Ceremonia e duasë së Hatmes në Xhaminë e fshatit Drogomisht i Madh
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të enjten më 29.07.2021 mori pjesë në ceremoninë e duasë së Hatmes nga Mektebi i Xhamisë së fshatit Drogomisht i Madh – Kërçovë, me në krye Imamin H. Sefer ef. Ibishi.
Mysafirët në këtë manifestim, u pritën nga Myftiu i Myftinisë së BFI Kërçovë Mr. Qamil ef. Rushiti me bashkëpunëtorët e tij nga Myftinia që e drejton, si dhe nga Imami e Këshilli i Xhamisë së Fshatit Drogomisht dhe anëtarët e këtij këshilli, ndërsa prezent ishin: Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Kryetari i Kuvendit të BFI H. Fejsal ef. Kadriu, Dr. Qenan ef. Ismaili – Myfti i Shkupit, H. Sabahudin ef. Zendeli – Myfti i Gostivarit, Mr. Salim ef. Sulejmani – Myfti i Strugës, H. Irsal ef. Jakupi – Sekretari i Përgjithshëm i BFI, imamë të rrethinës së Kërçovës dhe më gjerë, si dhe mysafirë nga vendi dhe jashtë.
Para namazit të drekës, në një ambient impozant, me prezencë të krerëve më të lartë të jetës fetare në vendin tonë, u realizua duaja e hatmes së nxënësve të Mektebit të Xhamisë në fshatin Drogomisht i Madh. Ngjarja u hap me lexim të Kuranit Famëlartë nga Adi ef. Beshiri, më pas fjalën përshëndetëse e morri nikoqiri, Imami i xhamisë H. Sefer ef. Ibishi, i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit, si dhe foli rreth rezultatit të arritur nga nxënësit e këtij Mektebi, të cilët edhe pse në një periudhë pandemie, nuk e ndalën punën, por duke i respektuar masat kundër Kovid 19, vazhduan me mësime dhe sot rezultati është më se i qartë.
Pas tij edhe Myftiu i Kërçovës Mr. Qamil ef. Rushiti foli për synimet e Myftinisë së Kërçovës dhe vlerën e edukimit të gjeneratave të reja dhe mësimit të leximit të Kuranit Fisnik.
Ndërkaq, fjalën kryesore e mbajti Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul-Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit, e posaçërisht imamim e xhamisë H. Sefer ef. Ibishi, i cili me përkushtim të madh dhe dedikim punon me nxënësit e këtij Mektebi për të krijuar mbrojtës të palëkundur të fjalëve të Allahut Fuqiplotë dhe Kuranit Fisnik. Dhe nuk është e rastit që pikërisht nga ky Mekteb kanë dalë shumë medresantë dhe hoxhallarë. Reisul Ulemaja po ashtu lavdëroi punën e mirë plot me vizion për të ardhmen që e bën Myftiu i ri Mr. Qamil ef. Rushiti në organizimin e jetës fetare në këtë Myftini. Kreu i BFI poashtu tregoi rëndësinë dhe respektin që Bashkësia Fetare Islame e ka për fshatin Drogomisht i Madh dhe banorët e këtij fshati, të cilët janë të shquar për imanin e tyre të palëkundur në besimin e Allahut Fuqiplotë, në aktivitetin e tyre kombëtar dhe humanitar. Vet prezenca e figurave më eminente të BFI në këtë ceremoni flet qartë për këtë konstatim.
Fjalimin e plotë të Reisul Ulemasë dhe manifestimin në tërësi mund ti ndiqni në linkun më poshtë: https://www.facebook.com/bfinmk/videos/526571488562492
Më pas që të gjithë dhjetë nxënësit lexuan nga një pjesë të Kuranit Fisnik, ndërsa në fund, Myftiu i Myftinisë së Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili e bëri duanë e kësaj Hatmeje.
Për të gjithë nxënësit, Myftinia e Kërçovës ndau nga një diplomë dhe nga një dhuratë simbolike, të cilat u ndanë nga Kryetari i BFI-së Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Kryetari i Kuvendit të BFI-së H. Fejsal ef. Kadriu dhe Myftiu i Kërçovës Mr. Qamil ef. Rushiti.
Allahu ju dhashtë sukses dhe mbarësi të gjithë nxënësve, ndërkaq Allahu e ndihmoftë haxhi Seferin në rrugëtimin e shenjtë, të mësimit të Kuranit.
Comments are closed.