendi jonë”.

“Bashkësia Fetare Islame me këtë veprim edhe një herë ka dëshmuar se gjithmonë është e prirur në qetësimin e situatës”, ka thënë mes tjerash Breth, duke siguruar Reisul Ulemanë se “OSBE do të ndjekë në vazhdimësi situatën dhe do të ndihmojë BFI-në që nëpërmjet rrugëve institucionale dhe demokratike të gjendet zgjidhja për Burmali Xhaminë.

Gjithashtu, në adresë të BFI-së kanë ardhur edhe shumë letra dhe telefonata me përmbajtje të ngjashme nga shumë shoqata, institucione dhe parti politike si nga vendi ashtu edhe nga jashtë.

Comments are closed.