Mesazhi i Kurban-Bajramit 2019 (1440) nga Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut percjellur nga Dekani i Fakultetit te Shkencave Islame Prof. Dr. Shaban ef. Sulejmani

Mesazhi i Kurban-Bajramit 2019 (1440) nga Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut percjellur nga Dekani i Fakultetit te Shkencave Islame Prof. Dr. Shaban ef. Sulejmani

Të dashur besimtarë, vëllezër e motra, miq e dashamirë!
Sot është ditë feste, është ditë e Kurban Bajramit, është ditë që ngërthen në vehte kushtin e pestë islam haxhxhin, e ngërthen therrjen e kurbanit si simbol të gadishmërisë të çdo muslimani që të flijojë edhe më të shtrenjtën për të dëshmuar bindjen e vetë se Allahu është Një, është Sundimtar i Vetëm i të gjitha botërave. Por, Kurban Bajrami është edhe festë e dashurisë dhe mirëkuptimit mes besimtarëve, është rast që të bëhemi të gjithë një, pikërisht siç janë bërë një me miliona muslimanë me haxhinjtë tanë që për momentin po qëndrojnë në tokën e shenjtë islame.Duke e festuar këtë Kurban Bajram, natyrisht që zemra dhe mendja jonë janë me haxhilerët nga Maqedonia ndër të cilët kemi edhe prindërit tanë, vëllezërit e motrat, djemt e vajzat tona. Institucioni i Bashkësisë Islame është në vazhdimësi në lidhje të drejtëpërdrejtë me të gjithë ata dhe përkujdeset për shëndetin e tyre dhe kryerjen e sukseshëm e të drejtë të këtij kushti të Islamit. Elhamdulilah, ata të gjithë janë shëndoshë e mirë dhe po bëjnë një haxhxh që sivjet është i veçantë për kushtet që po ju ofrohen. Po i presim me padurim dhe gëzim. Mirëpo, vëllezër e motra, në këtë ditë të veçantë për ne, me ose pa dashje, po vërehet një hije e pakënaqësisë që po prek në ndjenjat tona më fisnike. Këtë Kurban Bajram ne po e festojmë në një atmosferë zymtësie që po e kaplon vendin tonë dhe detyrimisht po reflekton edhe mbi besimtarët muslimanë. Shqetësimet dhe paqartësitë politike po ndikojnë në jetën tonë, kriminaliteti dhe korupcioni evident po ndjellin pasiguri te njeriu i rëndomtë, gjendja ekonomike po vështirësohet dhe varfëria po i godet pikërisht ata që janë në situatë më të rëndë. Si pasojë e këtij ambienti dhe kësaj atmosfere, rinia jonë po largohet nga vendi në kërkim të një jete më të mirë, anipse është e vetëdijshme se gurri peshon në vendin e vetë. Druaj, vëllezër e motra, se bajramet tona në të ardhmen do i festojmë me gjithnjë e më pak bijë e bija tonat. Ky Kurban Bajram në të cilin ne po e dëshmojmë besimin në Zot dhe bindjen tonë se vetëm të bashkuar do ia dalim të vendosim rregullin aq të nevojshëm në jetën tonë, le të jetë edhe një thirrje faktorit tonë politik që të reflektojë lidhur me problemet e vështirësitë që po na mundojnë. Allahu xh.sh. qoftë me popullin tonë në këto ditë sprovash në të cilat lutjet tona i drejtohen vetëm Krijuesit që thotë në suren 186 të sures Bekare të Kuranit Famëlartë: “Kur robërit e Mi besimtarë të pyesin për Mua, thuaju se Unë jam afër, u përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” Të nderuar besimtarë, vëllezër e motra, shqiptarë e turqë, boshnjakë, torbeshë e romë,fortë të dashur e të respektuar pjesëtarë të diasporës tonë që përherë po ndani me ne hallet dhe brengat: E gëzofshit këtë Bajram dhe shumë Bajrama të tjerë me familjet e juaja, me më të dashurit e juaj, me miq e shokë, me fqinjë. Mëshira e Allahut xh.sh. qoftë mbi ju dhe mbi të gjithë ne dhe na përcjelltë në rrugën dhe përpjekjet tona për të ecur shtigjeve të besimit e dashurisë, mirëkuptimit e tolerancës që do përfshijnë edhe të gjithë bashkëqytetarët tanë të përkatësive të tjera fetare e kombëtare. Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ju vëllezër e motra në këtë ditë të Kurban Bajramit dhe ua pranoftë ibadetet e juaja të sinqerta, kurse haxhinjëve tanë të shtrenjtë e të nderuar që sivjet e thyen rekordin me masovitetin me të cilin iu bashkangjitën karvanit të dashurisë dhe besimit. Krijuesi ynë ua bëftë kabull haxhin dhe kurbanët e tyre. Qofshit të gëzuar vëllezër e motra, bindja ndaj Allahut xh.sh. dhe drita e besimit islam le të ndriçojnë gjithmonë zemrat tona!

Comments are closed.