Drejtuar: z. z. Stefan

Drejtuar: z. z. Stefan, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Maqedonase
Lënda: Përgjigje
Lidhur me shkresën tuaj nr. 42, dt. 5. 04. 2019

I nderuar z. z. Stefan,
Me vëmendje të veçantë e lexuam letrën tuaj dhe na gëzoi fakti që edhe ju multinacionalitetin dhe multikonfesionalitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut e konsideroni si “Vullnet dhe Mëshirë të Zotit.”
Po, edhe ne mendojmë se për të funksionuar me sukses komuniteti shoqëror, kohezioni është shumë i rëndësishëm, respekti dhe mirëkuptimi i ndërsjellë në mes të etniteteve dhe feve të ndryshme, po ashtu, ndërsa tradita e cila në këtë pikëpamje është ndërtuar për shekuj me radhë, pa dyshim, është një vlerë e veçantë, e cila duhet të kultivohet. Dhe, pikërisht për këtë arsye, qëkur Islami rrezaton në këto troje, myslimanët u kushtojnë vëmendje të veçantë marrëdhënieve me bashkëqytetarët e tyre të besimeve të tjera.
Por, thënë sinqerisht, ne nuk mendojmë se vizitat e ndërsjella kortezi dhe urimet për festat janë kontribut i mjaftueshëm për bashkëjetesën e popujve dhe besimtarëve; ato janë vetëm një shenjë e vëmendjes dhe edukimit që e karakterizojnë ekzistencën tonë në këtë botë. Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitet e funksionimit të saj si një përfaqësues institucional me përgjegjësi të plotë për organizimin e jetës islame fetare, në mënyrë aktive, publike dhe praktike edukon dhe ndërton traditën e bashkëjetesës dhe të paqes. Për këtë dëshmon një numër i madh i komunikimeve tona publike, ligjërimet e teologëve tanë, diskutimet dhe paraqitjet e udhëheqësve të BFI në raste të ndryshme si brenda dhe jashtë vendit, dekoratat e shumta nga zyrtarët më të lartë të huaj, pjesëmarrja aktive në qindra kongrese ndërkombëtare për paqe dhe tolerancë, përfshirja jonë në të gjitha nismat e ndërmarra në këtë drejtim, qoftë nga organet e shtetit, përfaqësues ndërkombëtarë apo organizata joqeveritare të brendshme dhe të jashtme.
Përkujtoni konstruktivitetin e BFI-së gjatë konfliktit ushtarak të vitit 2001, po ashtu përkujtoni qëndrimet tona të shprehura publikisht në situata të intensifikimit të urrejtjes ndëretnike dhe ndërfetare nga grupe dhe organizata të ndryshme, përkujtoni se cilat ishin ankesat tona kur u sulmua Kuvendi dhe u kërcënua jeta e të zgjedhurve të popullit me çmimin e shkeljes së rendit kushtetues të vendit, cilat ishin pikëpamjet tona aktuale në lidhje me të ardhmen e vendit dhe përfshirjen e tij në proceset e integrimit euroatlantik. Dhe, për të mos numëruar pafundësisht, përkujtoni qëndrimin dhe angazhimin tonë për funksionimin e suksesshëm të iniciativës së Fondacionit Konrad Adenauer për tolerancë dhe dialog të ndërsjellë, i cili fatkeqësisht, nuk e dimë pse, u ndërpre pikërisht nga iniciativa e KOM-it, edhe pse e njëjta u miratua dhe u nënshkrua nga të gjitha komunitetet tjera fetare…
Sinqerisht, na vjen keq që deklaratat tona publike, për padrejtësitë eklatante që na janë shkaktuar në dekadat e fundit, janë perceptuar si një shprehje e jotolerancës. Ne prej jush, si bashkësi më e madhe fetare në vend, e presim të kundërtën. Ne shpresojmë që shprehja e solidaritetit të jetë një shenjë dalluese e frymës së tolerancës dhe bashkëjetesës të cilën ju e shprehni aq bukur në letrën tuaj dhe e cila, në të vërtetë, është fryma që buron nga postulatet e besimit, qoftë të Islamit apo të Krishterimit.
I nderuari z. z. Stefan, thjesht ne nuk mund ta kuptojmë se si thirrja jonë për drejtësi dhe korrektësi që na është mohuar nga të gjitha pushtetet e kaluara, mund të shkaktojë “pasoja të përhershme për paqen dhe stabilitetin që ne të gjithë e dëshirojmë…”
Pa asnjë dëshirë për të polemizuar me KOM-in, me të cilin gjithmonë përpiqemi të kemi marrëdhënie korrekte, pikërisht për shkak të heqjes së mundësisë së “pasojave të përhershme për paqe dhe stabilitet …”, disa vetvetiu imponojnë, sipas jush, çështje dhe qëndrime “të pamatura”:
– Vallë, për stabilitetin aq të dëshiruar të vendit kontribuon fakti se në fshatin Llazhec, i cili është multietnik dhe multikonfesional, me banorë gjysmë për gjysmë me mysliman, sot e kësaj dite besimtarët e fesë islame në mënyra të ndryshme janë të privuar nga e drejta për të ndërtuar një xhami në tokën e vet, ndërsa pala tjetër, me të njëjtin numër banorësh, ka dy kisha. A nuk është ky një favorizim!?
– A për shkak të paqes dhe qetësisë, kryqet janë të vendosura në Sahat-Kulla si monumente sakrale islame. A do të kontribuonte për paqen dhe qetësinë vënia e simboleve islame, le të themi, në një kambaneri?
– Paqja dhe qetësia të rrezatojmë nga xhamia monumentale, e djegur, e shkatërruar dhe e rrënuar e Çarshisë në Prilep, e cila ishte për t’u ringritur njëkohësisht me manastirin në Leshkë, e cila, edhe pas njëzet vjetësh, qëndron si një monument me krimin e dukshëm në fe, kulturë dhe traditë të myslimanëve. Manastiri i Leshkës ka kohë që është ndërtuar. A nuk është ky një favor?
– Çfarë i pengon paqes dhe qetësisë ndërtimi i minares së Xhamisë së Ali Pashës në Ohër, qytet ky ku në të kaluarën jo shumë të largët u rrafshuan me tokën shumë xhami me rëndësi të madhe historike dhe kulturore?
– Kur bëhet fjalë për Ohrin, le të ju kujtojmë se atje me dinamit u shkatërrua Xhamia Imaret në Pllaoshnik dhe në vend të saj u ndërtua një manastir. Para se të zgjidhet procedura e denacionalizimit të asaj pjese, ku BFI kërkon katër mijë metra katrorë që të kthehen në pronësi të saj. Pas një “mrekullie”, në vend që t`i kthehet pronarit, i gjithë Pllaoshniku transferohet në pronësi të KOM-it. A nuk është ky një favorizim?
– A nuk ishte kërkesa jonë e përbashkët që në Sheshin Maqedonia, në Shkup, të ndërtohet Xhamia Burmali dhe Kisha e Shën Konstantini dhe Helena. Për t’ju kujtuar, Kisha u ndërtua në parcelën kadastrale për të cilën BFI kishte kërkesë për denacionalizim. Dhe kjo parcelë është pronë e KOM-it sot. A nuk është ky një favorizim?
– Ne nuk kemi dëgjuar asnjëherë ndonjë reagim serioz nga ana juaj, kur politika shoviniste i rrënon dhe i përdhos monumentet islame, në vendin e të cilave ndërtohen kisha. Ju me mençuri heshtni, ndërkohë që ka tendenca që Jeni-Xhamia në Manastir dhe Orta-Xhamia në Strumicë të bëhen kisha!!! A nuk është ky një favorizim?
– Të gjitha komunat, kur i përpilojnë planet e detajuara urbane, planifikojnë kisha të reja, pa kosto për buxhetin e KOM-it. Ne jo vetëm harxhojmë nga buxheti ynë, por në disa komuna për dekada me radhë po presim një përgjigje pozitive për të parashikuar xhamitë për popullatën myslimane, si në Komunën e Aerodromit, në lagjen Novo Lisiçe, në komunën e Gazi Babës, në fshatin Trubarevë, në komunën e Kratovës, në Sveti Nikollë, Star Dojran, Negotinë. A nuk është ky një favorizim?
– Shteti i dha KOM-it një vend për rezidencë, po ashtu edhe Kishës Katolike, Komuniteti Hebraik. Ne ende jemi në pritje të një përgjigje. A nuk është kjo favorizim?
Kur jemi te favorizimi i KOM-it, ju kujtojmë se qëndrimi ynë është ndërtuar mbi shembujt e mësipërm, por doemos duhet t`ju përkujtojmë se, për shembull, sipas një sondazhi nga ‘Konrad Adenauer’ në lidhje me perceptimet e të anketuarve në lidhje me nëse shteti favorizon komunitete të caktuara fetare mbi tjetrin, madje 19.8% mendojnë se KOM-i është favorizuar mbi komunitetet e tjera fetare.
Dhe, në raportin e Stejt Departamentit për çdo vit theksohet se jo vetëm BFI-ja, por edhe grupet tjera fetare ankohen se qeveria favorizon KOM-in, duke i dhënë atij privilegje unike tatimore, pasuri shtetërore pa kompensime, fonde për ndërtimin e kishave ortodokse, si dhe ftesa ekskluzive për përfaqësuesit e tij për të marrë funksione qeveritare.
Kaq për paqen dhe qetësinë, për respektin dhe bashkëjetesën, segmente këto që ne në BFI i dimë dhe marrim hapa konkretë dhe përpjekje për t’i ruajtur ato.
Sa u përket “kërkesave (tuaja) të qëndrueshme drejtuar shtetit dhe ndërtimeve ekskluzivisht në bazë të të gjitha procedurave dhe lejeve të nevojshme”, ne e përshëndesim qëndrimin tuaj, por ne shpresojmë se kjo nuk aludon se ne në BFI nuk i respektojmë të njëjtat dhe që në ndërtimet tona ne nuk i respektojmë procedurat e nevojshme dhe nuk i sigurojmë lejet e duhura. Ne kujdesemi edhe për atë që krahas pengesave të paimagjinueshme, na paraqiten. Dhe, na vjen mirë që nuk keni pengesa të natyrës së tillë të çuditshme, sepse, ju e dini, se ndërtimi i shtëpive islame, ortodokse, katolike, protestante apo hebraike të Zotit kanë një qëllim të vetëm: të përhapurit e fjalës së Zotit, dashurinë dhe mëshirën e Tij.
Kur është fjala për denacionalizimin, BFI është plotësisht e diskriminuar, përkundër dokumentacionit të dorëzuar të plotë për një numër të pronave shumë të vlefshme. Ju thoni që KOM-i nuk është i privilegjuar në këtë proces dhe ne duam t’ju besojmë. Ndoshta ju nuk doni të jeni të privilegjuar, gjë që është shumë krishtere dhe korrekte nga ana juaj, por është e mundur që të tjerët t’ju privilegjojnë pa dëshirën tuaj.
Gjithashtu, ne jemi dakord që “politika e përditshme dhe disa qëllimkëqij” mund të abuzojnë me fenë, apo me ndjenjat fetare të njerëzve, siç ka ndodhur, në të vërtetë, në të kaluarën, kur njerëzit, të frymëzuar dhe të nxitur nga disa qarqe të pushtetit, në mënyrë të rrezikshme kërcënojnë stabilitetin e shtetit dhe marrëdhëniet e brishta ndëretnike dhe ndërfetare. Atëherë dëgjohej vetëm zëri ynë, ndërkaq që ju heshtnit! Ne ju garantojmë se BFI tani dhe në të ardhmen do të komunikojë me të gjithë aktorët politikë, por kurrë nuk do të lejojë ndërhyrje politike në çështjet fetare, sidomos jo në marrëdhëniet mes pjesëtarëve të feve të ndryshme për qëllim që t`i përflakin këto marrëdhënie. Perëndisë punët hyjnore, mbretit punët mbretërore!
Si rrjedhojë, në situatën dhe mjedisin, ku Republika e Maqedonisë së Veriut dhe qytetarët e saj duket se po i tejkalojnë mitologjitë e pakuptimta dhe obsesionin me antiken, ne ju ftojmë që së bashku me komunitetet tjera fetare të punojmë për të kontribuar në përparimin e vendit tonë të përbashkët, të ndihmojmë me ndershmërinë dhe dashamirësinë tonë që sa më shpejt të realizohen integrimet evropiane, të cilat qytetarëve të këtushëm do t’u sigurojnë një jetë të mirë. Në frymën e paqes së Perëndisë, të mesazheve të shenjta të Kuranit dhe të Biblës, ejani të jetojmë jo pranë njëri-tjetrit, por me njëri-tjetrin, për të eliminuar keqkuptimet dhe për të promovuar barazinë; toleranca dhe dialogu le të jenë udhërrëfyesi ynë!

Ne, si gjithmonë, jemi gati!
Reis’ul-Ulema i BFI në RMV,
h. Sulejman ef. Rexhepi

[:]

Comments are closed.