Hajnat e kurbanëve

Untitled-2211Nuk rreshtin përpjekjet satanike mirë të koordinuara për ta dëmtuar finansiarisht Bashkësinë Islame në RM. Në shenjëstër janë burimet e saj finansiare. Bashkësia Islame në RM burim finansiar ka vetëm organizimin e haxhit, zeqatin, kurbanët, lëkurën e kurbanëve si dhe ndonjë kontribut vullnetar nga xhematet tona. Me sulmet kundër organizimit të haxhit dështuan përpjekjet e “dorës së zezë”! Të inatorsur nga kjo dhe, sa për të treguar se janë akoma gjallë, iu vërsulën edhe burimit të dytë dhe shumë të rëndësishëm për BFI-në – kurbanëve! Sivjet BFI çmimin e kurbanëve e kishte caktuar 120 euro. Deri dy ditë para Bajramit nuk kishte kurrfarë aktiviteti paralel nga “ojq”-të. Si kërpudhat pas shiut nisën të mbijnë lloj-lloj pllakatash të “ojq”-ve të dyshimta të cilët kurban ofronin në çmim prej 75 euro. Këta manipulantë nuk mbajnë llogari se e lënë pa kurban muslimanin e shkretë. Ia marrin paratë dhe Zoti e di se ku shkon kurbani i tyre. Gjithmonë punët e organizuara institucionalisht janë më të suksesshme dhe më të hajrit. Nëse “ojq”-të mendojnë se do ta realizojnë ndonjë projekt humanitar duke shpërndarë mish për ata që janë në nevojë, duhet ta kenë të qartë se BFI-ja këtë aksion e ka kryer me shekuj dhe në mënyrë shumë të përpiktë, dhe jo si “ojq”-të, të cilat, sa për sy e faqe shpërndajnë ndonjë qese ndërsa pjesën tjetër e dërgojnë nëpër shtëpitë e tyre dhe të familjarëve të vet.

Këto “ojq” absolutisht janë në shërbim të elementëve destruktivë të cilët nuk ia donë të mirën islamit si dhe institucioneve islame në vend. Nëse është e kundërta këta “ojq” le të blejnë mish, le të therrin kurbanë me buxhetin e tyre dhe le të shpërndajnë nëpër të varfër, pa i joshur muslimanët e vendit me çmime joreale, me të vetmin qëllim për t’i dëmtuar burimet finansiare të isnsitucioneve fetaro-arsimore të vendit.

Brenda çmimit që e nxjerr BFI për një kurban përfshihet transporti, shërbimet në therrtore, vendosja e mishit nëpër dhomat e mëdha frigorifer në të cilat ruhet për nxënësit e Medresesë Isa Beu, si dhe një sërë shërbimesh të tjera të cilat të gjitha paguhen. Gjithësesi, paguhet edhe copëtimi dhe paketimi i një sasie të konsiderueshme e mishit që i shpërndahet të varfërve gjithandej vendit tonë.

A ka sevap më të madh se sa të jepet një kontribut, qoftë ai minimal, në institucionet të cilat përkujdesen për formimin e kuadrit i cili është mësues dhe interpretues i islamit për brezat e ardhshëm. Cili është kontributi i këtyre “ojq”-ve përveçse mbushja e xhepave të tyre të pista.

Fatmirësisht, përkundër këtij organizimi të ndytë të këtyre “ojq”-ve, përkundër propagandës së ashper të mediave të mbështetura edhe nga opinionet që dilnin prej institucioneve gjegjëse shtetërore (për sëmundjet e rrezikshme të deleve pikërisht në prag të festës së Kurban Bajramit!!!), sivjet, muslimanët e vendit, nën organizimin e BFI-së kanë therrur kurbanë si asnjeherë më parë. Zoti ua bëftë kabull dhe i shpërbleftë për sakrificën e tyre. Matrapazëve të “kurbanëve” ua faltë gjynahet!

Comments are closed.