Amaneti i besimtarëve (kurbani) po shkon në vend

Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komisioni Qendror i Kurbaneve në BFI, njofton të gjithë besimtarët që e kanë dhuruar kurbanin e tyre për institucionet edukativo arsimore, gjegjësisht për nxënësit e Medresesë Isa Beu, se amaneti i tyre po realizohet. Menjëherë pas faljes së namazit të Kurban Bajramit, ka filluar therja e kafshëve në emër të porositësve dhe atë në tre thertore të vendit.
Sipas komisionit mbikëqyrës të Bashkësisë Fetare Islame i cili e ndjek nga afër procesin e therjes dhe procedimit të mishit, gjithçka është në rregull dhe puna po vazhdon sipas dinamikës me të cilën janë planifikuar të theren rreth 6000 kurbanë brenda tre ditëve në vijim. Sapo të përmbushet afati i domosdoshëm i qëndrimit të mishit në frigorifer sipas udhëzimeve dhe rekomandimeve të agjencisë për ushqim dhe veterinari, do të fillon edhe shpërndarja e mishit të kurbanit i cili i ka tejkaluar nevojat e mensës së internatit të Medresesë Isa Beu, tek skamnorët, jetimët e të gjithë nevojtarët dhe atë në mënyrë të organizuar nëpërmjet të gjitha myftinive të BFI në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut duke filluar nga Kumanova deri në Strugë.
Të nderuar besimtarë, me prerjen e kurbanit keni kryer obligimin tuaj fetar dhe keni kontribuar në ngritjen e dijes islame, andaj BFI dhe nxënësit e Medresesë Isa Beu ju falënderojnë dhe e lusin Allahun Fuqiplotë t’ua pranojë kurbanët.

Comments are closed.