Kampi i Çegranit 1999-2019: 20 vjet nga eksodi kosovar

Kampi i Çegranit 1999-2019: 20 vjet nga eksodi kosovar

Më 20 korrik, 2019, është mbajtur në Çegran të Gostivarit manifestimi përkujtimor “Kampi i Çegranit: 20 vjet nga eksodi kosovar”. Në të ka marrë pjesë edhe Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, bashkë me myftinjtë e Gostivarit, të Shkupit dhe të Kërçovës.
Me këtë rast janë vizituar varrezat e vëllezërve kosovarë në Çegran dhe në Forinë, të atyre refugjatëve që kanë humbur jetën gjatë eksodit të madh të lirisë. Në varrezat e tyre në këto dy fshatra janë vënë pllaka të reja përkujtimore në nderim të tyre.
Në vazhdim, në Çegran është mbajtur një panel diskutues me profesorë universitarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët kanë diskutuar rreth temës “Drama kosovare më 1999 dhe sfidat e pasluftës”. Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi aty është paraqitur me kumtesën me titull ”Shpërngulje për Liri”. Pas nesh janë 20 vjet nga Kampi i Çegranit. Kur u bënë kaq vjet?! – ka pyetur Kryetari i BFI-së, h. Sulejman ef. Rexhepi dhe ka shtuar:
Gjithçka më duket si sot: Gjithë ata fëmijë, gjithë ato gra, gjithë ata pleq të shpërngulur me dhunë nga vatrat e tyre, nga Kosova, u vendosën këtu, në Çegranin e Gostivarit, për të shpëtuar kokën nga regjimi gjakatar serb i Sllobodan Millosheviqit. Ishin mbi 60 mijë, krahas shumë të tjerëve që ishin vendosur nëpër familjet tona në Gostivar, Tetovë, Shkup, Kumanovë, Kërçovë, Strugë etj.

Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë (së Veriut) në atë kohë ka qenë e angazhuar që nga Bllaca e deri në çdo familje, në çdo kamp refugjatësh (Stenkovec, Bojanë etj.) për një trohë bukë për këta njerëz të shpërngulur për Liri, për pak ujë për të gjithë ata fatkeq të cilët shpëtimin e qenies fizike e kishin kërkuar ngushtë të lidhur me Zotin e madhërishëm.

Tërë operativa e BFI-së, i madh e i vogël, kanë pasur veç një qëllim: për çdo refugjat të sigurohet ndihma e nevojshme. Në sytë e tyre ne kemi parë dhimbjen, kemi parë tmerrin nga vrasjet barbare që kanë bërë ushtarët serbë dhe forcat e tyre paramilitare gjithandej Kosovës martire. Të gjithë ata jetuan këtu deri sa hynë forcat e NATO-s me ankthin e njerëzve që mbetën andej kufirit, të të afërmve të tyre që luftonin krah për krah UÇK-së dhe forcave liridashëse, dhe të vetmen lidhje e kishin përmes hënës që ndriçonte natën vonë deri sa ata i thanin plagët.

Në suren En-Nahl, në ajetet 41-42, thuhet: “Ata që, pasi vuajtën të shtypur, u shpërngulën për hir të Allahut, Ne do t’i vendosim në vendbanime të mira në këtë botë. Natyrisht, shpërblimi që i pret në botën tjetër (Xheneti), është edhe më i madh. Ah! Sikur ta dinin ata! (Xheneti është për) ata që kanë duruar dhe janë mbështetur në Zotin e tyre.”

Kosova sot, 20 vjet pas eksodit të madh, është shtet më vete, është e pavarur dhe refugjatët e dikurshëm janë sovranët e ngritjes së saj politike, ekonomike, sociale, arsimore, fetare etj. Këtë e ka bërë sabri i madh, durimi i papërshkrueshëm, besimi i paluhatshëm tek i madhi Zot.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i të gjithë atyre që kanë kaluar rrugës së Lirisë në Kampin e Çegranit! – ka thënë në fund Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Comments are closed.