Alsat-M e mbushi kupën

Bashkësia Fetare Islame në RM, me indinjatë të thellë njoftojmë popullatën muslimanë në RM dhe më gjerë, se Televizioni nacional Alsat-M, po vazhdon me sjelljet e saja jo profesionale nga sfera e gazetarisë duke u përpjekur të censurojë çdo lajm që ka të bëjë më aktivitetin e Bashkësisë Fetare Islame dhe udhëheqësisë të saj.
Gjegjësisht, në lajmin e fundit mbi vizitën e Emirit të Katarit, Sheik Haman bin Kalifa Al Tani, në xhaminë e Mustafa Pashës, në asnjë moment nuk përmendet se Madhëria e Tij bashkë me delegacionin e tij nga Katari të shoqëruar edhe nga Presidentin Ivanov u pritën nga Kreu i Bashkësisë Fetare Islame në RM, Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi si dhe u shoqëruan tërë kohën gjatë shëtitjes së tyre në Çarshinë e Vjetër.
214
082
Përgjegjësi etike e çdo mediumi është që të jetë në shërbim të vërtetës dhe të auditorit të vet, e çdo anashkalim i qëllimshëm i këtyre principeve, bëhet në dëm të së vërtetës dhe të shikuesve në veçanti.
Lidhur me këtë, që kur Kryeredaktori i televizionit ALSAT-M u dënua nga Gjykata në vend për shpifje, ndaj Bashkësisë Fetare Islame dhe udhëheqësisë së saj po ushtrohet një censurë e paparë që e tejkalon edhe censurat e kohës së Komunizmit. Ky nuk është rasti parë që kamerat dhe ekipet televizive të këtij televizioni të marrin pjesë në ndonjë eveniment në ambientet dhe pronat e BFI-së e më pas të fshehin thelbin e lajmit. Ashtu ishte rasti me vizitën e kreut të EVN-së, në zyrat e Rijasetit dhe raste të shumta të ngjashme. Madje ky televizion i dha të drejtë vetes që të anashkalojë Mesazhin e Ramazanit të dhënë nga Reis ul Ulemaja, dhe në vend të tij u transmetua mesazhi i kreut të Bashkësisë Fetare të shtetit fqinj.
Sjelljet e tilla joprofesionale dhe qëllimkeqe të një mediumi, na detyrojnë që me çdo kusht të marrim edhe ne masa për të parandaluar këtë lloj përpjekje për të na përbuzur e nëpërkëmbur. Prandaj, nëse vazhdon ky trajtim jo i denjë dhe i padrejtë ndaj BFI-së nga televizioni Alsat-M, Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame në RM do t’ia ndalojë hyrjen në objektet e saja çdo ekipi televiziv apo individë të cilët do të deklarohet si kameramanë apo gazetarë të TV Alsat-M.
Bashkësia Fetare Islame në RM, asnjëherë nuk ka qenë kundër lirisë së fjalës, madje transparencën e vet e ka dëshmuar gjithmonë, por gjithmonë dhe të gjithëve u ka bë me dije se nuk e lejon padrejtësinë nga askush, qofshin institucione qeveritare apo mediume private.

Comments are closed.