215 medresantë të diplomuar në këtë vit shkollor
Më 4 korrik, 2019, në Medresenë Isa Beu në Shkup, janë ndarë diplomat për 215 medresantët e diplomuar në këtë vit shkollor (2018/2019). Në manifestimin e organizuar me këtë rast, në Qendrën në Kondovë, ka marrë pjesë kreu më i lartë i Bashkësisë Fetare Islame, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, Kryetari i Kuvendit të BFI-së, Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Drejtori i Medresesë Isa Beu, myftilerët e Myftinive të BFI-së, hoxhallarë, prindër, nxënës, nxënëse etj.
Manifestimi ka filluar me leximin e një pjese nga Kurani i shenjtë nga hafëz Hamza Neziri. Fjalën e përshëndetjes e ka paraqitur Drejtori i Medresesë Isa Beu, prof. Ibrahim ef. Idrizi, ndërsa me fjalë rasti para të pranishmëve është paraqitur Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi.
Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi i ka uruar medresantët e diplomuar, i ka përgëzuar profesorët dhe profesoreshat për punën e tyre, duke thënë që numri prej 215 medresantëve të diplomuar të jetë dhe një shifër e kualitetit të dëshmuar, sepse, ka thënë ai, vetëm puna cilësore dhe me përkushtim, e bërë në emër të Allahut (xh. sh.) mund të na çojë përpara, drejt arritjeve dhe sukseseve të reja.
Pastaj Kryetari i BFI-së, Sulejman ef. Rexhepi, u ka ndarë diplomat pesë nxënësve të gjeneratës (nga një prej 5 subjekteve arsimore sa ka Medreseja Isa Beu gjithsej), të cilët ai personalisht i shpërblen me studim falas, për katër vjet, në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup. Atyre po ashtu u ka ndarë edhe nga një komplet prej librave të tij që ka botuar më parë nën titullin e përbashkët “Për fe dhe atdhe”.
Karakteristikë e kësaj gjenerate është se kanë dalë 3 hafëzë prej një klase, të cilëve Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi u ka ndarë Certifikatën e Hifzit.
Programi është mbyllur me një fotografim të përbashkët.
Comments are closed.