Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

[:al]Ramazani-muaj i Kuranit, muaj kur ndihmohen institucionet ku mësohet Kurani[:]

[:al]Edhe më tej mbetet obligim i ynë i përbashkët, respektivisht obligim i popullatës islame në vendin tonë, që t`i mirëmbajë vatrat e veta edukativo-arsimore islame, duke i dhënë kontributet fetare siç është Zeqati dhe Sadekatul-fitri në fondin e tyre. S`ka dyshim se kontributet e dhëna për mirëmbajtjen e Medresesë Isa Beu dhe Fakultetit të Shkencave Islame janë kontribute që jepen për dobinë dhe interesin e përgjithshëm të popullatës myslimane në vendin tonë.

Shkruan: Irsal JAKUPI

Ramazani është një nga muajt më të dashur të Allahut (xh. sh.), i Cili, duke u nisur nga Dashuria e Madhe ndaj krijesave të Veta, ndaj besimtarëve të vërtetë, nuk i lë ata në duart e shejtanit, nuk i lë që të udhëhiqen nga epshet e tyre, por dëshiron që njerëzit në përgjithësi të jenë të udhëzuar dhe për këtë qëllim, pikërisht në këtë muaj, i ka ndihmuar Pejgamberit (a. s.) në dërgimin e Kuranit, si porosi e fundit, si porosi universale. Andaj, me plot bindje themi se Ramazani është muaj i cili në vete bart shumë të mira për besimtarët e sinqertë, siç është mëshira, shpëtimi, falja, dashuria, shoqërimi, përforcimi i lidhjeve farefisnore, muaj i cili të gjithë neve na edukon dhe na lartëson në vlerat më të larta etike, muaj kur shpirti dhe mendja jonë janë të lidhura me Krijuesin tonë, Allahun e madhërishëm, duke bërë adhurime nga më të ndryshmet.
Shikuar historikisht, Allahu (xh. sh.) te popujt para nesh e obligoi njeriun që gjatë këtij muaj të agjërojë, respektivisht të përmbahet nga konsumimi i pijeve dhe ushqimit, si dhe nga marrëdhëniet bashkëshortore, dhe të ruhet nga veprat e këqija e posaçërisht nga fjalët dhe mendimet e këqija. Ai që agjëron, vërtet agjëron për shkak të asaj që beson në të vetmin Allah (xh. sh.), agjëron nga dashuria për Allahun (xh. sh.) dhe për këtë ky lloj ibadeti është vetëm për Allah dhe se shpërblimi për të është prej Allahut (xh. sh.).
Gjatë këtij muaj, për shkak të rritjes së aktiviteteve fetare, pranisë sonë në shtëpitë e Allahut, për shkak të agjërimit të cilin e bëjmë në emër të Allahut (xh. sh.) dhe për Allahun (xh. sh.) ne jemi të sigurt nën mbrojtjen e mëshirës së Tij dhe atëherë nën rrethanat e tilla mund ta kuptojmë varfërinë, mund t`i kuptojmë nevojat për ndërtimin e themeleve të përbashkëta, të cilat nesër fuqimisht do ta forcojnë imanin në të vetmin Allah (xh. sh.). Pikërisht për këtë Allahu (xh. sh.) na obligon që në fund të Ramazanit të japim Sadakatul-fitër në nevojat e lartpërmendura. Duke u nisur nga fakti se çdo vepër e mirë shpërblehet më shumë gjatë Ramazanit, një pjesë e madhe e myslimanëve zeqatin e pasurisë së tyre e japin në këtë muaj.
Bashkësia Fetare Islame në RM, si organizatë e vetme e organizimit të jetës fetare në vendin tonë, gjithnjë ka qenë në krye të detyrës së saj dhe asnjëherë si institucion nuk e ka tradhtuar parimin e vet bazë, e ai është besimi i sinqertë në të vetmin Allah (xh. sh.) dhe duke qenë besnik në këtë parim, në kuadër të mundësive të veta përpiqet që të sigurojë kushte me të mira për zhvillimin e jetës fetare-islame.
Kësaj gjithnjë e më shumë i kontribuojnë institucionet edukativo-arsimore të BFI-së, shkolla e mesme Medreseja Isa Beu (me katër paralele të shtrira për djem dhe vajza) dhe Fakulteti i Shkencave Islame. Të rikujtojmë se këto dy institucione edukativo-arsimore u lindën si nevojë e domosdoshme e zhvillimit të jetës fetare, dhe të njëjtat në radhë të parë u ndërtuan me sadekatul-fitrin dhe zeqatin e besimtarëve të vendit tonë, të cilët vazhdojnë të japin kontributin e tyre në mirëmbajtjen e tyre, duke u mundësuar që këto dy vatra të arsimimit dhe edukimit islam të punojnë dhe të funksionojnë në mënyrë normale.
Argument për kontributin e këtyre dy institucioneve janë mihrabet dhe minberët e xhamive të vendit dhe diasporës sonë, në të cilët ligjërojnë kuadrot e dala nga bankat e këtyre dy institucioneve edukativo-arsimore. Po ashtu, argument për këtë janë qindra nxënës, nxënëse dhe studentë të tanishëm, të cilët arsimohen në institucionet e lartpërmendura.
Ai i cili mundohet që nga këto mjete të marrë për qëllime tjera, për qëllime vetjake, për interesa lokale, interesa të grupacioneve, praktikisht punon për mbylljen e medreseve në Maqedoni, mbylljen e Fakultetit të Shkencave Islame dhe ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve tjera të zhvillimit të jetës fetare.
Gjatë Ramazanit aktivizohen dhe riaktivizohen shoqata, organizata dhe misionarë të brendshëm dhe të jashtëm, të përkatësisë islame dhe joislame, për të grumbulluar sa më shumë mjete financiare nga të dhënat fetare-islame siç janë sadekatul-fitri dhe zeqati.
Shfaqja, ringjallja dhe aktivizimi i asociacioneve të këtilla në Ramazan, e vë në dyshim “misionin” e tyre proklamues. Dhe, këtu lind dilema se për çfarë interesash punojnë dhe veprojnë “humanistët e Ramazanit”? Gjithsesi, përgjigjja do të ishte për interesa të ngushta vetjake, interesa të cilat, në radhë të parë, parcializojnë dhe dëmtojnë interesin e përgjithshëm të popullatës myslimane të vendit tonë, duke dëmtuar njerëzit në nevojë, si dhe duke dëmtuar burimin financiar të institucioneve arsimore islame në vendin tonë, medresesë “Isa Beu” dhe Fakultetit të Shkencave Islame.
Ndërkaq, inkasimi i kontributeve fetare gjatë këtij muaj nga shkollat-kolegjet komerciale, të cilat s`kanë lidhje me Islamin si dhe fondacionet e jashtme, është një tregim në vete. Metodat dhe mënyrat e tyre perfide, për të qenë sa më të suksesshëm në “korrjen” e sadekatul-fitrit dhe zeqatit, bënë që një pjesë e këtyre kontributeve të derdhen tek asociacionet e vendeve të jashtme.
Pra, edhe më tej mbetet obligimi ynë i përbashkët, respektivisht obligimi i popullatës islame në vendin tonë, e cila edhe i ndërtoi këta dy vatra të dijes, që t`i mirëmbajë duke i dhënë kontributet fetare siç është Zeqati dhe Sadekatul-fitri në fondin e tyre. S`ka dyshim se kontributet e dhëna për mirëmbajtjen e Medresesë Isa Beu dhe Fakultetit të Shkencave Islame janë kontribute që jepen për dobinë dhe interesin e përgjithshëm të popullatës myslimane në vendin tonë.
Me një fjalë, këto dy institucione janë fryt i popullatës sonë. Dhe, ata që kanë investuar në ndërtimin e këtyre dy institucioneve, sot krenohen me rezultatet dhe frytin që po e japin këto dy vatra të arsimimit dhe edukimit islam në zhvillimin e jetës fetare në vendin tonë, duke shkolluar, arsimuar dhe edukuar gjeneratat e reja, të cilat me angazhimet e tyre japin kontribut të çmuar në zhvillimin e jetës fetare – jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjerë.[:]

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni