Vizita e parë e diplomatit amerikan

6

Kuran i artë për Ambasadorin Baily

Të enjten më datën 05 Mars 2015, në zyrën e Rijasetit, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi e priti Ambasadorin e sapo emëruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Shkup, z. Jess Baily, me të cilin patën një bisedë mjaft konstruktive.
Në prezencën e mediumeve të shkruara dhe elektronike të vendit, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi i dhuroi një pllakat mirënjohje me Kuran të Artë Ambasadorit Baily, në shenjë mirëseardhjeje në vendin tonë dhe si mirënjohje për bashkëpunimin e mrekullueshëm në të kaluarën mes institucionit të BFI-së dhe Ambasadës Amerikane në vend.
Duhet të theksohet se kjo është vizita e parë e Ambasadorit Amerikan në një bashkësi fetare në vend.
Fillimisht Reisi e i bëri një përshkrim të BFI-së mikut amerikan. Ai e njoftoi me funksionimin e Bashkësisë Fetare Islame dhe organeve të saja. E njoftoi me rolin që luajnë Rijaseti, Muftinitë e ndryshme në vend, Kuvendi i BFI dhe Institucionet edukativo Arsimore siç janë Medreseja Isa Beu dhe Fakulteti i Shkencave Islame në organizimin e jetës fetare islame në vend. Gjithashtu Ambasadori u njoftua edhe me veprimtaritë e Agjencisë për dhënien e Hallall certifikatës dhe Organizatës Humanitare Hilal, tek e cila u ndalën kryesisht në projektin e hartuar nga kjo organizatë e cila në opinionin e gjerë njihet me emrin: Stop Rad-Terr.
Ambasadori Baily e njoftoi Reisin se është i mirë njoftuar me këtë projekt dhe e pranoi se ky projekt është mjaft unik në botë dhe se duhet të merret si shembull edhe nga vendet e tjera. Luftërat që po ndodhin gjithandej, na bëjnë të mendojmë për ide të tilla për risocializimin e individëve, me qëllim që njerëzimi të tregohet më human në zgjidhjen e fateve të individëve të përfshirë nëpër këto luftëra famëkëqija. “Ne si Ambasadë në mënyrë shumë serioze po e analizojmë këtë projekt me qëllim që të shohim se si mund tu ndihmojnë në realizimin e tij”, Shtoi Ambasadori Baily.
Nga ana tjetër Reisul Ulemaja gjithashtu e njoftoi Ambasadorin me problemet më të cilat përballet Bashkësia Fetare Islame, për të shumtën e të cilave Ambasadori Amerikan kishte njohuri paraprake. Ai u shpreh se në vendin tonë vjen si një mik i cili dëshiron që problemet e tilla të mos ekzistojnë, por ja që ndodh që ato janë prezent, prandaj ndaj tyre duhet përkushtuar më shumë.
“Unë në Maqedoni por edhe në BFI vij si një mik i juaji, si një shok i bashkëjetesës, i multireligjionit, i multietnicitetit, si një shok i demokracisë. Vij nga një vend – një shtet që ka një histori dhe traditë të veçantë, ku të gjithë bëjnë pjesë në një religjion jo shumicë. Por tek ne, linja e ndarjes së Shtetit dhe religjionit është shumë e qartë. Tek ne Qeveria nuk mund të përzihet në fenë. Këtë e garanton Kushtetuta”, tha mes tjerash Ambasadori Baily.
Më tej ekselenca e tij, i shprehu mirënjohje Reisul Ulemasë për bashkëpunimin shumë konstruktiv dhe frytdhënës me ish-Ambasadorin amerikan në vendin tonë Uolers, dhe dëshiroi që bashkëpunimi mes këtyre dy institucioneve të vazhdojë në frymën e njëjtë.

5

Comments are closed.