Intervistë me Reisul Ulemanë e BFI, h. Sulejman ef. Rexhepi – religija.mk

Intervistë me Reisul Ulemanë e BFI, h. Sulejman ef. Rexhepi

 

Uniteti na bën më të fortë

 

  1. Moti që shkoi ishte një vit në të cilin ndodhën eskalime në Bashkësinë Fetare Islame, kishte një përpjekje përmbysjeje, pastaj punët u qetësuan. Si është gjendja tani në BFI, si e vlerësoni ju vitin 2015 nga pikëpamja e suksesit për Bashkësinë Fetare Islame?

 

Vitin 2015 unë nuk e mbaj mend për tentimin për përmbysje, por e mbaj mend për unitetin e besimtarëve myslimanë me BFI-në dhe me përfaqësuesit e saj, me zyrtarët e saj, me imamët të cilët qëndruan fort në anën e të vërtetës dhe të interesave të vërtetë të Islamit. Ajo përpjekje për “goditje”, siç e quani ju, e që unë dhe të gjithë ne në Bashkësinë Fetare Islame e kemi harruar  ashtu siç i kemi harruar edhe iniciatorët e asaj përpjekjeje për t’u destabilizuar institucioni i vetëm i myslimanëve në Maqedoni. Njerëz të tillë kaherë ka pasur dhe do të ketë në shoqërinë tonë, por unë i llogaris vetëm si të margjinalizuar,  të cilët nuk kanë sukses t’i realizojnë synimet e veta në kuadër të institucioneve për shkak të paaftësisë dhe të mosdijes së tyre. Atëherë kur njerëz të paaftë dhe të paditur do të tubohen në një grumbull,  dhe atëherë kur ata dukshëm janë bashkë me krimin dhe me djallin, ndodhin “goditje” por, për fat, asnjëherë nuk ia dalin. Qytetarët në përgjithësi dhe besimtarët në veçanti dinë t’i kundërvihen të keqes, mu për këtë unë jam shumë i qetë dhe rehat. Ndërsa, ju garantoj, gjendja në BFI është shumë normale, nuk ka asnjë shenjë të vetme nga tentimi me të cilin kundërshtarët e saj donin t’i bënin dëm. Ndërsa, vitin e kaluar e llogaris si shumë të suksesshëm për shkak të një varg aktivitetesh të suksesshme,  të cilat e shënuan punën tonë dhe të cilat janë të njohura gjithandej.

 

  1. Së fundmi u paraqitën informacione në publik se nëpërmjet personave të cilët ishin të dyshuar për falsifikim të dokumenteve dhe letërnjoftimeve, përfaqësues të BFI-së kanë qenë të kërcënuar me këto dokumente të falsifikuara. Me këtë rast a janë të njoftuar institucionet në Maqedoni?

 

Për fat të keq, kohëve të fundit Maqedoninë e tronditin një varg skandalesh dhe këto marrin konotacione të ndryshme në publik, spekulohet me gjithçka, plasohen dezinformata dhe trillime, fabrikohen përralla dhe shpërndahen gënjeshtra më monstruoze. Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni nuk ka kurrfarë lidhje me gjithë atë dhe qëndrimi i saj është se organet kompetente duhet ta bëjnë punën e tyre dhe t’ia thonë të vërtetën publikut. Mënyrë tjetër nuk ka, nuk guxon rruga ta profilojë pikëpamjen publike,  për shkak se atëherë vepron anarkia dhe parendi. Dhe, për rastin konkret për të cilin më pyetët, mendoj se duhet zgjidhur nga organet e ndjekjes dhe të përmbyllet në instancat gjyqësore. Theksoj se BFI nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë e kërcënuar nga askush për asgjë,  për shkak se është shumë e pastër nga secili aspekt, ajo merret me problemet e besimtarëve myslimanë e jo me letërnjoftime.

 

  1. Viti 2015 ishte vit kur ndodhën një seri sulmesh terroriste nëpër botë, ku feja ishte objekt keqpërdorimi. Ju, së bashku me të gjithë prijësit e tjerë fetarë në Maqedoni dhe me Komisionin për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare nënshkruat një deklaratë për gjykimin e terrorizmit të motivuar nga motive religjioze. A mund të japin rezultate këto lloj apelesh nga prijësit fetarë?

 

Po, për fat të keq, ndodhën sulme terroriste nëpër tërë botën. Kishte shumë viktima në Siri, Liban, Turqi, Francë … Më dhemb fakti se në pjesën më të madhe të atyre akteve Islami u etiketua si faktor motivues, e në të vërtetë Islami është keqpërdorur në mënyrën më flagrante nga njerëz të cilët në asnjë rast nuk kanë të drejtë të thirren në Islam. Unë qëndrimet e mia rreth terrorizmit nga çfarëdo qoftë prejardhje i them publikisht qe dy dekada, ato mund t’i lexoni në librat e mi, në kolumnet e mia dhe në deklaratat e mia nëpër konferenca dhe mbledhje të ndryshme.

Është e vërtetë se kam nënshkruar deklaratë për gjykimin e terrorizmit së bashku me prijësit fetarë të tjerë në Maqedoni, dhe deklarata të tilla kam nënshkruar edhe në përbërje më të gjera nëpër tërë botën. Besoj se deklaratat e prijësve fetarë japin rezultate dhe ndikojnë te njerëzit,  por unë mendoj se kundër të gjitha të këqijave në shoqëri, që do të thotë edhe kundër terrorizmit, duhet të gjithë të luftojmë së bashku në mënyrë preventive-të veprojmë edhe lokalisht, edhe globalisht. Pak fajde ka nga gjykimet pasi të ndodhë ndonjë keqbërje; atëherë vetëm mund të mbajmë zi dhe t’i ngushëllojmë të afërmit e të ndjerëve. Pra, unë jam për aksion preventiv në përmasa të gjera,  që nënkupton organizim dhe mbajtje të përgjegjësisë të atyre që do të kyçen në aksion. Kuptohet, në aksione të tilla Bashkësitë Fetare mund vetëm të ndihmojnë, por bartës duhet të jenë institucionet përkatëse, politika …

 

  1. Ajo që brengos në veçanti në korniza botërore është vala e madhe e islamofobisë që paraqitet pas këtyre rasteve të pakëndshme. Thjesht, disa përpiqen ta barazojnë gjithë Islamin me këto ngjarje, andaj ndodhin edhe sulme ndaj myslimanëve në Evropë si kundër-reagim. Si t’u jepet përgjigje këtyre dukurive?

 

Unë, pas keqbërjes në Paris shkrova se edhe islamofobia është terrorizëm, hiç më pak se vetë terrorizmi,  për shkak se nxitet nga urrejtja dhe keqbërja. Islamofobia nuk është dukuri e re, është vënë re shumë më para dhe është fryt i mosnjohjes së Islamit, të keqinterpretimit të tij. Ta barazosh Islamin me terrorizmin,  është blasfemike; kjo do të thotë mosrespektim dhe mos-njohje e Islamit,  por dhe mënjanim nga Krishterimi,  për shkak se i krishteri i mirë dhe i vërtetë e di se çfarë do të thotë nxirrja e fesë dhe besimit të tjetrit. Për të gjitha aktet terroriste, për të gjitha pogromet dhe masakrat e bëra nga të krishterët unë kurrë nuk e kam akuzuar Krishterimin.

Islamofobisë si edhe ndjenjës antiislame duhet përgjigjur me dialog dhe me tolerancë, mu ashtu siç urdhëron Allahu (xh. sh.). Shumë lehtë është të përhapet urrejtja dhe të shkaktohen grindje mes njerëzve me përkatësi të ndryshme etnike, veçmas në kohë të zhvillimit kaq të shpejtë të mediave. Por, dashuria dhe marrja vesh mes njerëzve janë gjërat që e çojnë njerëzimin përpara dhe për këtë duhet të përpiqemi.

 

  1. Në dallim nga ata të cilët e keqpërdorin fenë dhe religjionin për qëllime politike dhe shkaktojnë konflikte, kemi shumë shembuj të tjerë kur në rajonet e krizës të Lindjes së Afërt, besimtarët e vërtetë myslimanë i mbrojnë tempujt e të krishterëve të atyshëm nga sulmet e xhihadistëve. A ju kujtohen ato pamje. Por, sikur ato informacione vështirë të prekin deri te publiku botëror. Sa mund të ndihmojnë liderët fetarë, njerëzit e fesë, në prezantimin e vlerave të vërteta të religjionit?

 

Islami urdhëron të mbrohen tempujt e religjioneve të tjera dhe të mbrohen pjesëtarët e pafajshëm të religjioneve të tjera, kështu që, ai që nuk e bën këtë,  nuk mund të pretendojë se është mysliman dhe se jeton sipas ligjeve të Zotit. Në fenë tonë, çdo tempull i Zotit është i shenjtë. Nuk e di sa e keni të njohur,  por sipas rregullave të Islamit, nëse hasni në kishë gjatë kohës së namazit,  lirisht mund të faleni edhe në kishë. Kjo mendoj që tregon gjithçka. E ata të cilët prishin shtëpi të Zotit, qofshin ata të krishtera ose myslimane, do të përgjigjen para Allahut.

E tani, kur të gjithë gazetarët dhe të gjitha mediat vrapojnë pas tregimeve me të cilat duan ta akuzojnë njërën palë për të gjitha të këqijat, ndërsa tjetrën duan ta amnistojnë nga gjithçka, shumë është e vështirë që e vërteta e plotë të mbërrijë deri te njeriu i rëndomtë. Liderëve fetarë u mbetet të përpiqen dhe të gjejnë mënyrën që ta plasojnë të vërtetën në mesin e njerëzve,  për shkak se ky është njëri nga obligimet bazë. Ju kujtohet, para do kohe dy herë u sulmua xhamia në Kriva Pallankë por e vërteta mbeti e mbuluar, për fat të keq. Ne të gjithë nuk treguam guxim e të bëhemi të gjithë bashkë në mbrojtje dhe të ngremë një xhami të vogël në qytetin kur në një kohë ka pasur gjashtëdhjetë xhami. Kuptohet, kështu duhet të veprojmë edhe në rast se sulmohet ndonjë kishë.

 

  1. Si i vlerësoni marrëdhëniet ndërreligjioze në Maqedoni, në nivel institucional, mes Bashkësive Fetare, nga njëra anë dhe në shoqëri, në mes vetë besimtarëve nga besime të ndryshme, nga ana tjetër?

 

Marrëdhëniet ndërreligjioze në Maqedoni vlerësoj se ende janë në nivel të kënaqshëm, para së gjithash falë marrëdhënieve tradicionalisht të mira dhe bashkëjetesës së pjesëtarëve të religjioneve të ndryshme në këtë nënqiell. Njerëzit tanë gjithmonë kanë pasur respekt për njëri- tjetrin dhe kjo reflekton edhe në marrëdhëniet e Bashkësive Fetare mes tyre. Këtu, kuptohet, i përjashtoj përpjekjet për ndërhyrje të politikës në Bashkësitë Fetare dhe dukshëm dhënien e përparësisë njërës bashkësi,  duke i diskriminuar të tjerat. Rreth kësaj kam thënë shumë dhe kam për të thënë shumë, por në këtë rast do të përmbahem për shkak të ndjeshmërisë së kohërave që i jetojmë. Gjithsesi, në këtë shtet ku me shekuj funksionojnë shumë fe, përgjegjësia më e madhe u bie Bashkësive më të mëdha,  të cilat duhet të tregojnë gatishmëri dhe ta ngrenë zërin kundër çdo lloj diskriminimi të Bashkësisë tjetër Fetare.

 

  1. Në publik dominon një ndjenjë se prijësit fetarë shumë rrallë ose pothuajse fare nuk komunikojnë mes vete?

 

Mendoj se është ndjenjë e gabuar kjo,  për shkak se ne komunikojmë më se normalisht, varësisht nga momenti dhe nevojat, ndërsa takimet tona nuk janë aq të rralla. Për gjithçka çfarë është e rëndësishme në shoqëri, për gjithçka që paraqet problem më serioz, ne komunikojmë dhe përpiqemi të ndërtojmë qëndrime të përbashkëta. Pajtohem me atë se komunikimet duhet të bëhen më intensive,  për shkak se ashtu do të bëhej më intensiv edhe ndikimi ynë dhe do të mund të japim shembuj të cilët do të preknin deri te vetëdija e njerëzve, të tregojmë se në Maqedoni jo vetëm që është e dëshirueshme bashkëjetesa,  porse ajo është imperativ dhe parakusht për ekzistimin dhe prosperitetin e këtij vendi të bukur.

 

  1. Kur për herë të fundit keni biseduar me Kreun e KOM-it ose me përfaqësues të bashkësive të tjera fetare në Maqedoni?

 

Kam pasur shumë takime te Kreu i KOM-it, të cilin e respektoj dhe për të cilin kam mendim të lartë, edhe pse ndoshta jo gjithmonë pajtohemi për gjithçka, por kjo është normale,  apo jo. Mendoj se është i rëndësishëm kualiteti dhe përmbajtja e takimeve dhe e marrëveshjeve tona, e jo numri.

 

  1. A do të kishit pirë së bashku kafe, çaj ose a do të kishit ngrënë ndonjë drekë me Arqipeshkop Stefanin në Çarshinë e Vjetër ose në qendrën e Shkupit?

 

Kam pirë shumë çaje dhe kafe me Arqipeshkop Stefanin dhe përsëri do ta bëja këtë me kënaqësi. Dhe, jo vetëm me të. Ja, kjo intervistë le të jetë ftesë për Imzot Stefanin dhe për prijësit e tjerë fetarë në Maqedoni, le të urdhërojnë në zemrën e Shkupit, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Do t’i shëtis,  që të rikujtohen në bukuritë të cilat nuk duhet harruar, të rikujtohen se Çarshia është simboli i vetëm i vërtetë i mbetur i bashkëjetesës dhe vend i vetëm i cili na rikujton në të kaluarën e Shkupit dhe historinë e tij. Ju ftoj dhe juve gazetarëve të vini. Bukë, kripë dhe zemër gjithmonë ka në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Dhe, çaj të mirë, po bujrëm.

 

  1. Ju pyes, për shkak se, zakonisht, besimtarët shumë rrallë ju shohin në rrugë së bashku.

 

Për fat të keq, kjo është e vërtetë dhe shumë është për keqardhje, por kjo besoj flet për stër-angazhimin tonë me obligimet që i kemi si prijës të Bashkësive më të mëdha Fetare në Maqedoni. Besoni, kam shumë nevojë të shëtis kohë pas kohe, si çdo qytetar, por këtë e bëj shumë rrallë dhe kjo është pjesë e sakrificës që kërkon nga unë funksioni im. Besoj kështu është edhe me Imzot Stefanin. Por, ja, me iniciativën tuaj do të shëtisim.

(Ky është përkthim i intervistës të dhënë në portalin Religija.mk në gjuhën maqedonase)

Comments are closed.