Solemnisht: Fillon viti i ri akademik në FSHI

Solemnisht fillon viti i ri akademik në FSHI

Më 1 tetor, 2019, ka filluar solemnisht viti i ri akademik (2019/2020) në Fakultetin e Shkencave Islame (FSHI) në Shkup, në Kondovë. Kanë qenë të pranishëm Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, ministri i Arsimit dhe i Shkencës (MASH) Arbër Ademi, dekani i FSHI prof. dr. Shaban Sulejmani, myftilerë të Myftinive të BFI-së, kryetari i Kuvendit të BFI-së Fadil ef. Ramadani, drejtori i Medresesë Isa Beu Ibrahim Idrizi, studentë, prindër, nxënës etj.
Manifestimi ka filluar me një pjesë nga Kurani fisnik, ndërsa me fjalë përshëndetëse është paraqitur dekani i FSH-së, prof. dr. Shaban Sulejmani. Ai ka uruar studentët e rinj, duke u dëshiruar punë të mbarë, mësim dhe angazhim, siç ka thënë, “që ta zbardhin fytyrën e vet, por dhe fytyrën tonë, si ummet islam, si shqiptarë”. Vetëm dituria, ka thënë ai, mund të na çojë përpara, në këto sfida të jashtëzakonshme të kohës bashkëkohore.
Para të pranishmëve ka folur edhe ministri i MASH-it z. Arbër Ademi, i cili ka dalë me dy lajme të reja: një, dyfish është shtuar buxheti i FSHI-së nga ana e MASH-it për këtë vit shkollor që po fillojmë; dhe dy, grupet e punës në kuadër të MASH-it e kanë intensifikuar punën dhe janë shumë afër për të marrë vendimin që Medreseja Isa Beu të përfshihet në sistemin arsimor të RMV-së.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i BFI-së, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, falënderoi Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, personalisht ministrin Arbër Ademi, për, siç tha, “këto informata shumë domethënëse, shumë të mirëpritura nga të gjithë qytetarët e fesë islame dhe BFI ministrat e këtillë gjithmonë do t’i mbështet”. Ai u ka bërë apel edhe universiteteve të vendit që t’i pranojnë nxënësit e Medresesë Isa Beu, për shkak se, ka thënë, “procesi i pranimit të diplomave të Shkollës së Mesme Islame është kah fundi”.
Manifestimi i përurimit të vitit të ri akademik është mbyllur me ndarjen e disa indekseve për studentët e rinj dhe me një lexim të një pjese të Kuranit fisnik.

 

Comments are closed.