Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Parakalim i krenarisë apo i pakuptimësisë

Kolumnë

Parakalim i krenarisë apo i pakuptimësisë

Është, thjesht, i pakuptimtë parakalimi që do të mbahet në Shkup nga LGBT. Çfarë zori na paska dynjaja të kuptojë orientimet seksuale të kujtdo qoftë dhe pse këto parakalime konsiderohen nga dikush si shenjë bashkëkohësie-nuk ia kam idenë.

Shkruan: H. Sulejman ef. Rexhepi

Lexova diku se nga fundi i muajit në Shkup do të organizohet Parakalimi i Parë i Krenarisë (Skopje Pride), që në fakt qenka afirmim i kërkesave për realizimin e të drejtave dhe lirive të bashkësisë LGBT. Ky parakalim qenka edhe protestë dhe respekt për të stigmatizuarit për shkak të orientimeve të tyre të ndryshme seksuale. Dhe, dëgjova e lexova shumë komente dhe qëndrime lidhur me këtë parakalim.
Në esencë, jam i rezervuar ndaj parakalimeve në përgjithësi, sepse ato, merre si ta marrësh, paraqesin një lloj provokimi ndaj atyre që nuk janë pjesëmarrës ose nuk e përkrahin parakalimin e një ushtrie, organizate, partie dhe nxitin kërkesa për një kundërparakalim. Pastaj nisin tensionet, nxiten shqetësimet dhe kundërshtimet, debatet kalojnë në ofendime.
Jam tërësisht i vetëdijshëm se ky shkrim do të shkaktojë reagime negative nga ana e atyre që kujdestarojnë në internet dhe i pikasin “homofobët”, që pastaj t’i paraqesin si “njerëz të prapambetur, jodemokratë, përhapës të urrejtjes…” Por, ja që më duhet ta them atë që mendoj lidhur me këtë parakalim.
Pikësëpari, mendoj se në Maqedoninë e Veriut ka një mori problemesh të shtresuara me vite, të cilat kërkojnë zgjidhje dhe përkrahje, të cilat tmerrësisht shumë po vonohen, por askush nuk po organizon “parakalime protestuese” për të sensibilizuar opinionin dhe pushtetin.
Ta zëmë: askush nuk po organizon parakalim në përkrahje të të pastrehëve, të fëmijëve lypsa që po shtohen çdo ditë rrugëve tona, të të varfërve që po jetojnë me ndihmat qesharake sociale që nuk mjaftojnë as për të ushqyer një mace, të bonjakëve, të njerëzve me nevoja të posaçme, të të sëmurëve nga sëmundjet e rënda që s’po mund të sigurojnë ilaçet, të fëmijëve autikë, të familjeve që çdo ditë e më shumë po u drejtohen shtigjeve të pasigurta të emigrimit, të nxënësve që mësojnë nëpër shkolla me kushte mesjetare, të banorëve të getove në të cilat mungojnë kushtet elementare…
Jo, nuk kam lexuar e dëgjuar për parakalime me të cilat, së paku, do t’ia bënin të ditur opinionit se ekzistojnë njerëz të cilëve jeta po iu vështirësohet përpara syve tanë e që po ndihen të lënë e të harruar, të diskriminuar e të stigmatizuar. Po dëgjoj e po lexoj se duheshka të përkrahim njerëzit të cilët paskan orientime të ndryshme seksuale, pra meshkujt të cilëve iu pëlqyeka të dashurojnë meshkuj dhe femrat që dashurojnë femra.
Sidoqoftë, nuk e kam të qartë se çfarë kuptimi ka parakalimi i pjesëtarëve të bashkësisë LGBT, çfarë porosie reflekton dhe çka do të sjellë ai në botëkuptimet e njerëzve heteroseksualë, të cilët preferojnë dashurinë ndaj gjinisë së kundërt. Çfarë do të kuptojmë ne nga ky parakalim në këto kohë të trishta e të stërmbushura me dilema dhe udhëkryqe, në të cilat jemi ndalur si somnambulë dhe nuk po ia qëllojmë drejtimit nga duhet shkuar? Nuk do të kuptojmë shumë, sepse, siç përmenda më lart, janë të shumta hallet të cilave nuk po ua gjejmë çaren. Por, kemi edhe shumë halle të tjera që nuk i përmenda e që janë të lidhura me çështje qenësore të ekzistencës dhe të funksionimit të njeriut në shoqëritë sikur kjo e jona.
Kush me kë do të shkojë në shtrat dhe çfarë preferencash seksuale kanë njerëzit, duhet të mbetet përcaktim i tyre individual dhe s’ka pse bëhen parakalime krenarie lidhur me këtë çështje. Mendoj se në një shtet laik mjafton që pjesëtarët e LGBT të jenë të mbrojtur nga çdo lloj diskriminimi real dhe nga dhuna eventuale mbi ta. Por, njëkohësisht mendoj se edhe të gjithë ata që nuk i përkasin LGBT-së, që besojnë në vlerat fetare e tradicionale të krijimit të familjes mes një burri dhe një gruaje, duhet lirshëm të shprehin qëndrimet e tyre, pa u etiketuar si homofobë dhe përhapës të gjuhës së urrejtjes.

Për të qenë i qartë deri në fund, po e theksoj se të gjitha fetë hyjnore, pra edhe Islami, edhe Krishterimi, edhe Hebraizmi, kanë qëndrim unik kur është në pyetje dashuria brenda gjinisë së njëjtë dhe kategorikisht e vlerësojnë atë dukuri si diçka të panatyrshme, që shkon në kundërshtim të tërësishëm me konceptin hyjnor për krijimin e familjes.

Andaj, për besimtarët dhe për të gjithë njerëzit që kanë botëkuptim tradicional ndaj dashurisë janë të pakuptueshme martesat brenda gjinisë, ndryshimi i gjinisë të cilën njeriut ia ka falur Zoti, adoptimi dhe rritja e fëmijëve nga çiftet e gjinisë së njëjtë. E tërë kjo do të thotë se shumica absolute e njerëzve në Maqedoninë e Veriut, si gjithandej, kanë qëndrim refuzues ndaj parakalimeve të ndryshme të krenarisë që i organizojnë pjesëtarët e LGBT.

Është, thjesht, i pakuptimtë parakalimi që do të mbahet në Shkup, sikundër është i pakuptimtë, ta zëmë, edhe parakalimi i paralajmëruar i heteroseksualëve që duhet të mbahet në Boston, si kundërpërgjigje parakalimeve të LGBT. Çfarë zori na paska dynjaja të kuptojë orientimet seksuale të kujtdo qoftë dhe pse këto parakalime konsiderohen nga dikush si shenjë bashkëkohësie-nuk ia kam idenë.

Dhe, çfarë do të duhet të bëjmë nëse në kërkim të mbrojtjes të të drejtave dhe lirive të njeriut paraqiten në opinion organizata që do të tubojnë rreth vetes zoofilët, sadomazohistët, incestuozët, voajerët, pedofilët, ekzibicionistët, gerontofilët, nekrofilët? Çfarë nëse edhe këta ndihen krenarë për orientimet dhe devijimet e tyre seksuale dhe nisin e organizojnë ‘parakalime krenarie’? A do të duhet edhe ata t’i përkrahim nga frika se do të shpallemi diskriminatorë dhe shkelës të të drejtave dhe lirive të njeriut?

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni