Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Urim Për Natën e Kadrit

Urim
Për Natën e Kadrit

Të dashur besimtarë,
Më lejoni që në emrin tim dhe në emrin e Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut t’ju uroj Natën e Kadrit, të natës më të rëndësishme në fenë islame, të njohur si Lejtetul-kadër (“natë e vlefshme dhe e rëndësishme”) dhe si Lejletun mubareketun (“natë e bekuar”, “natë e dhuratave më të mëdha”). Në këtë natë Allahu (xh. sh.) ka filluar t’i shpall Muhamedit (a. s.), pejgamberit tonë të dashur, Kuranin. Është një nga netët teke të fundit të muajit Ramazan.
Në Kuran ka një sure të tërë (97) që i kushtohet kësaj nate të bekuar, në 5 ajete: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. – E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? – Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj. – Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. – Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.”

Kjo natë është kremte e madhe për të gjithë myslimanët kudo që janë. Është natë me rëndësinë e ditës, me rëndësinë e vitit dhe të shekujve, të njohjes së Krijuesit dhe të çeljes së madhe të besimit islam.

Krahas agjërimit, faljes (makfiretit), mëshirës (rahmetit), në Natën e Kadrit myslimanët fituan Shpalljen e ndritur, e cila erdhi e u shtua, për 23 vjet rresht, aq sa deshi i madhi Zot. Pa këtë njohje kaq fisnike, të ndodhur në Natën e Kadrit, nuk do t’i ishte dhënë lamtumira injorancës, errësirës, adhurimit të idoleve etj. Rendi i ri botëror, rendi islam, nismën e ka pikërisht në këtë Natë të Madhe, prandaj ju ftoj që ta kaloni sa më mirë, me namaz, me përkushtim, me salavate, në emër të Allahut (xh. sh.) dhe të të dërguarit të tij të fundit, Muhamedit (a. s.).

Bota myslimane, sot, si kurrë më parë, ka nevojë për shumë net të Kadrit, për shkak se secili prej nesh njohjen, pranimin, e Allahut (xh. sh.) duhet ta bëjë në kontekst të njohjes së vetvetes, si një shtrirje në dhjetëra, qindra dhe mijëra muaj.

Zoti kabull të gjitha adhurimet që do t’i bëni në emër të Tij!

Me respekt,

Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të RMV

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni