1400 vjet Kur’an

Përvjetori ynë i madh.

Viti që lamë pas ishte një vit jubilar: 1400-vjetori i Shpalljes së Kur’anit Famëlartë. Përkujtimi i tij do të jetë i paharruar në shkrimet dhe artikujt që botuam në dymbëdhjetë muajt e kaluar në nderim të këtij përvjetori të madh.

Shprehja “1400-vjetori i Shpalljes së fjalës së përsosur të Allahut Fuqiplotë”  qëndroi për një vit rresht në ballë të revistës “Hëna e Re” si kontribut i Bashkësisë Fetare Islame, institucioneve edukative-shkencore të BFI-së, Medresesë Isa Beu, Fakultetit të Shkencave Islame, shoqatës “Ilmije”, i të gjithë lexuesve, në  shënimin e këtij përvjetori të rrallë. Kjo filloi që në vitin 2009, kur  Bashkësia Fetare Islame në RM (BFI) për herë të parë,  gjithandej ku mori pjesë dhe prezantoi, si institucioni i parë fetar inicoi që viti 2010 të shpallet Viti i Kur’anit. Me këtë, BFI edhe një herë u dëshmoi dhe u tregoi të gjitha shoqërive muslimane, kudo që ato frymojnë,  se BFI do ta shënojë për një vit të tërë 1400-vjetorin e Kur’anit.

 

“Hëna e Re” është revistë kulturore informative islame, e cila në mënyrë transparente e njofton dhe e informon opinionin e gjerë këtu dhe më larg rreth veprimtarisë institucionale të BFI, andaj me një theks të veçantë redaksia jonë i kushtoi kujdes këtij viti jubilar. Përmes publikimeve të ndryshme nga autorë të ndryshëm paraqiti shkrime, analiza, opinione, qëndrime, hulumtime, studime, pra gjithçka që ka të bëjë me fjalën hyjnore, Kur’anin. Në çdo numër të revistës kureshtje më të madhe kanë ngjallur artikujt e ndryshëm mbi Kur’anin, të cilët kanë qenë më të dashur, më të lexuar, më të diskutuar.

 

Kjo na ka detyruar që sinqerisht të angazhojmë autorë të ndryshëm, të rinj,  që t’u rreken këtyre temave, për ta bërë sa më të afërt fjalën e përsosur të Allahut Fuqiplotë.Kur’ani është vepër që të gjithë ne e lexojmë. Atë mundohemi ta kuptojmë dhe me të të veprojmë e të jetojmë. Këtë e kanë bërë gjeneratat e mëhershme, këtë e bëjmë ne dhe kështu do të vazhdojë edhe me ata që do të vijnë pas nesh.

 

Të gjithë ne jemi të lidhur me Kur’anin dhe me të jetojmë. Sigurisht që përjetimet tona kanë qenë nga më të ndryshmet, por edhe të paharruara. Kur’ani ka qenë dhe mbetet Kushtetuta e shoqërisë muslimane. Ndër vite atë e ka mbrojtur Zoti, studiuesit, hulumtuesit, respektuesit dhe lexuesit e tij. Pas gjithë asaj që kanë bërë keqbërësit dhe gjithë ata që trillonin,  Kur’ani përsëri arriti që të jetë në duart e lexuesve i mbrojtur dhe i sigurt falë fuqisë absolute të Allahut (xh.xh.).

 

dd

 

Edhe tani,  në shoqërinë moderne,  provokohen muslimanët nga injorantët e kohës,  të cilët mundohen me gjeste individuale keqbërëse të ngjallin urrejtje brenda kulturave dhe popujve. Këtë pamje e kemi të freskët kur prifti amerikan para ca muajsh,  në 2010-tën,  deshi të digjte Kur’anin, iniciativë kjo që rezultoi me faktin se kishim të bënim me një prift e predikues të vobegët e të ngratë.

 

Nga Kur’ani burojnë koncepte pozitive mbi komunikimin ndërqytetërues dhe ndërcivilizues. Ai gjithashtu kontribuon në ndërtimin e marrëdhënieve ndërshoqërore përmes një komunikimi dhe dialogu të mirëfilltë. Kontributi i shoqërisë muslimane,  të edukuar nga Kur’ani,  gjithnjë ka qenë pozitiv,  pavarësisht veprimit dhe jetësimit të gjithë asaj që e lidh individin me shoqërinë dhe shtetin. Mbi të gjitha,  në Kur’an mund të takojmë modele se si dhe në çfarë mënyre i ka rregulluar raportet ndërnjerëzore, duke mos lënë anash edhe rregullimin e statusit të pakicave në shtetin islam, të drejta këto që janë të garantuara në mënyrë shumë të fuqishme. Kështu që, Kur’ani ka qenë dhe do të mbetet obcioni më i mirë për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë, të drejtë, të pastër dhe progresive.

 

1400-vjetori i Shpalljes së fjalës së përsosur të Allahut Fuqiplotë, përsëri, është vetëm një vit jubilar, të cilit do t’i shtohen edhe shumë të tjerë, derisa do të ketë jetë mbi faqen e dheut. Kjo është vepër hyjnore, e cila do të ndriçojë edhe gjatë kohë, në hapësira edhe më të largëta, e që do të reflektojë deri në pafundësi, ashtu siç ka reflektuar deri më tani.

“Hëna e Re”, dhashtë Zoti, do të jetë më afër jush për çdo përvjetor që e karakterizon shoqërinë tonë këtu e më gjerë…

Comments are closed.