Promovohet ribotimi i Vëllimit të parë të Revistës “Zani i Naltë”

1Këto ditë në Prishtinë u promovua ribotimi i Vëllimit të parë të Revistës “Zani i Naltë”, botim i Komunitet Mysliman të Shqipërisë. Me këtë rasat qenë të pranishëm prijësit më të lartë të tri komuniteteve islame shqiptare, Reisi i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, H. Sulejam ef. Rexhepi, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skender ef. Bruçaj, si dhe nikoqiri, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, në kujdesin e të cilit u mbajt ky aktivitet.

Tre kryetarët e Bashkësive Islame vlerësuan lart rolin e themeluesve të kësaj reviste, duke theksuar se ata patën një kontribut të madh në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Pasi i përshëndeti të pranishmit që qenë në numër të konsiderueshëm, përfshirë këtu personalet të shquara nga bota akademike, kulturore e fetare nga të gjitha trojet tona, Myftiu Tërnava përgëzoi KMSH për punën që ka bërë me ribotimin e Vëllimit të parë të revistës “Zani i Naltë”, në të cilin është përmbledhur botimi i tri viteve të para 1923-1925.

Për qëllimin dhe objektivat që kishte revista si organi i parë zyrtar i KMSH në gjuhën shqipe, efendi Tërnava tha se Misioni i revistës “Zani i Naltë” ishte hapja e rrugës dhe krijimi i hapësirës së duhur për emancipimin, përparimin dhe edukimin e drejtë e të duhur të masës së gjerë.

Kryetari i KMSH-së, Skender Bruçaj, përveç tjerash, ka nënvizuar se Revista “Zani i Naltë”, u themelua në vitin 1923 menjëherë pas ngritjes së institucionit të Komunitetit Mysliman, pas Kongresit të parë Mysliman Shqiptar. “Botimi i saj ka zgjatur nga viti 1923 deri më 1939, kur Shqipëria hyri në një fazë tjetër historike, atë të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë revistë, gjatë gjithë periodikut të saj vërehen tonet patriotike dhe atdhetare të shkruesve, të cilët lanë gjurmë të pashlyera me anë të shkrimeve të tyre,” ka nënvizuar Skender Bruçaj

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, H. Sylejman ef. Rexhepi, në fjalën e vet përshëndetëse theks të veçantë ka vënë mbi rolin e kësaj Reviste në edukimin e brezave në frymën jo vetëm fetare islame por edhe në frumën patriotike e kombëtare. “Revista “Zani i Naltë” ka qenë dhe mbetet edhe sot faktor që luan rolin e vet në shtimin e diturisë dhe emancipimin e popullit shqiptarë”, ka thënë veç të tjerash efendi Rxhepi.

Referatin vlerësues gjithëpërfshirës për historikun, rolin, veprimtarinë dhe rëndësinë që ka luajtur Revista “Zani i Naltë” në ngritjen e vetëdijes kombëtare e fetare e mbajti Resul ef. Rexhepi -sekretar i përgjithshëm i BIK, i cili, përveç tjerash, tha: “Përmbajtja e këtij vëllimi që po e promovojmë, sikundër edhe gjithë numrat e “Zanit të Naltë” paraqet një punë të shkëlqyer që ngërthen në vete vlera shumëdimensionale, si në aspektin kombëtar, fetar, kulturor, edukativ e historik. Kjo, sikurse shihet edhe në editorialin e numrit të parë të kësaj reviste, kishte qenë edhe qëllimi i drejtuesve dhe botuesit të kësaj reviste, ku thuhet se “Zani i Naltë” ka për qëllim: “…M’ia zbulue popullit mysliman shqiptar të vërtetën e besimit në një mënyrë të thjeshtë e të pandërlikume…, si dhe me plotësue vllazninë ndërmjet të gjithë elementeve në Shqipni”.

Ndërkaq, drejtori për kulturë pranë KMSH-së, Genti Kruja u shpreh se aktivitetet e këtilla marrin një rëndësi të veçantë për arsye se tregojnë edhe një herë para mbarë opinionit publik, se rruga jonë është dhe duhet të jetë gjithmonë rruga e dijes dhe e urtësisë, e librit dhe e kulturës, si një hallkë lidhëse dhe e vazhdueshme në zinxhirin e hapave dhe gjurmëve që na lënë hoxhallarët dhe dijetarët tanë të urtë e të ditur, paraardhësit dhe prijësit tanë myslimanë, të cilët ishin edhe plejada e fundit e rilindësve shqiptarë.

Prijësit e tri bashkësive fetare islame shqiptare shprehen gatishmërinë që bashkërisht ta ribotojnë komplet kolonën e Zanit të Nalët” në 10 vëllime.

Të pranishmit në këtë aktivitet ndoqën edhe Filmin dokumentar “90 vjet Zani i Nalt” të përgatitur nga produkcioni i KMSH-së.

2 3 4

Comments are closed.