Akademi përkujtimore kushtuar krismave të para në Kalanë e Tetovës me temë “PUSHKA E MARSIT 2001”
Më 15 mars ora 18.00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë u mbajt një Akademi përkujtimore kushtuar krismave të para në Kalanë e Tetovës me temë PUSHKA E MARSIT 2001.
Këtë Akademi e organizonte Shoqata SH.V dhe e Invalidëve të UÇK-së “KALAJA”. Të pranishëm ishin Sekretari gjeneral i Bashkësisë Fetare Islame H. Afrim ef. Tahiri, përfaqësues i Komunës së Tetovës, kryetari i Forumit Ndërkombëtar i të Drejtave të Njeriut Idriz Sinani, Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve “Naim Frashëri”, Likovë-Kumanovë Etem Xheladini, Kryetari i NDERIT i Lidhjes së Shoqatave Shqiptare në Greqi, Rudi Mezini, dhe shumë personalitete të tjera. Këtë Akademi e përshëndeti Ambasadori i Shqipërisë, në emër të familjeve të dëshmorëve foli Isa Harejtidi, Rudi Mezini, nipi i Mehmet Pash Derrallës, ndërsa Izair Samiu, kryetar i shoqatës KALAJA tha se të flasësh për fillimin e luftës në Kala shumë të vështirë sepse emocionet që ndiej për pushkën që krisëm atë ditë janë shumë të forta. Të pranishmit i përshëndeti edhe sekretari gjeneral i Bashkësisë Fetare Islame H. Afrim ef. Tahiri. Mes tjerash ai tha:
Bismil-lahir-rahmanir-rahim!
I nderuari kryetar i SHVL “Kalaja” z.Izair Samiu,
Të nderuar familje të dëshmorëve,
Të nderuar përfaqësues të shoqatave dhe asociacioneve të tjera,
Vëllezër dhe motra
Esselamu alejkum verahmetullahi ve berekatuhu
Ndjehem i nderuar që sot jam këtu në këtë mes dhe që jam në emër të Bashkësisë Fetare Islame të RM dhe kryetarit të saj, Reis ul Ulema h.Sulejman ef. Rexhepi i cili këtyre ditëve po qëndron në një vizitë jashtë vendit. Ndjehem i nderuar sepse ftesën për pjesëmarrje këtu e pranova sikurse të isha i ftuar në mënyrë të drejtpërdrejt nga ata që në këto momente nuk jan mes nesh, pra sikur të isha i ftuar nga shehidët, një kategori e veçantë për të cilën flet libri i Allahut Fuqiplotë, flasin edhe hadithet e Pejgamberit a.s. se ata janë të gjallë. Shehidë, parasegjithash janë ata që dhanë jetën e tyre duke e mbrojtur vatanin, që dhanë jetët e tyre në mbrojtje të fesë, familjes, nderit, vetvetes, pasurisë… pra në mbrojtje të asaj që është vlerë, në mbrojtje të gjithçkaje që duhet kushtuar jetën.
Gjithashtu thirrjen e pranova edhe si një thirrje e familjarëve të shehidëve, jetimëve për të cilët kemi edhe obligim fetarë të jemi në krahun e tyre. Thirrjen për pjesëmarrje gjithashtu e pranova si një thirrje të drejtpërdrejtë edhe nga një kategori e njerëzve që gjithashtu islami i çmon lartë, e ndaj të cilëve neve si shoqëri duhet pasur kujdes të veçantë, fjalën e kam për kujdesin ndaj invalidëve të luftës, kategori për të cilën fatkeqësisht, subjektet tona deri me tani fare pak kanë bërë. Nuk jam këtu vetëm sa për të shënuar këtë përvjetor, por me keqardhje duhet të themi se kaluan plot dhjet vite dhe e shohim se e kemi patjetër t’u apelojmë subjekteve tona të ndryshme dhe institucioneve përkatëse, që ta kuptojnë me seriozitet domosdoshmërinë e rregullimit të statusit të tyre.
Të nderuar të pranishëm, vëllezër dhe motra
Bashkësia Fetare Islame në vitin 2001 ishte institucioni më i dëmtuar, 57 xhami në mesin e të dëmtuarave, shkatërruarave dhe djegurave. El hamdulilah, që të gjitha janë të rindërtuara, me përjashtim të asaj në Prilep. Pra të tjerat u rindërtuan edhe më të mira, më të mëdha dhe kryekëput me kontribut të popullatës tonë, i atyre që përpos rindërtimit të xhamive, duheshe të rindërtojnë edhe shtëpitë e tyre. Me këtë rast, neve nuk duhet të harrojmë edhe bashkatdhetarët tonë të cilët përkohësisht jetojnë dhe veprojnë në shtetet euro-perëndimore, pra një falënderim të madh për kontributin që kanë dhënë.
Nga parafolësit e mi u përmendën edhe objektet tona fetare, me ketë rast, më lejoni që kryetarit të kësaj Shoqate ti dhuroj disa ekzemplarë të librit “Plagët e pavdekshmërisë” ku janë të përmbledhura të gjitha xhamitë e dëmtuara, rrënuara dhe të shkatërruara gjatë konfliktit 2001, me një lutje që shkatërrime të ngjashme të mos përsëriten kurrë.
Është mirë kur neve jemi të interesuar për t’u zhvilluar, për të ecur para, është mirë kur dëgjohen apele për paqë, për ndërtimin e shtetin tonë të përbashkët. Në fakt, na janë bërë edhe apele publike që në raste të caktuara të apelojmë për paqë, për ruajtjen e qetësisë, këtë e kemi bërë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, mirëpo, shqetëson fakti kur në rastet kur neve dënojmë diskriminimin, padrejtësinë etj. skajshmërish keqkuptohemi.
Të nderuar, të kota janë thirrjet për paqe, nëse mungon drejtësia. Andaj, për hirë të arritjes së paqes së qëndrueshme, apelojmë në drejtësi dhe angazhohemi në vendosjen e drejtësisë.
Për fund më lejoni që të shprehi porosinë e Reis ul Ulemasë, jemi dhe do të jemi të gatshëm për bashkëpunim në shërbim të popullatës, Bashkësia Fetare Islame e RM ka treguar edhe në vepër se si ndihmohen kategori të ndryshme gjatë konflikteve në Bosnjë, Kosovë, Maqedoni, për solidaritetin me raste të ndryshme gjithandej ku paraqitet nevoja. Më erdhi mirë për projektin “Familja ndihmon familjen” dhe apeloj që të përkrahet.
Krejt në fund duke ju bashkangjitur lutjeve të parafolësve të mi, nga ju kërkoj që për shpirtrat e e shehidëve bashkërisht të lexojmë të suren elfatiha.
Prev Post
Next Post
Comments are closed.