BFI-ja nuk është objekt, është ideal

image

“… nëse ata ju sulmojnë, bëhuni të durueshëm dhe të dëgjueshëm dhe Zoti juaj menjëherë do t’ju dërgojë në ndihmë pesë mijë engjëj, me shenjë të dalluar. Allahu e bëri këtë që t’ju sjellë lajmin e gëzuar dhe që t’jua qetësojë zemrat. Vërtet, fitorja është vetëm nga Allahu, i Plotfuqishmi dhe i Urti. (Gjithashtu Allahu e bëri këtë edhe) që të shkatërrojë një pjesë prej atyre që nuk besuan apo t’i turpërojë, e kështu të kthehen të humbur (Ali Imran, 125, 126, 127)

Në një reagim me shkrim, drejtuesit e Bashkësisë Fetare Islame sërish kanë akuzuar personat që janë futur në godinën e këtij institucioni javën që e lamë pas. Nga ky institucion kanë shpërndarë edhe disa foto, në të cilën shihet mënyrë se personat në fjalë janë futur brenda këtij institucioni. “Përgjatë historisë së vet mëse gjashtëshekullore, Bashkësia Fetare Islame në RM u ka bërë ballë stoikisht qindra planeve shkatërrimtare, mijëra përpjekjeve detronizuese të ndërmarra nga pushtues e pushtete të pamëshirshëm. BFI-ja, sot e gjashtëqind e sa vite ngeli e fortë, e papërkulur, e pathyeshme dhe në këmbët e veta të forta. Pushtuesit mbetën vetëm rrëfime të hidhura historike. Nuk ka forcë, nuk ka armë, nuk ka individ që mund ta shkatërrojë BFI-në, jo BFI-në si objekt, por BFI-në si koncept, si ide të shenjtë, si Institucion Islam. Sepse, ata që përkujdesen për Islamin i mbron Allahu xh.sh. Para kësaj Fuqie, stuhitë më të tmerrshme të botës bëhen puhiza vere, oqeanet më të trazuara të botës bëhen një pikë uji në gotë, të gjitha vullkanet shuhen. Një është Fuqia – kjo Fuqi është garanci e paprekshmërisë dhe e patundshmërisë së Bashkësisë Fetare Islame”, thuhet në reagim.

“Skenarët e errëta, le të jenë këto edhe të shërbimeve sekrete, individët e ndërsyer nga këta shërbime, nga këta skenaristë antiislam – të gjithë do të pikin coftë para qëndresës, para devotshmërisë, para përkushtimit të organeve të BFI-së, Ulemasë së vendit dhe para myslimanëve besnikë të vendit. Këto janë ata faktorë që japin garanci të fuqishme se BFI-ja, si gjithnjë, edhe kësaj radhe do ta tejkalojë me sukses kundër “gërvishtjes” të cilët dikush kanë menduar se do të kalojë në plagë të rëndë që do të infektohet deri në plandosje përdhe! Plan shumë i gabuar, që në start i dështuar dhe absolutisht i tejdukshëm. Muslimanët nuk mund të dëmtohen, zhvillimi i jetës fetare islame nuk mund të ndërpritet dhe organet që përkujdesen për këtë zhvillim nuk  mund të uzurpohen”, vlerësojnë nga BFI.

“Përpjekja e dy-tre individëve të papërgjegjshëm e ngacmoi anën pozitive dhe përjetë vigjilente të muslimanëve si në vend ashtu edhe jashtë. Të gjithë u mobilizuan për ta dëshmuar lojalitetin e pakufishëm ndaj BFI-së, për të dhënë përkrahje të parezervë dhe për ta demonstruar një unitet si asnjëherë më të fortë. Të gjithë organet e BFI-së, absolutisht të gjithë teologët e proveniencës myslimane e dënuan aktin e papërgjegjshëm të këtyre dy-tre individëve të cilët tashmë plotësisht e kanë humbur edhe të drejtën që të vetëquhen “teologë”! Teologu nuk bën veprime që janë të denja ekskluzivisht për banditët dhe për bandat kriminele. Imazhin e BFI-së nuk mund ta cenojë askush, kjo tashmë është provuar dhe është dëshmuar. Strategji perfide dhe tepër e lexueshme: “Të goditet koka  (Reisul Ulema) që të paralizohen gjymtyrët (organet e BFI-së)!” Kjo lojë tashmë është deshifruar dhe, çfarëdo përpëlitje për ta vazhduar këtë lojë, do ta përforcojë edhe më tepër unitetin e Ummetit tonë!”, nënvizohet më tej.

“Nëse e kundrojmë nga rrafshi kombëtar këtë problem dhe i kthehemi 100 viteve të fundit, do të shikojmë se mbi kurrizin e shqiptarëve janë zhvilluar qindra ngjarje tragjike, mbi qafën e shqiptarit janë lëshuar mijëra hiena e çakaj, dhjetëra mijëra ushtarë serbë e çetnikë. Historia nuk përmend asnjë emër të piunëve sulmues. Historia i mbanë mend vetëm emrat e Trimave shqiptarë. Fatkeqësisht, historia e mban mend edhe emrin e Esat Pash Toptanit.

Imazhi i BFI-së mbrohet nga vetë Islami, sepse, BFI-ja nuk është një zyre të cilën mund ta uzurposh. BFI-ja është ideal i cili jetësohet deri në frymën e fundit të jetës, deri në përjetësi!”, thuhet në fund të reagimit me shkrim nga Shërbimi për Informim i BFI-së.

Comments are closed.