Kështu na mësoi Muhamedi a. s. (1)

Njeriu gjithnjë ka nevojë që t’i lutet Allahut (xh. sh.)
Lutja është edhe argument se njeriu është i mbështetur tek Allahu (xh. sh.) dhe se ai vetëm prej Tij e kërkon ndihmën e vërtetë. Ajo është dëshmi praktike se njeriu nuk i përkulet askujt tjetër përveç Krijuesit të tij. Përmes lutjes njeriu zbraz nga vetja energjinë negative të grumbulluar me kohë dhe përfiton bindjen dhe shpresën për një veprimtari më konstruktive. Përmes lutjes njeriu ndien një qetësi dhe rehati shpirtërore, e zgjeron gjoksin e vet, sepse përmes saj e largon ankthin, hidhërimin dhe depresionin.
Shkruan: Jusuf Zimeri
Një ditë i dërguari i Allahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] hyri në xhaminë e tij dhe aty e pa një prej ensarëve, që quhej Ebu Umame, dhe i tha: “O Ebu Umame, pse po të shoh ulur në xhami, në një kohë kur nuk është kohë e namazit?” Ebu Umame (r. a.) tha: Shqetësimi dhe borxhi im që kam më kanë detyruar të qëndroj këtu, o i dërguar i Allahut! Atëherë Pejgamberi [alejhis-selam] i tha: A ke gatishmëri që të t’i mësoj disa fjalë, të cilat ti nëse i thua, Allahu do të largojë shqetësimin dhe do të paguajë borxhin tënd?! I thashë: Po, si jo, o i dërguar i Allahut! Tha: “Çdo mëngjes kur të zgjohesh dhe çdo mbrëmje kur të biesh në gjumë, thuaj: ‘O Zoti im, kërkoj ndihmën tënde të më mbrosh nga shqetësimi dhe derti; kërkoj mbrojtjen Tënde të më mbrosh nga pafuqia dhe dembelizmi; kërkoj ndihmën Tënde të më mbrosh nga mjerimi dhe koprracia; kërkoj ndihmën Tënde të më mbrosh nga rëndimi i borxheve dhe mbizotërimi i burrave.” Ebu Umame tha: Unë këtë këshillë e mora nga Pejgamberi [alejhis-selam] dhe e praktikova në jetën e përditshme, e Allahu (xh. sh.) ma largoi shqetësimin dhe borxhin tim. (Ebu Davudi: 1555)
Transmetohet nga Enes ibn Maliki (r. a.), i cili ka thënë: I kam shërbyer (bërë hyzmet) të dërguarit të Allahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] dhe shpeshherë e dëgjoja kur ai e shtonte thënien: “O Zoti im, kërkoj ndihmën tënde të më mbrosh nga shqetësimi dhe derti; kërkoj mbrojtjen Tënde të më mbrosh nga pamundësia dhe dembelizmi; kërkoj ndihmën Tënde të më mbrosh nga mjerimi dhe koprracia; kërkoj ndihmën Tënde të më mbrosh nga rëndimi i borxheve dhe mbizotërimi i burrave.” (Buhariu)
Sqarim i përgjithshëm i hadithit
Në parim, dihet fakti se Pejgamberi [alejhis-selam], edhe pse ishte njeri që ishte i siguruar dhe kishte imunitet të garantuar nga Allahu (xh. sh.), sërish kishte nevojë imanente që të kërkojë ndihmë nga Allahu (xh. sh.), kështu që, s’do mend, nevoja e jonë për t’i kërkuar ndihmë Allahut (xh. sh.) është edhe më e domosdoshme.
Në anën tjetër, për çdo gjë që Pejgamberi (a. s.) ka kërkuar nga Allahu (xh. sh.) ndihmë për t’u mbrojtur – dhe na ka urdhëruar edhe neve që ta kërkojmë këtë ndihmë – janë ose për çështje me cilësi të dhimbshme dhe me pasoja të rënda jo vetëm për shëndetin psikofizik të njeriut, për dëmtimin e cilësisë së jetës në këtë botë dhe në botën tjetër, ose për shkaqe që shpijnë në dhembshuri shpirtërore dhe fizike.
Kërkimi i ndihmës së Allahut (xh. sh.) për të na mbrojtur nga ato dukuri që i përmend hadithi i theksuar sigurisht se është për shkak të ashpërsisë dhe seriozitetit të lëndimit shpirtëror dhe fizik që i sjellin ato dukuri nëse e goditin qenien tonë. Këto goditje, nga këto dukuri, shkaktojnë plogështi fizike dhe shpirtërore te njeriu, shkaktojnë dekoncentrim dhe shtrembërim të mendimit, preokupim të zemrës dhe të shpirtit të njeriut dhe, si të tilla, shkaktojnë humbjen e shumë mirësive në jetën e kësaj bote dhe të botës tjetër, prandaj meritojnë vëmendje të madhe.
Dijetarët islamë janë të mendimit se në këtë hadith dhe shumë të tjerë të ngjashëm me të, ka prova të mjaftueshme për të bërë preferencën e kërkimit të mbrojtjes nga Allahu fuqiplotë për të gjitha gjërat e përmendura dhe të tjerat në kuptimin e tyre.
Në hadithin e lartpërmendur vërejmë se Pejgamberi [alejhis-selam] jo vetëm që e ka shpeshtuar këtë lutje, por edhe na ka urdhëruar që edhe ne t’i lutemi Allahut fuqiplotë që të na mundësojë mbrojtje efektive prej këtyre dukurive që janë të dëmshme për njeriun. Dukuritë e përmendura në këtë hadith janë tetë, e që janë: shqetësimi, derti, pafuqia, dembelizmi, mjerimi, koprracia, rëndimi i borxheve dhe mbizotërimi i burrave. Mirëpo, nëse hadithin e kundrojmë me precizitet, vërejmë se edhe pse janë të përmendura tetë dukuri, ato janë të ndara në katër grupe, sepse i ka bashkuar nga dy dukuri që japin efekte të njëjta, ose të ngjashme me njëra-tjetrën. Kjo lehtë mund të vërtetohet nga konstrukti i fjalisë, me të cilën është shprehur Pejgamberi [alejhis-selam].
Në vazhdim do të bëjmë përpjekje që për secilën prej këtyre dukurive të japim sqarime të veçanta. Por, para se të nisim me shpjegimin e tyre, fillimisht të shpjegojmë çka është roli dhe rëndësia e kërkimit të ndihmës nga Allahu fuqiplotë, sepse kërkimi i ndihmës për mbrojtje nga punët dhe vetitë e liga ishte dhe ngeli nevojë imanente në të gjitha kohët, e veçanërisht sot në botën bashkëkohore kur shqetësimi, brengosja, pasiguria, plogështia shpirtërore dhe depresioni janë bërë dukuri shumë të shpeshta të shoqërisë njerëzore.
Lutja dhe rëndësia e saj
Pejgamberi [alejhis-selam] përveç se na e mësoi besimin e pastër dhe çdo gjë që lidhet me të, përveç se na e mësoi Islamin dhe çdo gjë që lidhet me të, na mësoi moralin dhe shtyllat e moralit të pastër. Nga ky hadith i lartpërmendur dhe shumë të tjerë vërejmë se ai na mësoi edhe për formën dhe për mënyrën se si duhet t’i drejtohemi-ta lutim Allahun (xh. sh.) që të përfitojmë nga ndihma e Tij.
Allahu i gjithëfuqishëm krijoi njeriun dhe i dha çdo gjë që i nevojitet për jetë për ta adhuruar Krijuesin e tij dhe për të shfrytëzuar begatitë e Tij në jetën e kësaj bote. Edhe pse e krijoi në formën dhe konstruktin më të përsosur, sërish e la të lirë në kryerjen e detyrimeve të tij, që ai të jetë adhurues dhe falënderues ndaj Allahut Një. Njeriu është i lirë, por nuk është i pavarur nga Allahu (xh. sh.) – ai ka nevojë që të jetë në lidhshmëri të përhershme me Allahun (xh. sh.), në mënyrë që të jetë sa më i freskët, më vital dhe më i suksesshëm në ballafaqim me sfidat e jetës, të përballojë shqetësimet, hidhërimet, fatkeqësitë dhe peripecitë e jetës. Njeriu, pra, gjithnjë ka nevojë që t’i lutet Allahut (xh. sh.), që ta ndihmojë në zhvillimin e jetës së tij me produktivitet dhe përmes asaj dobie/veprimtarie të fitojë edhe jetën e botës tjetër. Allahu (xh. sh.) në Kuranin famëlartë thotë: “Zoti juaj ka thënë: ‘Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem; e, ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në Xhehenem.” (surja Gafir: 60)
Në një hadith të transmetuar nga Nu’man b. Beshiri, i dërguari i Allahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] ka thënë: ”’Lutja është adhurim.’ Pastaj e lexoi ajetin e lartpërmendur.” (Termidhiu nr. 3247)
Lutja tek Allahu (xh. sh.), përveç se është dëshmi e lidhshmërisë së njeriut me Allahun (xh. sh.), ajo është edhe argument se njeriu është i mbështetur tek Allahu (xh. sh.) dhe se ai vetëm prej Tij e kërkon ndihmën e vërtetë. Ajo është dëshmi praktike se njeriu nuk i përkulet askujt tjetër përveç Krijuesit të tij. Përmes lutjes njeriu zbraz nga vetja energjinë negative të grumbulluar me kohë dhe përfiton bindjen dhe shpresën për një veprimtari më konstruktive. Përmes lutjes njeriu ndien një qetësi dhe rehati shpirtërore, e zgjeron gjoksin e vet, sepse përmes saj e largon ankthin, hidhërimin dhe depresionin, e ndien vetën të fuqishëm dhe të rivitalizuar për t’u ballafaquar me sfidat e jetës. Përmes lutjeve njeriu i largon fatkeqësitë dhe sprovat, sepse Pejgamberi [alejhis-selam] në hadithin e transmetuar nga Selman Farisiu (r. a.) ka thënë: “Asgjë nuk mund të ndryshojë përcaktimin e Allahut (xh. sh.) përveç lutjes (duasë).” (Termidhiu)
Në një hadith tjetër, të cilin e përcjell po ashtu imam Termidhiu, me transmetim nga Enes b. Maliki, Pejgamberi [alejhis-selam] ka thënë: “Lutja është truri i adhurimit.”
Në përgjithësi, dispozita e lutjes sipas Islamit është Sunneti muekkede (sunnet i përforcuar), sepse këtë bënte vazhdimisht Pejgamberi [alejhis-selam]. Në një transmetim nga Aisheja (r. a.) është thënë: “Një ditë i thashë Pejgamberit [alejhis-selam]: ‘O i dërguar i Allahut, lutju Allahut për mua!’ Pejgamberi [alejhis-selam] tha: ‘O Zoti im, fale Aishen për mëkatet që ka bërë dhe që do t’i bëjë, ato që janë të fshehta dhe publike.’ Aisheja (r. a.) qeshi aq shumë, saqë nga qeshja e lëshoi kokën në prehrin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme], ndërsa Pejgamberi [alejhis-selam] i tha: ‘A të gëzoi lutja ime?’ Aisheja tha: ‘Pse të mos më gëzojë lutja jote?!’ Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] tha: ‘Vërtet kjo është lutja ime, të cilën unë e bëj për ummetin tim në çdo namaz’.”
Në lutje ka të drejtë çdo njeri – mëkatar qoftë, ose i devotshëm; çdo besimtar dhe besimtare. Çdokush mund të lutet për veten e vet dhe për të tjerët, për familjen dhe dashamirët e vet, për ummetin islam në përgjithësi… Por, lutja më e preferuar është lutja që bëhet për dikë tjetër, që nuk është prezent në momentin e lutjes. Në lidhje me këtë moment në hadithin e transmetuar nga Ebu Dardai (r. a.) i dërguari i Allahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] ka thënë: “Kush lutet për vëllanë e tij, duke mos qenë ai prezent, Melaqja që e shoqëron atë për të cilin është lutur thotë ‘Amin – edhe për ty qoftë e njëjta’.” (Muslimi nr. 2732)
Nëse e shfletojmë me vëmendje Kuranin fisnik, vërejmë se Allahu (xh. sh.) na ka urdhëruar që të bëjmë lutje dhe na ka premtuar për plotësimin e kërkesave tona – pa i ndryshuar premtimet. Allahu (xh. sh.) thotë: “E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet; pra, për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen Mua dhe le të më besojnë Mua.” (El Bekare: 186)
Pa kapacitet të mjaftueshëm për të përkufizuar të mirën
Shpeshherë njeriu i lutet Allahut (xh. sh.) dhe shpejton me vlerësime se – është lutur, por Allahu (xh. sh.) nuk ia ka pranuar lutjen. Ky vlerësim është i gabuar dhe i pabazë, sepse Allahu (xh. sh.) ka premtuar në plotësimin e lutjeve tona, por ka një parim që detyrimisht duhet të dihet: njeriu nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për ta përkufizuar të mirën e vet, prandaj shpeshherë njeriu vlerëson për diçka se është e mirë për të dhe i lutet Allahut (xh. sh.); por, në realitet, ai ka gabuar në vlerësimin e të mirës dhe, mospërgjigjja nga Allahu (xh. sh.) në kërkesën e tij është plotësim i premtimit për plotësimin e të mirës së tij. Këtu nënkuptohet se vlerësohet vetëm parimi se njeriu e dëshiron të mirën, por ka gabuar në metodologji dhe mospranimi i kërkesës së tij nga Allahu (xh. sh.) është mirësi për të dhe plotësim dëshire.
Në anën tjetër, dijetarët islamë kanë përcaktuar edhe disa kritere apo kushte për plotësimin kërkesave-lutjeve. Më të rëndësishmet janë:
– Sinqeriteti dhe bindja e plotë në kërkesën e tij. Allahu (xh. sh.) thotë: “Andaj, lutjuni Perëndisë duke i besuar Atij sinqerisht, madje edhe nëse këtë e urrejnë jobesimtarët!” (Gafir: 14)
– Koncentrim maksimal psikik dhe shpirtëror në momentin e lutjes, në mënyrë që ajo të mos jetë vetëm një rutinë e përditshme.
– Ruajtja nga haramet, siç janë: ushqimet, veshmbathjet dhe të gjitha punët në tërë veprimtarinë e tij. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejreja (r. a.) ka thënë: “Vërtet Allahu (xh. sh.) është i mirë dhe nuk pranon tjetër përveç të mirës. Vërtet Allahu i ka urdhëruar besimtarët me atë që i ka urdhëruar të dërguarit e Tij. Allahu (xh. sh.) ka thënë: ‘O ju që besuat, hani nga të mirat që ju kemi dhënë dhe falënderoni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.’ Pastaj e përmendi një njeri që zgjati duart e veta drejt qiellit dhe thotë: ‘O Zot, o Zot, ushqimi i tij është haram, pija e tij është haram, veshmbathja e tij është haram, është ushqyer me haram; si do t’i përgjigjej Allahu (xh. sh.) atij?!’” (Muslimi)
Njeriu në çdo kohë dhe në çdo moment mund t’i drejtohet Allahut (xh. sh.) me lutje, por ekzistojnë disa kohë dhe vende më të preferuara për lutjet, siç janë momentet e lutjes natën, në pjesën e tretë të natës; lutjet duke qenë agjërueshëm; lutjet në kohën e syfirit, në kohën e iftarit, në ditën e xhuma; lutjet duke qenë në Arefat; lutjet pas namazit; lutjet në sexhde etj.

Comments are closed.