Nga manifestimi kushtuar Hixhretit 2016

Nga manifestimi kushtuar Hixhretit 2016
Reisul Ulema: Myslimani deri në përfundim të jetës duhet të kryej hixhretin
Me rastin e Vitit të Ri Hixhri 1438 H, Bashkësia Fetare Islame në RM organizoi një manifestim të begatë kulturo-fetar. Salla e Teatrit Kombëtar Maqedonas (MNT) kësaj radhe ishte e ngushtë për t’i përmbledhur të gjithë besimtarët që kishin shprehur dëshirë për ta përcjellë programin e pasur me këndime e interpretime nga kori dhe orkestra e BFI-së që drejtohej nën dirigjimin e mr. Eljesa Asani, por edhe nga intepretuesi me renome ndërkombëtare, Mesut Kurtishi
Pa dyshim që Hixhreti është një nga manifestimet më të rëndësishme për myslimanët anekënd botës, sepse përkujtohet çasti kur myslimanët do të marrin hov në dëshmimin dhe në praktikimin e një feje të re, e një feje të pranueshme në çdo vend e në çdo kohë, në çdo popull e në çdo rasë. Hixhreti ndodhi sepse duheshin kushte më të mira për të hedhur shtat një qytetërim i ri, një botkuptim dhe një qasje më racionale mbi botën dhe mbi jetën.
Tashmë është bërë traditë që në vendin tonë ky manifestim të mbahet nën organizimin e BFI-së dhe nën patronatin e Reisul Ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepi, i cili të pranishmëve do t’iu drejtohet edhe me një fjalë rasti. Fillimisht, të pranishmit do të përshëndeten nga Kryetari i Komunitetit të Myslimanëve të Shqipërisë, H. Skënder ef. Bruçaj si dhe nga Kryemyftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, H. Naim ef. Tërnava, të cilët do të vënë theksin e tyre mbi peshën dhe rëndësinë e Hixhretit. Po ashtu, të pranishmit do të përshëndeten edhe nga doktor Seat Zejneli, i cili publikisht do të falënderojë Reisul Ulemanë, efendi Rexhepin, për kontributoin e palodhshëm të që e jep në sigurimin e bursave për studentë tanë që studiojnë nëpër universitete të ndryshme anekënd botës. Duke i uruar të pranishmit si dhe mbarë popullatën myslimane për shumë mot Gëzuar Vitin e Ri Hixhri, veç tjerash nënvizoi se, bëjmë shumë mirë që mblidhemi dhe, një herë në vit, kshtu, publikisht, përkujtojmë dhe shënojmë një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e mbarë njerëzimit. “Vëllezër e motra, ne sot Përkujtojmë shpërnguljen e Muhamedit s.a.v.s., vulën e pejgambrisë, prej Mekes në Medine! Një frymëzim i shenjtë po e cyste Pejgmberin tonë drejt këtij hapi si veprim kundër analfabetizmit, idhujtarsë dhe robërisë që po mbisundonte anekënd botës deri në atë çast. Në fillim lëshoi rrënjë besimi! Pejgamberi s.a.v.s. kishte besim të plotë se mund t’ia dalë, bashkë me shokë e me familje, për t’iu kundërvënë fenomeneve dhe dukurive që e kishin degraduar njeriun deri në nivelin e kafshës së thjeshtë. Ai kishte besim se do t’ia arrinte që ta përhapë Dritën e së Vërtetës, fjalën e Allahut Fuqiplotë që do të ishte shpëtim për njerëzimin. Po ashtu, ai kishte shumë besim në shokët e vetë se do t’i qëndrojnë besnik dhe do të luftojnë çdo të keqe në rrugën e Allahut. Kishte besim të paluhatshëm në një fitore e cila do të arrihej me shumë mund, humbje e sakrifica të mëdha. Pra, pikërisht për shkak të këtij besimi të çelikosur në zemrën e madhe të Pejgaberit tonë, u urdhërua hixhreti”, ka theksuar Kryetari i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, për të vazhduar më tej: ”Hixhreti, motra e vëllezër, nga këndvështrimet e sotshme duhet të kuptohet si gurthemel i dritës së njerëzimit, si pikënisje e intelegjencës së shëndoshë të njeriut, si shtyllë e lirive dhe të drejtave të njeriut si qenie më e përsosur e Krijuesit të Gjithësisë; duhet kuptuar si bazament të një feje e cila po i shpallej mbarë njerzimit, pa dallim përkatësie etnike, racore, gjuhësore, kulturore, sociale e gjinore, siç është feja jonë islame.
Falë Hixhretit u hodhën themelet e shtetit të mirëfilltë islam, të mbështetur në parimet e shenjta, u ngritën institucionet shtetërore, ushtarake, të sigurisë, u ngrit koncepti social më njerëzor dhe i paparë deri në atë kohë.
Hixhret do të thotë heqje dorë nga të mirat e kësaj bote, heqje dorë nga pasuria personale e familjare, heqje dorë nga shtëpia, nga oborri, nga vendbanimi, vetëm e vetëm për t’i eliminuar të gjitha barrierat e paimagjinueshme në rrugën e Allahut xh.sh. Pa dyshim, kjo sakrificë do të shpërblehet, këtë e garanton edhe Zoti ynë në ajetin që e citova që në krye të këtij fjalimi: “Për ata ka falje dhe shpërblim fisnik””, tha para të pranishmëve efendi Rexhepi ndërsa në vazhdim shpalosi edhe dimensionin tjetër të hixhretit, atë të shpirtërores. ”Më lejoni që në vazhdim të nënvizoj edhe një çështje trjetër, fenomenin e hixhretit nën thjerrzën e sotshme. A ka marrur fund hixhreti i myslimanëve me shpërnguljen e Muhamedit s.a.v.s. me shokët e vet dhe me gjenertën e parë që pranuan islamin, të cilët kaluan nga Meka në Medine? Vëllezër e motra, më sipër vumë në spikamë vetëm hixhretin që është kryer me qëllim të shenjtë, folëm për hixhretin i cili asnjehere nuk u përsërit dhe që kurrë më nuk mund të përsëritet. Megjithatë, në ajete kuranore dhe në hadithe të Muhamedit a.s. kërkohet të ndodhë si fenomen, si proces.
Allahu xh.sh. në Kuranin Famëlartë thotë: “Është e vërtetë se ata që besuan, u shpërngulën dhe luftuan me pasurinë e shpirtin e tyre në rrugën e Allahut, dhe ata që strehuan (të shpërngulurit) dhe u ndihmuan, të tillët janë miq të njëri-tjetrit (në ndihmë dhe në trashëgim). Ata që besuan por nuk u shpërngulën, ju nuk keni përkujdes as ndihmë për ta derisa të shpërngulen edhe ata. …”. (El-Enfal: 72).
Për çfarë shpërngulje bëhet fjalë këtu? A obligohen që të gjithë myslimanët ta kryejnë këtë shpërngulje nga Meka në Medine, siç u shpërngulën të parët e fesë sonë islame?
Në Sahiun e vet Nesaiu sjell këtë hadith të Muhamedit s.a.v.s. i cili ka thënë: “Unë i garantoj shtëpi në mes të xhenetit dhe në brendësi të xhenetit, ati që më ka besuar, ka hyrë në Islam dhe ka bërë hixhret”.
Si nga ajeti i cituar më sipër po ashtu dhe nga ky hadith i Muhamedit s.a.v.s. shohim që myslimanët gjithmonë, përjetë, në çdo kohë, deri në përfundim të jetës në këtë botë, duhet të kryej hixhretin. Natyrisht, këtu kemi të bëjmë me porosi të shenjta për hixhretin e përjetshëm që është obligim për myslimanin – për hixhretin shpirtëror.
Sot, si dje, myslimani që i ka besuar Muhmedit s.a.v.s., do me thënë, që e shqipton Dëshminë e shenjtë, që sakrifikohet në rrugën e Krijuesit të vet, duhet të jetë në hixhret permanent. Ky hixhret permanent është ai hixhret shpirtëror i cili i jep peshë, kuptim dhe madhështi hixhretit të parë fizik të myslimanëve, të cilët, për pak vite, prej dhjetra arritën të bëhen miliona dhe sot numërohemi në miliarda. Asnjë feje, asnjë ideologjie, asnjë lëvizje shoqërore nuk i shkoi ndorësh kaq fuqishëm sa fesë islame që të përhapet në paqe e me nektarin e fjalës së shpirtit. Nuk i ndodhi asnjë diktatori në botë, asnjë force dhe superfuqie që të përhapet kaq shumë, të ketë kaq ithtarë dhe të mbijetojë e të forcohet fuqishëm pas vdekjes së prijsit të parë! Kjo i ndodhi Muhamedit a.s. dhe fesë islame, sepse, ai ishte i Dërguari i Allahut xh.sh. kurse feja islame ishte sistem i vetë Krijuesit për të gjitha krijesat e tij.
Pas hixhretit fizik, hixhreti shpirtror u bë obligim për të gjithë myslimanët, në çdo kohë dhe në çdo vend. Në çka konsiston ky hixhret shpitëror? Sot, duke ikur nga e keqja, duke u shmangur nga e pamoralshmja, duke dëbuar nga vetja çdo përpjekje që nuk i përket fesë islame, duke e mbrojtur fenë nga zullumqarët, nga manipulantët që bëjnë mijëra veprime antihumane në emër të islamit, duke i zhveshur munafikët, duke i nxjerrë në sipërfaqe tradhëtarët, keqbërësit dhe prototipet e vetë djallit, me këto përpjekje në fakt ne kemi dëshmuar se besojmë, se luftojmë denjësisht në rrugën e Allahut dhe se jemi të gatshëm që këtë formë të hixhretit ta përsërisim natë e ditë, deri në frymën tonë të fundit. Zot, mos na ndaj kurrë nga ky hixhret shpirtëror, dhe mos na lë të devijojmë nga rruga e mirësisë, dashurisë, paqes, nga rruga e së vërtetës së përjetshme. Amin!”, ka përfunduar Reisul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi.
Tashmë është bërë traditë që, pikërisht në kapërcyell të Vitit të Ri Hixhri, gjatë manifestimit për shënimin e kësaj date të shenjtë, BFI t’i dekorojë me “pllaketë të artë”, me mirënjohje të veçantë, ata më meritorët, qoftë me biografi të pasur nga sfera fetare, qoftë edhe për shkak të kontributit të pamohueshëm në avancimin e jetës fetare islame në vend. Me këtë rast, Kryetari i BFI-së me pllaketën e artë “Myfti Vehbi Dibra” dekoroi Ibrahim Ismaili, ish-nxënës i Medresesë “Isa Beu”, Adem Abdullahu, afarist dhe humanist i dalluar, H. Haki ef. Agushi, Kryetar aktual i Kuvendit të BFI-së.
Vlenë të nënvizojmë se, po në këtë manifestim ndahen edhe diplomat për ruajtësit e Kuranit të Shenjtë, për hafëzlerët e rinj që kanë dalur në mes të dy manifstimeve kushtuar kësaj ngjarje madhështore.
hixhri1

hixhri2

hixhri3

hixhri4

hixhri5

hixhri6

hixhri7

hixhri8

hixhri9

hixhri10

hixhri11

hixhri12

hixhri18

hixhri19

hixhri20

hixhri21

hixhri22

Comments are closed.