Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Kolumnë: Nuk ndalet arsimi shqip

Kolumnë
Nuk ndalet arsimi shqip

Më lehtë thyhet një atom se një paragjykim( Albert Ajnshtajn)
Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Asnjë trashëgimi që dikush e ka lënë dhe asnjë trashëgimi që ne do ua lëmë gjeneratave të ardhme nuk ësëhtë më e vlefshme se arsimimi i vetvehtes, i familjes, i gjeneratave të ardhme.Sepse, sa më shumë që arsimohemi dhe ndihmojmë arsimimin e të tjerëve, ne në fakt e fisnikërojmë vehten, familjen, popullin.Duke u mbështetur tërësisht në vlerën dhe rëndësinë që Islami ia kushton arsimit dhe diturisë, unë thellë besoj në këto qëndrime.
Por, qëndrimet e përmendura, kuptohet, nuk janë individuale, ato janë qëndrime dominuese ndër shqiptarët e këtushëm, fakt ky i cili paraqet garancë se arsimi shqip dhe arsimimi i shqiptarëve nuk mund të ndalet, ai vetëm mund të avancohet pa limite, pa kurfarë kufizimesh.
Për këtë shkak, janë të neveritshme dhe tej mase irituese përpjekjet e disa bashkëqytetarëve tanë joshqiptarë që me dofarë ndërkëmbëza bajate të pengojnë nxënësit shqiptarë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.E kam fjalën për një njohtim që qarkulloi këtyre ditëve nëpër rrjetet sociale me të cilin banorët e një fshati të Shkupit njohtojnë se do të protestuakan kundër hapjes së një paraleles në gjuhën shqipe në shkollën e fshatit. Për më tepër, ata, duke ftuar në protesta sa më shumë njerëz, paskan vendosur që në ditën e protestave mësimi në shkollë të pezullohet.
Pra, prindërit të cilët qartësisht janë të ndikuar nga politika të caktuara nacionaliste e shoveniste, në kërkesat e tyre të papërmbajtura do të involvojnë edhe fëmijët e vetë, pra nxënësit maqedonas të asaj shkolle fillore. Dhe, cfarë do jetë porosia nga kjo protestë të cilën do e pranojnë fëmijtë maqedonas ?
Jo shkolla shqipe, jo arsim shqip – kjo do jetë porosia që fëmijtë maqedonas do i marrin nga prindërit e tyre të hallakatur në ujërat e urrejtjes së tyre patologjike ndaj cdo gjëje dhe ndaj cdokujt që nuk është sikur ata, që flet gjuhë tjetër, që ka besim tjetër dhe kulturë tjetër.
Anipse dëshiroj të vetëpërmbahem nga konstatimet e nxituara, më duhet të them se është perversitet i skajshëm kur dikush i mëson fëmijtë e vetë që të urrejnë shokun sepse është shqiptar, sepse dëshiron të mësojë shqip e të flet shqip. Ky, për mendimin tim, është filli i indoktrinimit të rinisë me ide nacionaliste e shoveniste, këtu fillon dhe pastaj zhvillohet si kancer i shoqërisë qëndrimi mohues ndaj tjetrit, ndaj të ndryshmit nga vehtja. Edukata në familje dhe qëndrimi i prindërve, dihet mirëfilli, krijojnë gjurmë në vetëdijen e fëmijëve.
Një edukatë e këtillë dhe shembulli i përmendur prodhojnë njerëz që nesër do i bashkangjiten turmave që kërkojnë “vdekje për shqiptarët dhe dhoma gasi për shqiptarët” , të bindur se “vetëm shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë”. Jam i sigurtë se kështu disi, pra duke mësuar nga prindërit se moshatarët e tyre nuk duhet të mësojnë në gjuhën e vetë, janë formuar edhe këta njerëz të cilët sot po bëjnë c’mos për të penguar zbatimin e Ligjit për gjuhën shqipe, këta që po bojkotojnë e po sabotojnë mbishkrimet dhe tabelat shqipe të cilat ligjërisht janë të obliguar ti vendosin.
Sidoqoftë,nuk mendoj se problemet e këtij lloji mund të zgjidhen në të njejtën mënyrë sic janë krijuar, ato duhet të zgjidhen me mencuri dhe kujdes të shtuar. Po cfarë do ndodhë ndërkohë me arsimin dhe arsimimin e shqiptarëve, do thoni ju. Do ndodhë ajo që ka filluar të ndodhë, shqiptarët do i shpërthejnë të gjitha limitet drejtë arsimit sa më kualitativ!

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni