Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Vlerat e identitetit të një populli janë shpirti, feja dhe kombi

Vlerat e identitetit të një populli janë shpirti, feja dhe kombi

(Fjalim i Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, në Gostivar, me rastin e hapjes së institutit të hivzit “Hafëz Hasan ef. Zendeli“)

Në emër të Allahut mëshiruesit mëshirëbërësit i cili në Kur’anin Famëlartë thotë: “ Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.” (El Hixhr: 9)

I nderuar nikoqir, myfti i respektuar i Gostivarit, Shaqir ef. Fetahu; i nderuar mushavir – përgjegjës për çështjet fetare në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Shkup, z. Murat Alkan; të nderuar myftilerë, kolegë të mi, unë nuk kam vetëm dy duar – po kam trembëdhjetë, plus dy – pesëmbëdhjetë duar, duke filluar nga Tabanoci deri në Qafë të Thanës.
Të respektuar haxhilerë dhe humanistë të mëdhenj të çështjes sonë fetare dhe kombëtare, i nderuar kryetar i Këshillit të Komunës së Gostivarit, të respektuara figura publike, politike, kulturore, shkencore që gjendeni se bashku me ne sot, në këtë rast dhe në këtë moment, më lejoni që të gjithe juve pa përjashtim, nga pozicioni im si Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Repuplikës së Maqedonisë së Veriut, të gjithë juve t’ju përshëndes me përshëndetjen më të përkryer që na e ka preferuar Allahu fuqiplotë: Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu – që do të thotë ‘paqja, të mirat, begatitë e Zotit fuqiplotë, mëshira e të Madhit Allah dhe ndihmesa e Tij të jenë gjithmonë me ne’.
Të nderuar vëllezër, kjo është një përshëndetje e përkryer, ngase kur kjo kultivohet në jetën tonë praktike, demonstron paqe, dashuri, siguri absolute, e cila duhet të dominojë në mesin tonë.
Vëllezër të nderuar, profesoresha, pedagoge të Paraleles së Femrave këtu në Gostivar, që janë së bashku me ne, kam kënaqësi të veçantë që sot gjendem këtu së bashku me ju për të përuruar edhe një themel të artë e të fortë si graniti për kultivimin e shkencës së Kuranit – të Hivzit dhe të bukurleximit të tij.
Kjo është një kënaqësi e veçantë për popullin mysliman të këtij nënqielli këtu në Gostivar, është një begati shumë e madhe, është një bereqet i paharxhuar, sepse ky institut do të qëndrojë prore deri sa të jetë jeta mbi dhe.
Vëllezër të nderuar, prej fillimit dua të potencoj emërtimin e Institutit, që është emërtuar me emrin e një hafëzi të famshëm, një vaizi dhe myderrizi të talentuar këtu në Gostivar, ashtu siç u prezantua nga ana e Myftiut, por njëherit ka qenë një mik shumë i sinqertë imi dhe nuk do ta harroj asnjëherë në jetën e kësaj bote dhe, dhashtë Zoti që në jetën e amshueshme të takohem me te. Ai ka qenë hafëzi i mirënjohur Hafëz Hasan ef. Zendeli – Zoti ishallah me xhenet e shpërblen, Allahu (f. p.) të gjitha të mirat ia dhashtë në jetën e varrit dhe në vendin ku qëndrojnë shpirtërat e njerëzve të mirë, paraparë nga i Madhi Zot.
Vëllezër, gjithashtu ma merr mendja se jo rastësisht, por e kemi të qëlluar nga aspekti i veprimit tonë praktik – ai që do ta menaxhojë Institutin e Hivzit këtu, që do të punojë, që do ta udhëheqë këtë institut, që do të veprojë me gjeneratat e reja, që do të prodhojë hafëzllarë, rojtarë të Kuranit famëlartë dhe kultivues të bukurisë kuranore është Hafëz Eljesa Hasani, i cili është një ndër zërat më të bukur këtu në këtë nënqiell në Republikën e Maqedonisë së Veriut, apo më mirë të them është njëri që meriton çdo lëvdatë nga Bashkësia Fetare Islame e RMV, për arsye se gjithmonë takimet tona, tubimet tona, xhamitë tona dhe mesxhidet tona i ka zbukuruar me zërin e bukur të tij dhe mund të them lirisht se është një legjendë e gjallë sa i përket këndimit të ilahive dhe bukurleximit të Kuranit famëlartë, andaj e lus Allahun fuqiplotë që ai me kontributin e vet, me përkushtimin e vet në ngritjen e këtij instituti të na nxjerrë edhe shumë Eljesa të tjerë, sepse jeta duhet të vazhdojë, e ne duhet të ecim, të hapërojmë me trendet e kohës që jetojmë.
Këtu Myftiu preku pak një çështje – nuk e di sa mund të jetë realitet, por e vërteta është se ka realitet që dikujt nuk i konvenon kjo punë edhe në mjediset tona: arsyeja qenka kjo që do t’jua them, se unë dje isha në Shqipëri, në Fushë-Krujë për herë të parë ndërtohet një xhami shumë e bukur, me dy minare, me sallë për konferenca dhe me shumë objekte anësore që e kompletojnë tërësinë e Xhamisë, dhe në bisedë e sipër me njërin më tha: Po nuk e di, tha ne kemi probleme të llojllojshme, po një prej atyre problemeve që kemi tha se edhe Bashkësia Ndërkombëtare që gjendet këtu kërkon një Islam tolerant, nuk e do Islamin e pastër dhe të fuqishëm. I thashë: I nderuar, një herë e fole para meje dhe edhe një herë kurrë mos ta dëgjoj këtë. Bashkësia Ndërkombëtare është një forcë e paluhatshme, që vepron së bashku me ne; na ka ndihmuar, na ndihmon dhe do ta përfundojë ndihmën e vet në interes të këtij populli. I thashë: Gabimi yt është vlerësimi që ti ke në kokën tënde. Bashkësia Ndërkombëtare gjithmonë është me më të fortin, prandaj ne në Republikën e Maqedonisë së Veriut jemi forcë si Bashkësi Islame, andaj edhe komplet Bashkësinë Ndërkombëtare e kemi me vete; nuk e ka asnjë bashkësi fetare me vete Bashkësinë Ndërkombëtare. Gjithë Bashkësia Ndërkombëtare e akredituar në Maqedoni për çdo ditë është në Bashkësinë Fetare Islame, vijnë, qëndrojnë dhe kënaqen me ambientin tonë dhe gjithmonë ndihmën e tyre e kemi.
Do t’ju sjell vetëm një shembull këtu, brenda ashtu si jemi si popull multietnik, multikonfesional me shumë fe dhe kombe, nuk jemi të mirë, nuk e kemi arritur moshën e pjekurisë ende, urrehemi në mes vete, ia mendojmë të keqen njëri-tjetrit, duam ta zhdukim njëri-tjetrin. Pejgamberi (s.a.v.s.) thoshte: “Kushdo që me atë që bashkëjeton një vëllai të vet ia mendon të keqen, që ia hap (përgatit) varrin, ai që ia hap (përgatit), ai ka me ra në të.”
Prandaj, unë nuk pajtohem me këtë mentalitet të egër, të brishtë, ilegal, të cilin s’e do as Zoti e as bota e civilizuar. Ne duhet të respektohemi në mes veti, të ndihmohemi në mes veti, të jemi tolerantë njëri me tjetrin, të përhapim dashurinë, respektin, harmoninë, bashkëjetësën, mirëpo nuk do të thotë se vetëm ne duhet të jemi flamurtarë të saj dhe vetëm ne duhet të thërrasim në të; atë që e bën Bashkësia Fetare Islame, duhet ta bëjnë të gjitha bashkësite tjera fetare, sepse të tolerosh për së tepërmi, bëhesh bashkëpuntor në mëkat, në punë të këqija, në atë që do të pjellë e keqja nga mostoleranca.
Në këtë rast, këtu në Gostivar apeloj te të gjitha bashkësitë fetare, te të gjithë ata që besojnë në Zot, që janë myslimanë apo që janë të krishterë, të formave të ndryshme, apeloj që duhet të jenë më të vetëdijshëm, duhet ta kultivojnë, ta ngrenë vetëdijen e vet.
T’ia mendosh të keqen tjetërkujt nuk ec përpara. T’ia hapësh varrin tjetrit, thashë, bie vetë në të. Dhe ne dita-ditës e shohim se të gjithë ata që s’na e kanë dashtë të mirën, ata për fat të keq e zhdukin vetveten, nuk kanë peshë, nuk kanë rëndësi… Të tillët, po ju garantoj, Bashkësia Ndërkombëtare nuk i do, sepse i ka hetuar se janë njerëz të brishtë, pa moral dhe pa karakter. Myslimani i mirë nuk mundet me qenë i pamoralshëm; myslimani i mirë nuk mundet me qenë i paedukatë dhe pa karakter favorit; myslimani i mirë nuk guxon ta urrejë një send që është progresive.
Prandaj, i nderuari Myfti, ata që mendojnë se ne bëjmë disa punë të kota, ata janë njerëz të kotë në vetveten e tyre. Ne bëjmë punën tonë si Bashkësi Islame. Ne shpeshherë dalim prej binarëve -shinave, përzihemi në disa punë dhe menjëherë akuzat janë të mëdha: ç’kanë këta të Bashkësisë Islame që merren me politikë?! Po unë nuk e di çfarë dallimi duhet të kemi ne!? Zotëriu para meje është ai që udhëheq Këshillin Komunal të Gostivarit, ai është një post politik dhe shumë të tjerë ka këtu që udhëheqin nëpër sfera të ndryshme. Ja, shoh këtu në të dy anët politikanë, shoh këtu një njeri të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë së Veriut, jo të Maqedonisë, por të Maqedonisë së Veriut – dua të them se ne nuk zgjedhim ku e kapim, por duhet ta kapim atje ku e kërkon nevoja, prandaj mos mendoni se unë rastësisht dal prej shinave-binarëve; me shumë vetëdije të plotë futem në ato punë. E, nëse dikush mendon se në bëjmë tepër xhami, kjo është gabim, kjo është puna jonë dhe i lus të gjithë njerëzit e mirë, të shpirtit të mirë, të mos përzihen në punët tona; e nga ana tjetër, nëse mendojnë se mund të ndihmojmë – a mund të ndihmojmë gjithandej e më gjerë – atëherë nuk duhet të na hidhërohen dhe të na thirrin dhe ne jemi vëllezër, jemi të një gjaku, jemi të një shpirti, jemi të një feje dhe duhet të jemi një organizëm, sepse vetëm uniteti përbën forcën tonë dhe forca e trason prosperitetin, ardhmërinë dhe rrugën e drejtë. Ne forca të tjera si duket deri më tani nuk kemi.
Ju shihni, ka përpjekje, janë shumë, ca të demoralizuar për unitetin e Bashkësisë Islame dhe ka shumë vullnetare që duan atë unitet ta copëtojnë… Ua bëj me dije: ajo është aventurë e paparashikueshme. Betohem në Zot: nuk ka forcë që e përçan Bashkësinë Islame!
I lutemi edhe politikës edhe shtetit – se ky shtet nuk është vetëm i dikujt, ne nuk jemi në shtet të huaj, ky shtet është yni, a jemi turq, a jemi shqiptarë, a janë maqedonas s’ka lidhje ajo punë – nuk kemi shtet tjetër. Nëse fillojmë t’i vëmë hudutet, prapë ju garantoj se huduti ynë është më i madh! Por, t’i lëmë ato punë, të jemi unikë, të jemi të bashkuar, ta kultivojmë tolerancën, bashkëjetësën, paqen dhe dashurinë. Kjo na ecë përpara, kjo na forcon, kjo na mban të qëndrueshëm në këmbë, kjo na jep forcë të madhe.
Vëllezër të nderuar, në ajetin kuranor që e lexova Allahu i plotfuqishëm na bënë me dije: Ne këtë Kuran – thotë i Madhi Zot – e kemi shpallur dhe Ne do ta mbrojmë sa të jetë jeta mbi dhe, prandaj kanë kaluar mbi 1441 vjet, Kurani valëvitet lart e më lart, nuk ka arritur askush ta devalvojë. Është mirësi kur ka shkencëtarë të Perëndimit, të Evropës, kur e pranojnë se ka ardhur një libër prej Zotit që nuk ka pësuar kurrfarë devijimi e që është Kurani, deri në kohën kur ai e deklaron, mirëpo një mysliman, një intelektual i përgjigjet: Faleminderit për korrektësinë tënde, zotëri, por duhet ta dish, se asnjëherë Kurani nuk ka për të përjetuar devijime, ndryshime dhe devalvime, sepse ne para disa ditëve festuam vitin e ri islam – vetëm në Myftininë e Shkupit ishin afërsisht njëzetë hafëza, e ku janë të Tetovës dhe të qyteteve të tjera – do të thotë, numri i hafëzave shtohet, numri i rojtarëve të Kuranit shtohet, bahçja, lulishtja e bukur e asaj që quhet Islam për çdo ditë zbukurohet, prandaj nëse dikush me na e pasë inat dhe me na urrejt, ai vetëm bënë vetëvrasje ndaj vetvetes dhe asgjë tjetër. Përkundrazi, neve na e shton forcën, na e shton vullnetin, që të jemi me të fuqishëm, të jemi më të vullnetshëm dhe të jemi më civilizues.
Bashkësia Fetare Islame edhe me këtë Institut të Hifzit që sot e inaugurojmë para jush, forcohet edhe më shumë, sepse kësaj bërthamës sonë të përgjithshme i shtohet edhe një institucion, i shtohet edhe një forcë ndaj të cilës – këtu u përmend nga Myftiu i nderuar – se kjo ndërtesë nuk ka qenë kështu e rregulluar, por duke iu falënderuar njerëzve bujarë, ata që kanë bujari edhe në dorë edhe në xhep, ata na i zbukurojnë për çdo ditë e më shumë këto lloje ndërtesash, që kanë qenë caku i shkundjes së urrejtjes së madhe të shumë e shumë strukturave politike në këtë vend që kanë kaluar, por nuk kanë arritur që ta zhdukin. Ja, sot e kemi para nesh, ja sot e inaugurojmë në formën më të re dhe me një mualim shumë të fuqishëm, me një muhafiz – Zoti i dhashtë shëndet, jetë, force e energji dhe krejt neve na ka me vete.
Nga ana tjetër, i nderuari Myfti, më lejo që të llogarisë pak në kohë t’ju dëshiroj sukses, përparim, progres, ecje përpara, duke mos ia menduar askujt të keqen, por duke mos ia lejuar askujt që e ka të keqen në vetvete ta mbjellë mbi ne, sepse ajo nuk do t’i lejohet askujt – nuk më intereson si e ka emrin, ama absolutisht s’po më intereson se si e ka emrin.
Desha të them se dje një prej ambasadave më të fuqishme në vend e ka kuptuar se kush e shiti Husamedin-Xhaminë dhe sa u shit dhe në çfarë rrethanash u tjetërsua ajo. Komplet raporti ditën e djeshme u dërgua, kurse unë moti i kam lutur që ata të tërhiqen prej atij hegjemonizmi, prej asaj punës së keqe, mirëpo kanë menduar se jam tendencioz dhe ndoshta më kanë llogaritur se s’jam kurrnjë send. Nuk e di unë; unë ndoshta s’jam, por për ata jam shumë i fortë dhe me ndërmjetësimin e të fortit, unë kam shpresë se ajo ishallah do të na kthehet – ajo ka qenë kështjellë, qendër shekullore historike dhe do të mbetet si e tillë, prandaj unë e lus Allahun fuqiplotë të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë, pa marrë parasysh a i takojnë Islamit ose jo, gjithë ata që e ndihmojnë hakun dhe të vërtetën Zoti t’u japë forcë, Bashkësinë Islame e kanë me vete, mua më kanë në zemër dhe me ata eci përpara.
Ju faleminderit edhe një herë. Na qoftë për hair ky institut dhe dhashtë Zoti të hapim edhe institute të tjera, që do të jenë në interes të popullit e të myslimanëve të këtij nënqielli.
T’ju uroj edhe një herë, Myfti i nderuar: Allahu ju dhashtë force e energji, Zoti e bekoftë këtë popull; ky popull gjithmonë ka qenë mysliman i dëshmuar, me dëshmi të fuqishme islame, por njëherit ka qenë edhe patriot. Pse? Sepse vlerat e identitetit të një populli janë shpirti, feja dhe kombi dhe ne flasim shqip, ne flasim turqisht, ne flasim arabisht, ne jemi myslimanë, por edhe atë gjuhën shqipe, edhe atë turke, edhe atë gjuhë kush çka e flet, nuk ia urrejmë kurrkujt, por tonën nuk ia lejojmë askujt të na e spastrojë.
Allahu na dhashtë forcë dhe energji që të ecim vetëm përpara.
Vesselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu!

(Përgatiti për shtyp: Rexhep Ziberi)

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni