OH Hilal nis aksionin e mëshirës dhe solidaritetit

OH Hilal nis aksionin e mëshirës dhe solidaritetit

Është bërë traditë që me fillimin e muajit të bekuar të Ramazanit, muajit të mëshirës dhe solidaritetit, Organizata Humanitare Hilal e cila funksionon në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedopnisë së Veriut, të organizojë aksione të koordinuara për ndarjen e ndihmave humanitare për familjet skamnore, të pastrehët dhe jetimët. Për këtë vit janë planifikuar mbi 200 tonelata ndihma për këtë qëllim. Ashtu si edhe vitet e kaluara këto aksione mbështeten nga muftinitë e Bashkësisë Fetare Islame në RMV dhe këshillat e xhamiave në tërë vendit, të cilat fillimisht përpilojnë lista të skanorëve dhe më pas ato ndihma shpërndahen sipas këtyre listave në tërë teritorin e vendit tonë.
Që në ditën e parë të muajit të Bekuar të Ramazanit, OH Hilal filloi aksionin humanitar në myftininë e Shkupit, ku gjegjësisht, Kryetari i OH Hilal Mustafa ef. Dauti i dorëzoi 10 tonelata ndihma Myftiut të Myftinisë së Shkupit, Qenan ef. Ismaili.
Me këtë rast Kryetari i OH Hilal Mustafa ef. Dauti falënderoi Drejtorinë e Vakufit të Republikës së Turqisë e cila si çdo vit po bashkëpunon me BFI dhe na dhuron nga 5 mijë pako ndihma humanitare për nevojtarët e kategorive të ndryshme në Maqedoni.
Efendi Dauti më tej shtoi se: “Sot filluam me Shkupin, gjegjësisht myftininë e Shkupit ku ndamë 10 tonelata ndihma. Më pas, gjatë ditëve në vijim, përgjatë tërë muajit të Bekuar të Ramazanit, ne si organizatë këto ndihma do t’i shpërndajmë nëpër të gjitha myftinitë në tërë teritorin e Maqedonisë së Veriut. Njëherit dua të falënderoj Reisul Ulemanë H. Sulejman ef. Rexhepi, që vazhdimisht na jep mbështetje të fuqishme, kurajë dhe vullnet që këto ndihma të shkojnë në vendin e duhur, pra tek skamnorët dhe të gjithë ata që kanë nevojë. Gjithashtu falënderojmë edhe fabrikën e ujit Kozhufçanka, për mbështetjen që na jep çdo vit”.
Nga ana tjetër, Muftiu i Shkupit, mr. Qenan ef. Ismaili falënderoi Organizatën Humanitare Hilal dhe Kryetarin e saj Mustafa Dauti dhe bëri një resume të shkurtër se përse këto ndihma prej 10 ton, janë më se të nevojshme në myftininë e Shkupit. “Duke parë që varfëria po merr hov të madh nëpër popullatën muslimane, kushtet e vështira dhe papunësia e madhe, jemi të bindur se këto ndihma sdo pak do të zbutin varfërinë tek shumë familje skamnore”, tha efendi Ismaili, i cili premtoi transparencë të plotë gjatë shpërndarjes së këtyre ndihmave dhe se garantoi që çdo pako do të shkojë tek ata që kanë më së shumti nevojë.
OH Hilal për këtë muaj të bekuar të Ramazanit ka planifikuar aksione të pandalshme ku do të bëhet shpërndarja e 200 tonelatave ndihma, të cilat kapin një shumë prej 420 000 euro.

Comments are closed.