Hixhreti

Untitled-2211Ata që, pasi vuajtën të shtypur, u shpërngulën për hir të Allahut, Ne do t’i vendosim në vendbanime të mira në këtë botë. Natyrisht, shpërblimi që i pret në botën tjetër (Xheneti), është edhe më i madh. Ah! Sikur ta dinin ata

(El Nahl, 41)

Nga H. Sulejman ef. Rexhepi

Nëse ua hedhim një sy kalendarëve të ndryshëm, si lindën, si u bënë tregues të ditëve, javëve, muajve e viteve, sakaq do të vërejmë shumë qartë se, i vetmi kalendar kuptimplotë, i realtë dhe përtej kornizave mitike, përtej rrëfimeve folkloriko-legjendare, është pikërisht kalendari islam, sipas të cilit, të shtunën, më 25 tetor, shënohet Viti i ri Islam, 1436.

Pra, të dashur besimtarë, vëllezër e motra, në emër të Rijasetit, në emër të organeve të Bashkësisë Fetyare Islame, në emrin tim personal, ju dhe mbarë Umetit të Muhamedit a.s. – Gëzuar për shumë mot Vitin e Ri, Hixhri.

Fjala hixhret, në kuptimin e vet të ngushtë do të thotë shpërngulje. Ne sot përkujtojmë një ditë që shënon një shpërngulje, atë të Pejgmaberit tonë, prej Mekes në Medine.

Ne sot përkujtojmë çastin vendimtar për këtë shpërngulje. Ne sot përkujtojmë këtë akt të pashembullt dhe të papërsëritshëm në historinë e njerëzimit. Ne sot përkujtojmë vendimin e shenjtë për krijimin e popullit musliman, të shtetit islam të ngritur mbi tri parime bazë: drejtësisë, urtësisë dhe bashkëjetesës në nivelin vëllazëror. Ne sot përkujtojmë çastin e tërheqjes së vijës ndarëse në mes të së keqes dhe të së mirës, të injorancës dhe dijes, të përulësisë dhe idhujtarisë, të nëpërkëmbjes dhe respektit, të robërisë dhe lirisë. Fare në fund, vëllezër e motra, ne sot përkujtojmë vullnetin e Allahut xh.sh. të shprehur në formë të vizionaritetit dhe përmes liderizmit të një burrështeti të papërsëritshëm – Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s.

Pothuajse nuk ka popull në botë që nuk ka përjetuar “hixhretin” e vet, të gjithë kanë kaluar nëpër shpërngulje të ndryshme. Dikush për një jetë më të mirë, dikush për një copë lirie, dikush për shkak të katastrofave natyrore, për shkak të katastrofave nga luftërat e ndryshme. Këto shpërngulje mund të konceptohen kryesisht si tundje në vorbullën e interesave të kësaj bote. Misioni i tyrë përfundon në këtë vorbull!

Ndërkaq, urdhëri i Pejgamberit a.s. për t’u shpërngulur nuk ishte si pasojë e frikës, as e presioneve, torturave, rrahjeve e vrasjeve që ua bënin idhujtarët. Ky urdhër erdhi si rezultat i një vizioni, si frymë e një misioni të shenjtë të Muhamedit a.s. Fjalori ushtarak këtë lëvizje do ta quante si “lëvizje taktike” të kryer për qëllime të larta strategjike. Pa dyshim, Pejgamberi a.s. mbetet një strateg i gjithanshëm dhe i papërsëritshëm në këtë botë. Mbi supet e tij peshonte Amaneti i Allahut Fuqiplotë: përmes profecisë së tij ta përhapte Dritën, Fenë e shpëtimit për mbarë njerëzimin – Islamin.

Islami nuk ishte fiksion, nuk ishte puhizë poetike, as ideologji e kokave sado gjeniale të kishin qenë. Islami ishte sistem i hyjnishëm, ishte rregull, disiplinë, përulësi, dije, dritë, besim, liri, dashuri. Islami ishte shpëtim që po vinte nga Krijuesi i Gjithësisë për mbarë njerëzimin. Dhe kjo përunfimisht duhej të dëshmohej, dhe ky amanet i ishte besuar Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s.

Duhej një shtet, në atë shtet një ummet, në mesin e atij ummeti rregulla të përjetshme që ngrisin një shoqëri, një disiplinë dhe një paqe të vërtetë. Paqa arrihet vetëm me dituri, me

dashuri e tolerancë. Duke i ngritur dhe kultivuar këto tri shtylla të një shoqërie ideale, Feja Islame e cila gjatë Hixhretit përfaqësohej prej një grusht muslimanësh, sakaq u bë gurëthemel i një besimi të përkyer, i një civilizimi të ri që po lulëzonte prej popujve të ndryshëm e me një durim të pashembullt. Gjërat e shenjta kërkojnë sakrifica të mëdha, kërkojnë durim, shpresë dhe besim. Këtë e porositë edhe Kur’ani i shenjtë: “O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni! (Ali Imran, 200)

Të dashur besimtarë, ky Vit i Ri Islam, muslimanët anekënd botës po i gjenë më të varfër, më të plagosur, më të vrarë, më të përçarë e më të dëbuar prej vatrave të tyre. Asnjë nga këto dukuri nuk po ndodhë për hirë të Allahut xh.sh. Gjithandej prijës e liderë, ide e ideologji të mbrapshta. Asnjë projekt fetar e kombëtar nuk po arrinë të rrumbullaksohet, sepse në esencë janë përplotë me hile, janë pa vizionaritet dhe pa qëllime të shenjta. Liderizmi ka një shembull që duhet të ndiqet, e ai është liderizmi i papërsëritshëm i Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s. Vetëm përmes këtij shembulli ne mund të jemi në Rrugën e Allahut xh.sh., të shënojmë suksese e prosperitet, të arrijmë të mirat e kësaj dhe të botës tjetër. Krijuesi ynë i Gjithëmëshirshëm thotë: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim). Atyre që u shpërngulën, u dëbuan nga vatrat e tyre, u munduan në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, Unë do t’ua mbuloj veprat e këqija dhe do t’i shpie në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, si shpërblim nga Allahu. Shpërblimi më i mirë është tek Allahu.” (Ali Imran, 195)

Vëllezër e motra, të dashur besimtarë, ju ftoj që parreshtur të lutemi që të jemi në Rrugën e Krijuesit tonë dhe nën Mëshirën e Tij. Allahu ju bekoftë! Deri në vitin tjetër përjetovshim vetëm gjëra të mira, të përshpirtshme, të shëndetshme. Gëzuar dhe gjitha të mirat e Zotit për ju dhe për mbarë ummetin e Muhamedit a.s.

(Autori është Kryetar i BFI-së në RM)

Comments are closed.