ABSOLVENTËT E FSHI VIZITOJNË REISUL ULEMANË

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të hënën më 07.06.2021, në selinë e Rijasetit të BFI, priti Prof. Dr. Naser Ramadani, i shoqëruar nga absolventët e Fakultetit të Shkencave Islame, të cilët kohë më parë ishin në ekskursion në Republikën e Turqisë, më saktësisht në qytetin e Stambollit.
Prof. Dr. Naser Ramadani së bashku me studentët erdhën që ta falënderojnë Reisul Ulemanë H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, për ndihmën dhe mbështetjen që ua bëri gjatë realizimit të këtij ekskursioni, e për këtë arsye ata i sollën edhe një dhuratë modeste në emër të studentëve të Fakultetit të Shkencave Islame.
Reisul Ulemaja nga ana e tij i falënderoi absolventët për dhuratën dhe për respektin e treguar. Ai shfrytëzoi rastin që studentëve të rinj t’ju jep disa këshilla, të bazuara në mësimet islame për jetën, për ardhmërinë dhe për suksesin në veçanti.
Në fund të takimit Reisul Ulema bashkë me Prof. Dr. Naser Ramadanin dhe studentët bënë disa fotografi përpara selisë së Rijasetit të BFI.

Comments are closed.