Edhe islamofobia është terrorizëm-Reflektime

sulejman-rexepi-640x396 (1)

Civilizimi islam dhe muslimanët ia dhuruan njerëzimit matematikën, astronominë, kompasin, medicinën, pra bazat e shkencës. Pse atëherë, një miliardë njerëz duhet të vlerësohen sipas një grushti teroristësh ?

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Menjëherë pas sulmeve në Paris, një funksionar i partisë qeveritare maqedonase kishte nxituar të shkruaj në facebook : “ Të kuptohemi. Nëse nuk i godet i pari, ata të godasin të parët…”. Dhe, për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër, e goditën mesxhidin në Kriva Pallankë. Vetëm që të godasin sa nuk i ka goditur dikush, jo për diçka tjetër. Ndërkohë, një gazetar kontrovers shqiptar e tha publikisht se duhet të bombardohet Meka, me siguri nga dëshira që të dëshmojë se është shumë “proeuropian”. Pastaj, dikush tha se “Islami është më i keq se fashizmi” dhe kështu rrodhën muhabetet për telat me gjemba dhe bllokimet e kufijve, njerëzit tanë u ekzaltuan nga bombat e Putinit dhe gjithnjë kështu, gjithnjë ashtu si nuk duhet.
Mendoj se nuk do ishte e qëlluar të përsëris më gjerësisht qëndrimet e mia rreth terrorizmit në përgjithësi dhe ndaj atij të veshur kinse me petkun islam, në veçanti. Vetëm do them se terrorizmi është i destinuar të dështojë, por, për fat të keq, nxit kundërpërgjigje që nuk dallojnë fortë nga shkaku i tyre, kurse viktima janë përherë të pafajshmit, në këtë rast muslimanë që me përqindje shumë të madhe janë kundër dhunës dhe terrorizmit.
Nuk ka dyshim se bombat e ISIL kontribuojnë për rezervat që krijohen ndaj Islamit dhe muslimanëve. Por, çka mendoni, a janë bombat e tyre më të vjetra apo islamofobia që në vete përmban frikë dhe urrejtje ndaj fesë islame, por mbi të gjitha përmban paragjykime të tmerrshme.
Shumëkush thotë se islamofobia lindi nga sulmet mbi kullat binjake dhe morri hov nga koncepti radikal i Hantigntonit lidhur me përplasjen e civilizimeve. Dhe, është fakt se që atëherë po dëgjojmë kualifikime që s kanë asnjë pikë të përbashkët me Islamin. Por, ato po vazhdojnë të përhapen.
Disa po thonë se “Islami është primitiv dhe nuk ka asgjë të përbashkët me kulturat tjera,është barbar, agresiv dhe po e mbështet terrorizmin sepse është ideologjia me të cilën bëhen depërtime ushtarake e politike. Andaj, eliminimi I muslimanëve nga shoqëritë perëndimore është normale, siç është normale edhe armiqësia ndaj tyre”. Gjithnjë e më shumë po vendoset shenja e barazisë mes Islamit dhe do farë ideologjive dhe individëve radikalë..
Çka ju përkujton e tërë kjo ? Mua, sinqerisht, më përkujton një ideologji që kishte shenjë dalluese kryqin e thyer(svastikën) e që shkaktoi luftë dhe viktima sa të gjitha luftërat paraprake bashkë. Por nejse, është më moderne që e tërë urrejtja dhe paragjykimet ndaj Islamit të tubohen me një vend e të emërtohen me atë shprehjen e sofistikuar- Islamofobi. E ajo, islamofobia pra, nëse analizohet më seriozisht, nuk prodhon asgjë të mirë, asgjë për të qenë. E zhvilluar dhe e përhapur nga lëvizjet e të djathtës ekstreme dhe e përqafuar edhe nga të tjerë, islamofobia në fakt e ushqen terrorizmin, qoftë ai “islamik” apo ndonjë tjetër.
E di, trimoshët e brengosur të llojit të atyre fatkeqëve që i përmenda në fillim të tekstit, menjëherë do e shtrojnë dilemën e njohur për pulën dhe venë. A ishin në fillim bombat apo ishte islamofobia ?
E pra, trimosha, shikuar historikisht, islamofobia ka qenë e kultivuar qysh nga koha e kryqëzatave, qysh nga kohët kur morën hov qëndrimet se Islami dhe muslimanët duhet të zhbëhen nga Evropa, gjë e cila, mjerisht, pati sukses në Spanjë e Itali. Por, këto gjëra duhet sqaruar përmes debateve intelektuale dhe shkencore. Dhe, jo për t’ju dhënë të drejtë njërës apo palës tjetër të praktikojnë terrorizmin. E kundërta, këtë gjë duhet bërë që të sqarohet se terrorizmi është një e keqe e përgjithshme, e dënuar edhe nga Islami, edhe nga Krishterimi i cili ka për postulat besimin e Isait(Krishtit) te dashuria. Ndryshe, besoj se islamofobia është e ndaluar edhe sipas kanuneve kishtare.
Por, nëse islamofobinë e shikojmë më ngushtë, nga aspekti ballkanik, ose nga prizmi ynë këtu në Maqedoni, ajo merr edhe një dimension që vetëm e komplikon më tej dhe i jep një tingëllim akoma më dramatik. Në fakt, sipas një rregulli të pashkruar, te ne përherë bëhet identifikimi I kombit dhe i fesë dhe në atë mënyrë, mosmarrëveshjet ndërnacionale dhe tensionimet reflektojnë edhe te feja. E një gjë e këtillë nënkupton, apo jo, problem shtesë për Maqedoninë, të tjera Marrëveshje të Ohrit e të Përzhinës.
Duke bërë përpjekje që të gjykoj në mënyrë racionale, po më përfshinë një ndjenjë jo fortë e këndshme. Unë mendoj se Evropa, e cila realisht është e sulmuar nga ISIL, do të gjejë mundësi për të menaxhuar këtë konflikt dhe ta tejkalojë krizën momentale. Nëse jo për asgjë tjetër, atëherë për shkak të 45 milionë muslimanëve që jetojnë aty dhe nuk dëshirojnë të kenë kurrfarë lidhje me terrorizmin. I bindur jam, kjo gjë do të ndodh, mes tjerash, edhe duke e disiplinuar islamofobinë.
Por, po frikësohem se islamofobia do vazhdojë të frymojë ndër ne, te shpirtrat e humbur që nuk janë në gjendje të nxjerrin macen nga përsheshi por që parapëlqejnë të merren me probleme e fenomene globale. Diskursi negativ politik e medial që Islamin dhe muslimanët vazhdon ti konsiderojë si poligon për qitje, është shqetësues për të gjithë ne. Të identifikohen Islami dhe muslimanët në mënyrë gjenerale me ekstremistë e terroristë do të thotë vetëm demonizim i mëtejmë i tyre dhe provokim.
Civilizimi islam dhe muslimanët ia dhuruan njerëzimit matematikën, astronominë, kompasin, medicinën, pra bazat e shkencës. Pse atëherë, një miliardë njerëz duhet të vlerësohen sipas një grushti terroristësh ?
Përfundimisht, ISIL është organizatë keqbërëse dhe terroriste. Por, islamofobia po ashtu është keqbërje dhe terrorizëm.

Comments are closed.