Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Tetova me Qendër Fetare dhe Sociale Islame

Tetova me Qendër Fetare dhe Sociale Islame

Më 15 maj 2019 (10 Ramazan 1440), në organizim të Bashkësisë Fetare Islame – Myftinia e Tetovës, zyrtarisht u bë hapja e Qendrës për Shërbime Fetare dhe Sociale te varrezat e qytetit të Tetovës. Këtë program, të cilin e moderoi dr. Husein Rizai, referent për kulturë në Myftininë e Tetovës, të pranishëm ishin: Reis’ul-Ulema Haxhi Sulejman ef. Rexhepi, Myftiu i Tetovës Qani ef. Nesimi, Kryetarja e Komunës znj. Teuta Arifi, Myftiu i Shkupit Qenan ef. Ismaili, Myftiu i Gostivarit hfz. Shaqir ef. Fetahu, Myftiu i Kumanovës Abidin ef. Imeri, Myftiu i Kërçovës Murat ef. Huseini, Mytiu i Strugës Salim ef. Sulejmani, Myftiu i Dibrës Ramazan ef. Hasa, Myftiu i Ohrit Samet ef. Hajdari, Myftiu i Manastirit Amit ef. Rasimi, Koordinatori i Shtipit Nasir ef. Rexhepi, Koordinatori i Resnjës Xhunejt ef. Jashar, Kryetari i Kuvendit të BFI-së Fadil ef. Ramadani, ish-myftilerët e Tetovës Alifekri ef. Esati dhe hfz. Nexhadi ef. Limani, filantropi i madh shqiptar me përmasa globale z. Lazim Destani, ish-Kryetari i Komunës z. Shaqir Aliti, Kryetari i Komunës së Tearcës z. Isen Asani, Kryetari i Komunës së Zhelinës z. Blerim Sejdiu, Kryetari i Komunës së Bërvenicës z. Enver Pajaziti, Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame prof. dr. Shaban Sulejmani, Dekani i Fakultetit Filozofik të UT-së prof. dr. Ibish Kadriu, Dekani i Fakultetit Pedagogjik të UT-së prof. dr. Fatbi Osmani, profesorë të Universitetit të Tetovës, profesorë të Universitetit të Evropës Juglindore, Koordinatori i Paraleles së Shtrirë të Vajzave në Tetovë Beqir ef. Memeti, anëtarët e Rijasetit, anëtarët e Myftinisë, administratorët e Komunës, kryetarët dhe drejtorët e institucioneve publike, përfaqësues të institucioneve kulturore, arsimore dhe humanitare, profesorë dhe profesoresha të Medresesë Isa Beu, hoxhallarë, mytevelinj, afaristë, studentë, nxënës, nxënëse, mysafirë, përfaqësues të mediave elektronike dhe të shkruara.

Programi u hap me një ashere, të kënduar nga Referenti për arsim fetar në Myftininë e Tetovës hfz. Abdurahim ef. Murati.

Në fjalën e tij Myftiu i Tetovës, Qani ef. Nesimi, përshëndeti të gjithë të pranishmit, duke filluar nga Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, myftilerët, hoxhallarët, këshillat e xhamive, nxënësit, studentët, biznesmenët, të cilëve u shprehu mirënjohje për ndihmën dhe kontributin e dhënë. Mirënjohje të veçantë u shprehu autoriteteve lokale të Komunës së Tetovës, në krye me Kryetaren e Komunës. Në fjalimin përshëndetës, Myftiu theksoi se ndërtimi i objektit ka qenë iniciativë e kamotshme e Myftinisë së Tetovës. Si e këtillë, ka gëzuar përkrahje të fuqishme nga të gjithë besimtarët myslimanë të Tetovës me rrethinë, prandaj ky objekt është kurorëzim i shumë përpjekjeve të njerëzve të devotshëm.

Po ashtu në këtë manifestim fjalë përshëndetëse kishte edhe Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila mes tjerash tha se ‘për atë që arritëm në ditën e sotme, unë dëshiroj të shpreh kënaqësinë time të veçantë; jam jashtëzakonisht e kënaqur që arritëm ta rrumbullakojmë punën në këtë objekt, me të gjitha standardet e nevojshme’.

Ndërkaq, fjalën e rastit e mbajti Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, i cili falënderoi Myftininë e Tetovës, në krye me Myftiun, për këtë organizim të shkëlqyer dhe për këtë moment historik. Ai theksoi se si kryetar i Bashkësisë Fetare Islame çdoherë ka qenë në mbështetje të kësaj Myftinie, por edhe në të ardhmen kjo Myftini do ta ketë përkrahjen e parezervë të tij. Gjithashtu, Haxhi Reisi në shenjë falënderimi i ndau mirënjohje Kryetares së Komunës, Kordinatorit të Paraleles së Shtrirë të Medresesë Isa Beu – Tetovë dhe Myftiut të Tetovës.
Po ashtu Myftiu i Tetovës i dhuroi një plaket edhe Kryetarit të BFI-së, për përkrahjen dhe kontributin e dhënë në ndërtimin e këtij objekti.
Ky objekt në bodrumin e tij në vete ngërthen vendin për përgatitjen e xhenazeve, morgun, depon për ndihma, depon e mjeteve të punës, depon për qefin dhe ponica, vendin për shkrimin e gurëve, vendin për të marrë avdes, dhomat për ngushëllime për gjininë femërore me hyrje të veçantë, si dhe parkingun për makinat e kufomave.

Në përdhes është paraparë dhoma për ngushëllime për gjininë mashkullore, zyrat e administratës së shërbimit të varrimit dhe të punëtorëve fizikë, si dhe një pjesë planifikohet të komercializohet. Të gjitha me hyrje të veçanta.

Pjesa e fundit, përkatësisht kati, do të shërbejë për mbledhje, konferenca, seminare, takime të ndryshme dhe aktivitete tjera fetare-kulturore me kapacitet deri në 300 persona. Në anën tjetër të kësaj salle ekziston pjesa ndihmëse, e cila po ashtu, me një komoditet të theksuar, merr mbi 300 persona. Kjo hapësirë gjithashtu do të shërbejë edhe për takime dhe biseda më të lira dhe jo shumë zyrtare, ku çdo kush ka mundësi që ta shfrytëzojë për ndonjë takim shoqëror apo vëllazëror.

Në fund, Myftinia e Tetovës për mysafirët kishte përgatitur një iftar të begatshëm.

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni