Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

[:al]Ndikimi i agjërimit në edukimin moral dhe shoqëror të myslimanit[:]

[:al]Agjërimi është një prej adhurimeve më të rëndësishme në jetën e besimtarit. Ai ka ndikim pozitiv dhe të gjithanshëm për njeriun: shpirtëror, moral, shoqëror, shëndetësor etj. Në anën tjetër, dobitë e agjërimit janë të shumta, qoftë në aspektin individual apo kolektiv.  Në këtë artikull do të theksojmë vetëm disa nga dobitë morale dhe shoqërore që i sjell agjërimi myslimanit.

 

Shkruan: Dr. Naser RAMADANI

Islami është fe e kompletuar. Ai në brendinë e tij ngërthen besimin, adhurimin dhe sjelljen. Që të tre këto elemente janë të ndërlidhura ndërmjet vete. Ndonëse në mesin e këtyre elementeve çështja e besimit është më e rëndësishmja, ngase pa te nuk ka vlerë as adhurimi e as sjellja, duhet theksuar se adhurimi dhe sjellja e mirë e ruajnë dhe e shtojnë edhe më shumë besimin e individit.

Për këtë arsye vërejmë se Islami ka obliguar ithtarët e vet me një sërë adhurimesh, qoftë në mënyrë individuale apo kolektive, siç janë: namazi, zeqati, agjërimi, haxhi, bamirësia etj. Adhurimet në Islam kanë një ndikim të madh në edukimin shpirtëror, moralo-etik dhe shoqëror dhe ruajnë lidhshmërinë në mënyrë kontinuitive mes njeriut dhe Krijuesit të tij. Përveç kësaj, adhurimet në Islam japin një mundësi shumë të madhe për të krijuar raporte të mira mes individit dhe shoqërisë.

Në mesin e ibadeteve, rol shumë të rëndësishëm në jetën e besimtarit ka edhe agjërimi. Vlera dhe rëndësia e agjërimit është vërtetuar me ajete kuranore dhe shumë hadithe të Muhamedit (alejhis-selam).

Agjërimi është një prej adhurimeve më të rëndësishme në jetën e besimtarit. Ai ka ndikim pozitiv dhe të gjithanshëm për njeriun: shpirtëror, moral, shoqëror, shëndetësor etj. Në anën tjetër, dobitë e agjërimit janë të shumta, qoftë në aspektin individual apo kolektiv.  Në këtë artikull do të theksojmë vetëm disa nga dobitë morale dhe shoqërore që i sjell agjërimi myslimanit.  

aspektin moral, mund të thuhet se agjërimi është një shkollë e kompletuar,  që ka për qëllim edukimin e njeriut. Agjërimi e edukon besimtarin që të jetë i devotshëm, i sinqertë, i durueshëm, i përpiktë dhe preciz, i vullnetshëm, i turpshëm, i vendosur në qëndrimet e veta, i kujdesshëm në zbatimin e premtimeve, në kryerjen e amaneteve etj.

Devotshmëria është një veti shumë e rëndësishme e besimtarit. Kjo veti, krahas ibadeteve të ndryshme, në mënyrë të veçantë mund të përfitohet me anë të agjërimit. Bile,  thënë troç, devotshmëria është motivi kryesor për shkak të të cilit edhe është bërë obligim agjërimi. Allahu i madhërishëm në Kuranin famëlartë thotë: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (El Bakare: 183)

Krahas devotshmërisë, veti morale shumë me rëndësi është edhe sinqeriteti. Agjërimi e edukon besimtarin të jetë i sinqertë në gjitha veprimet e tij, t’i përkushtohet dhe t’i nënshtrohet tërësisht Krijuesit të tij. Muhamedi (alejhis-selam) thotë: “Kush agjëron Ramazanin me bindje të plotë duke lënë llogarinë tek Allahu, do t’i falen atij mëkatet.” Agjërimi e edukon besimtarin të jetë i sinqertë edhe me gjithë njerëzit, në fjalë, sjellje dhe vepra.

Durimi është njëra nga vetitë morale më të rëndësishme të besimtarit. Agjërimi e edukon individin të jetë i durueshëm ndaj ibadeteve të ndryshme, ndaj mëkateve dhe të jetë i durueshëm ndaj sprovave të jetës. Për këtë, Muhamedi (alejhis-selam) thotë: “Ramazani është muaj i durimit, ndërsa shpërblimi i durimit është xheneti.”

Përpikëria dhe preciziteti janë veti morale të rëndësishme për besimtarin. Agjërimi e edukon besimtarin të pajiset me këtë veti. Çdo gjë në agjërim kërkon përpikëri dhe precizitet. Që nga syfyri e deri në iftar,  çdo gjë është e programuar dhe me kohë të caktuar. Ndonëse kjo veti gjatë agjërimit kryesisht ka të bëjë me kryerjen e ibadeteve të ndryshme, mirëpo ajo mund të merret si mësim edhe për çështjet e përditshme dhe veprimet e njeriut në raport me të tjerët.

Vullneti është veti tjetër morale e rëndësishme. Agjërimi i jep besimtarit vullnet dhe shpresë për punë. Ai është aktiv në kryerjen e obligimeve fetare dhe i jep atij një energji shpirtërore. Njeriu i cili ka vullnet në jetë, është i suksesshëm në realizimin e synimeve të tij.

Turpi është tjetër veti morale e besimtarit. Agjërimi e edukon besimtarin të jetë i turpshëm, ngase e ndalon atë të bëjë çdo gjë që nuk është e moralshme,  si p.sh. përdorimi i fjalëve të këqija, përgojimi, shpifja, shikimi në haram etj. Në lidhje me këtë, Muhamedi (alejhis-selam) thotë: “Kush nuk e braktis gënjeshtrën dhe veprimin me të, nuk ka nevojë ta braktisë hajen dhe pijen.” Po ashtu thotë: “Nëse agjëruesin ndokush e shan ose e ofendon, ai le të thotë: Jam agjërueshëm”.

Vendosmëria në qëndrime është veti morale shumë e rëndësishme. Agjërimi kultivon te njeriu vetinë e vendosmërisë, ngase ai për të hequr dorë nga haja dhe pija orë të tëra,  patjetër duhet të jetë i vendosur në këtë çështje. Kjo veti i mundëson njeriut të jetë i suksesshëm në jetën e tij, ngase jeta është përplot e mbushur me sfida, andaj për tejkalimin e tyre kërkohet vendosmëri, gjë e cila kultivohet me anë të agjërimit.

aspektin shoqëror, shihet qartë se agjërimi i Ramazanit sjell dobi të shumta. Prej dobive shoqërore veçojmë: dashuria mes njerëzve, ruajtja e unitetit, garimi për vepra të mira, bamirësia ndaj prindërve, të afërmve dhe gjithë njerëzve, solidariteti social, drejtësia dhe barabarësia, ngritja e vetëdijes, arsimimi dhe edukimi i njerëzve etj.

Dashuria mes njerëzve, në veçanti mes besimtarëve është veti shoqërore shumë e rëndësishme. Agjërimi i Ramazanit ka një rol vendimtar në këtë çështje. Gjatë Ramazanit shtohet dashuria mes tyre. Janë më afër njëri-tjetrit me biseda, me vizita, me ndihma dhe me çështje të tjera.

Ruajtja e unitetit mes myslimanëve është urdhër kuranor dhe parim i rëndësishëm islam. Agjërimi i Ramazanit ndikon fuqishëm në ruajtjen e tij, ngase të gjithë myslimanët kudo që gjenden,  në gjithë botën,  agjërojnë bashkërisht. Është obligim që fillon në ditën dhe në kohën e caktuar, si dhe përfundon në ditën dhe në kohën e caktuar, gjë e cila ndihmon fuqishëm në ruajtjen e unitetit.

Veti tjetër shoqërore është edhe garimi për vepra të mira. Çdo vepër që e realizon besimtari, ajo e ka shpërblimin e shumëfishuar në Ramazan. Muhamedi (alejhis-selam) në lidhje me këtë çështje thotë: “Kush kryen një farz gjatë Ramazanit,  llogaritet sikur të kishte kryer shtatëdhjetë farze jashtë tij; dhe kush kryen një nafile gjatë Ramazanit,  llogaritet sikur të kishte kryer një farz jashtë tij.” Në hadith kudsij, Allahu i madhërishëm thotë: “Agjërimi është për mua dhe unë shpërblej për të”.

Bamirësia ndaj prindërve, të afërmve dhe të tjerëve është veti shoqërore shumë e rëndësishme. Kjo veti prej besimtarit kërkohet në të gjitha kohërat, mirëpo në Ramazan shtohet edhe më shumë. Kjo shihet qartë me anë të vizitave të ndryshme, me anë të ftesave për iftare dhe forma të tjera.

Solidariteti social shihet qartë në Ramazan. Besimtarët e shtrijnë dorën e ndihmës për të varfrit dhe nevojtarët, qoftë me anë të zeqatit dhe sadekatul-fitrit apo me ndihma të tjera vullnetare.

Prej dobive të agjërimit është edhe barabarësia mes gjithë njerëzve, mes të pasurve dhe të varfërve, mes meshkujve dhe femrave, mes të shkolluarve dhe të pashkolluarve. Agjërimi në mënyrë praktike i bën agjëruesit të ndjejnë se vëllazëria e vërtetë  dhe dashuria e sinqertë është kur të gjithë ndjehen të barabartë, gjë e cila në mënyrë praktike realizohet në agjërim.

Ngritja e vetëdijes me arsimim dhe edukim. Në Ramazan janë shumë aktive xhamitë, qoftë me anë të faljes së namazit me xhemat apo me anë të ligjëratave të ndryshme që ofrojnë ligjëruesit islamë. Ligjëratat e ndryshme në xhami, në mjetet e informimit, në rrjetet sociale dhe në mexhlise të ndryshme, si dhe falja e namazit me xhemat,  ndikojnë fuqishëm në ngritjen e vetëdijes në fushën e edukatës dhe humanizmit. Besimtarët në Ramazan janë më të edukuar, më human dhe më solidarë.

Po qe se agjërimi realizohet ashtu siç kërkon Kurani dhe sunneti i Muhamedit (alejhis-selam); domethënë me bindje se është obligim hyjnor, e jo në formë të traditës, atëherë ai do të sjellë dobi të shumta në mënyrë individuale dhe kolektive.

Agjërimi do të ketë këtë ndikim tek individi po qe se ai realizohet duke i zbatuar të gjitha dispozitat e theksuara në Kuranin famëlartë dhe në sunnetin e Pejgamberit (alejhis-selam). Andaj,  me të drejtë mund të thuhet se muaji Ramazan dhe agjërimi i tij është një shkollë edukative dhe arsimore së cilës duhet kushtuar një kujdes të veçantë. Është një rast shumë i volitshëm për individin që të kthehet tek Zoti i tij. Të kthehet në pozitën që duhet të jetë ai: qenie e dobishme për veten, për familjen, për popullin e tij dhe për mbarë njerëzimin.[:]

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni