Bota myslimane apelon: të luftohet terrorizmi ngado që vjen ai

Al-Azhar_University_MinaretKohë më parë, në Kajro, në Qendrën më të vjetër për mësime islame, në Universitetin “Al-Az’har”, u mbajtë Konferenca Ndërkombëtare me temë “Konfrontimi i ekstremizmit dhe terrorizmit”. Në këtë Konferencë morën pjesë dijetarë islam, studjues, politikanë, udhëheqës fetarë nga 120 vende të ndryshme të botës, si dhe përfaqësuesit e të gjitha Kishave nga Lindja e Mesme. Konferenca ishe dyditore dhe u mbajt nën patronazhin e Imamul Ekber, Sheijhut të Az’harit, Prof. Dr. Ahmed Tajjib.

Nga Maqedonia i pranishëm ishe Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë, Reis Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, i cili u paraqit me kumtesën “ Radikalizmi dhe ekstremizmi”. Në këtë kumtesë efendi Rexhepi ka shpalosur një sërë problemesh me të cilat po ballafaqohen muslimanët anekënd botës si pasojë e lëvizjeve ekstremiste, manipulative të sërë grupacioneve që aktet terroriste po i ndërmarrin në emër të islamit. “Në jetën tonë të përditshme vazhdimisht po përballemi me armiq të rinj të Islamit, po shprehen përpjekje të vazhdueshme për ta ringjallur ekstremizmin dhe aktet terroriste në mesin e muslimanëve. Krejt kjo bëhet me qëllim të stigmatizimit të muslimanëve si dhe të përbuzjes së Islamit, të paraqitjes së Islamit si fe e dhunës, e terrorit, dhe jo si Fe e paqes, bashkëjetesës dhe solidaritetit”, ka thënë Kryetari i BFI-së në RM.

Gjithashtu, Reisul Ulema i BFI-së, efendi Rexhepi ka folur edhe për rolin e dijetarëve në rastin konkret. “Roli i dijetarëve dhe institucioneve fetare përballë ekstremizmit është i rëndësishëm dhe i detyrueshëm dhe se çdokush e ka për obligim që kur të gjykojë rreth këtyre dukurive të bazohet në Librin e Allahut dhe në Sunetin e Pejgamberit”, ka nënvizuar H. Sulejman ef. Rexhepi.

Gjatë këtyre dy ditëve, diskutues të shumtë, personalitete eminente nga bota akademike dhe jeta fetare islame, rrahën probleme të shumta që vijnë nga ekstremizmi, nga terrorizmi dhe nga manipulimi në emër të fesë islame. Emërues i përbashkët i të gjithëve ishte që, pa asnjë kompromis t’u dilet përpara ekstremistëve dhe manipulantëve dhe të mbrohet feja islame prej tyre si dhe të shpëtojë bota muslimane prej një dukurie e cila asgjë nuk ka të përbashkët as me fenë islame por as me fetë e tjera qiellore. Gjithashtu, u apelua deri te bota arabe që mos të bijnë pre e planeve dhe synimeve të ulta të ekstremistëve të cilët terrorizmin po e përdorin si mjet për t’i arritur qëllimet e tyre meskine. Theks i veçantë u vu edhe mbi diversitetin etnik, fetar e kulturor i cili është pasuri e paçmueshme e botës arabe dhe se si i tillë duhet të çmohet si vlerë e përbashkët dhe të ruhet e kultivohet duke i shmangur të gjitha barrierat që i dalin përpara këtij diversiteti.

Nga kjo Konferencë u kumtua edhe një apel shumë i fuqishëm i cili thërret në dialog që ofron paqe dhe që promovon drejtësi dhe respektim të pluralizmit fetar, sektar dhe racor.

Konkluzionet e Konferencës ndërkombëtare “Konfrontimi i ekstremizmit dhe terrorizmit”, mbajtur në Universitetin Al-Az’har të Kajros:

1. Bota arabe është në tensione dhe trazira të papara si pasojë e shfaqjes së lëvizjeve ekstremiste të cilat përdorin terrorizmin si një mjet për arritjen e synimeve të tyre.

2. Qytetarët e pafajshëm i janë ekspozuar sulmeve të parreshtura të cilat në mënyre permanente kanë rrezikuar dinjitetin e tyre njerëzor, të drejtat e tyre kombëtare dhe besimet fetare, dhe këto sulme janë kryer në emër të fesë, ndërkohë që nuk kanë kurrfarë lidhje me fenë. Duke pasur parasysh rëndësinë fetare për të gjithë muslimanët, ishte e nevojshme që Al-Azhar të marë iniciativën për të folur haptazi në emër të Islamit kundër ekstremizmit dhe terrorizmit në të gjitha format e tij dhe të nxjerrë në pah konceptet dhe të vërtetën se ekstremistët kanë manipuluar për t’i arsyetuar aktet e tyre terroriste.

3. Të gjitha partitë dhe grupet e armatosura si dhe grupet sektare militante që përdorin dhunën dhe terrorin para syve të bijve dhe bijave të kombit, nën flamurin e rremë të fesë, janë mëkatarë dhe në përgjithësi nuk përfaqësojnë Islamin e vërtetë. Terrorizimi dhe vrasja e të pafajshëmve, kryerja e sulmeve në njerëz dhe pasuri, denigrimi i vlerave fetare, të gjitha këto janë krime kundër njerëzimit që dënohen nga Islami. Për më tepër, synimi për kombe të përçara dhe ndarja apo copëzimi në shtet-kombe i ofron botës vetëm se një pasqyrë të shtrembëruar të Islamit. Prandaj, aktet e tilla të shëmtuara, jo vetëm që janë të shëmtuara por edhe ofenduese për fenë e vërtetë islame, e cila është fe e paqes dhe unitetit, fe e drejtësisë dhe solidaritetit, si dhe fe e vëllazërimit njerëzor.

4. Muslimanët dhe të Krishterët në Lindje janë vëllezër. Ata i përkasin një civilizimi dhe një kombi; ata kanë jetuar bashkë për shumë shekuj, dhe duhet të vazhdojnë të jetojnë bashkë, në shtete kombëtare, sovrane dhe të lira, të arrijnë barazinë e të gjithë qytetarëve dhe të respektojnë liritë. Shumëllojshmëria e feve dhe sekteve nuk është një fenomen i ri në historinë tonë të përbashkët, ky diversitet ishte, dhe do të mbetet një pasuri e domosdoshme për botën. Historia e dëshmon këtë.

5. Zhvendosja e të krishterëve dhe grupeve të tjera fetare dhe etnike është një krim të cilin të gjithë ne, në mënyrë unanime, e dënojmë.

6. Konferenca bën thirrje për një dialog që do të ofrojë paqe dhe do të promovojë drejtësi në suaza të marrëveshjes për respektimin e pluralizmit fetar, sektar dhe racor, duke punuar me zell dhe besnikëri për të shuar zjarret që ndizen qëllimisht dhe për të kundërshtuar të gjithë ata që derdhin vaj mbi to.

7. Është e nevojshme që dijetarët dhe intelektualët të angazhohen në luftën dhe në demaskimin e mashtrimet, nëpërmjet programeve udhëzuese dhe kurseve edukuese, në mënyrë që të shpalosin interpretimet e sakta të porosive dhe të koncepteve, dhe të mos ngelin pre e avokatëve të dhunës.

8. Në Islam, qeverisja bazohet në vlera të drejtësisë dhe barazisë dhe në mbrojtjen e të drejtave të nënshtetësisë për të gjithë qytetarët pa diskriminim besimi, gjinie apo ngjyre. Çdo sistem që arrinë përvetësimin e këtyre vlerave kryesore humane do të përvetësojë legjitimitet nga burimet e Islamit.

9. Ne u bëjmë thirrje shteteve arabe që të organizojnë bashkëpunimin e tyre dhe të zhvillojnë mekanizma për këtë bashkëpunim në mënyrë që të arrihet stabilitet, siguri dhe prosperiteti.

10. Konfrontimi me ekstremizmin, me ato forca që përpiqen të shtrembërojnë fenë, luftimi i terrorizmit ngado që ai vjen dhe pa marrë parasysh qëllimet e tij, është përgjegjësi për të gjithë ne.

Comments are closed.