Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

SHOQATA ILMIJE

Shoqata “Ilmije”, është një asociacion tepër i rëndësishëm i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë dhe ka qenë pjesë përbërëse e këtij institucioni që prej themelimit të saj e deri më sot. Historikisht, Shoqata “Ilmije” në formën dhe rolin që ka sot është themeluar më 5 gusht 1911 në Sarajevë në lokalet e Ulema Mexhlisit, organ më i lartë i Bashkësisë Islame të atëherëshme, mirëpo në mënyrë zyrtare është konstituar në shkurt të vitit 1912. Pas themelimit të kësaj shoqate, menjëherë të gjithë bashkësitë islame në Ballkan në shtetet ku funksionojnë themeluan degët e tyre të Shoqatës “Ilmije”. Shoqata “Ilmije” rrodhi si nevojë e kohës për një organizim më të mirëfilltë dhe është trashëgimtare e grupeve dhe shoqërive të ndryshme që funksionon në kuadër të bashkësive islame në forma dhe mënyra të ndryshme. Qëllimi i themelimit të një shoqatë të këtillë ka qenë më se i nevojshëm. Të mblidhen në një vend të gjithë nënpunësit fetare aktivë si ulema, hoxhallarë, imamë, muteveli, mualimë, hatibë, punëtorë arsimorë të punësuar në institucionet arsimore të BFI, të punësuar në organet dhe trupat e BFI, studentë dhe nxënës të institucioneve islame-arësimorë me të vetmin qëllim që rolin e nënpunësit fetarë ta ngrejnë në piadestal. Imamin ta bëjnë përfaqësues dhe zëdhënës të denjë të shoqërisë islame. Nënpunësit fetarë të jenë të aftë të debatojnë për tema të ndryshme. Imamët të jenë organizator, intermediatorë të shkathët. Të jenë oratorë, mësuesë, trajnerë të mirë dhe multiplikatorë të zellshëm sepse edhe vetë themeluesit e kësaj shoqate e dinin mirë, se një imam i xhamisë është një model, drejtues dhe përfaqësues i komunitetit të tij. Ai është personi kyç kur është fjala për problemet e individëve, familjeve dhe shoqërisë. Bazuar në Kushtetutën e BFI-së së RM-së si dhe organizimin hierarkik të kësaj Bashkësie, Shoqata “Ilmije”, sot është pjesë përbërëse e saj dhe imami është instancë e rëndësishme parësore dhe këtë për arsye se nga ai nivel krijohet lidhja-raporti besimtarë-institucion. Andaj përgjegjësia e imamit është e drejtpërdrejtë dhe në masë të madhe tregues i cilësive të organizimit e të veprimit të këtij institucioni. Ky fakt flet qartë për cilësitë në radhë të parë njerëzore, por edhe profesionale që duhet të ketë imami për të pasur suksese në predikimin e filozofisë e të moralit të fesë Islame, mbështetur në parimet Islame, e në të njëjtën kohë ruajtjen dhe kultivimin e ndjenjës së përgjegjësisë te çdo besimtar si dhe të dinjitetit të BFI-së dhe të komunitetit Islam në përgjithësi. Përveç misionit parësor që ka Shoqata “Ilmije”, situatat, nëpër të cilat kaluam si komb, imponuan angazhimin shumë më të gjithanshëm në interes të lirisë e të progresit dhe kjo u bë me ndërgjegje e vetëdije të lartë si ndjenjë e përgjegjësi qytetare e etnike. Prandaj Shoqata “Ilmije” përvç kësaj angazhohet për botimin e literaturës dhe edicioneve të nevojshme, kryesisht të literaturës profesionale për shfrytëzimin e nëpunësve fetarë, në mënyrë që nëpunësit fetarë, mësimet fetare Islame nga Kur`ani dhe Suneti t`ua përcjellin besimtarëve muslimanë në mënyrë autentike. Po ashtu, kjo shoqatë e cila është një nga asociacionet e Bashkësisë Fetare Islame, angazhohet që për çdo vit të botojë Takvimin, kalendarin dhe imsakijen. Shoqata “Ilmije” sot i ka vendosur vetes këto qëllime;
3. – të mbledhë në anëtarësi nënpunësit fetarë të BFIsë dhe të punojë në zhvillimin e vetëdijes së tyre islame;
4. – të punojë në ngritjen fetaro-arsimore, profesionale dhe intelektuale të anëtarëve; – të kujdeset për aplikim të drejtë të islamit;
5. – të kujdeset për masovizimin e shoqatës dhe të rris bashkëpunimin me shoqata të tjera islame;
6. – të shqyrtojë dhe të jepë mendime për çështjet aktuale dhe aktivitetet e BFI-së;
7. – të botojë litetaturë të ndryshme fetare.