Gafë apo urrejtje e kultivuar

sulejman-rexepi-640x396 (1)Zoti Fuqiplotë, në rrumbullakësimin e Kur’anit të Shenjtë, thotë “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj”. (El Maide, 3) Po çka është Islami? Çka i porosit Islami pjesëtarët e vet të devotshëm

Nga H. Sulejman ef. Rexhepi

Gafa, apo, shprehur në terminologjinë popullore “llapsuzi”, është produkt i intelektualizmit të përciptë, i mentalitetit demagogjik provincial, ose, thënë shkurt, është produkt i injorancës.

Në rastin kur gafa shprehet si produkt i një urrejtje të kultivuar, qoftë individual apo kolektiv, atëherë kemi të bëjmë me një sëmundje patologjike tepër të rrezikshme. Kjo sëmndje shton lakminë për shtrembërim të së vërtetës dhe, për rrjedhojë, edhe për luftim të së vërtetës duke mos i zgjedhur mjetet dhe metodat. Ky është filli i çdo lufte në historinë e njerëzimit që ka sjellë në përmbytje të kolektiviteteve, popujve e civilizimeve.

“Islami radikal” llapsuz apo sintagmë e një qëndrimi politik

Janë tepër irituese debatet televizive, deklaratat e shkruara por edhe dialogjet e verbra te intelektualëve, analistëve e të opinionistëve tanë rreth fesë islame. Njohuritë e tyre të përcipta mbi këtë fe shpesh herë i nxjerrin edhe qesharakë. Natyrishty, te ne që jemi të thirrur për ta kultivuar, zhvilluar dhe avansuar jetën fetare islame, të tillët nuk na shkaktojnë urrejtje apo energji negative, por, thjesht, na shkaktojnë një keqardhje, një dhembje të llojit të vet. Kur intelektuali ynë flet për probleme dhe dukuri prezente në shoqërinë muslimane dhe ato i emërton si produkte të “islamit radikal”, kjo padyshim që të shkakton një keqardhje për nivelin e tij intelektual dhe një emocion dhembjeje për pozicionimin e tij pranë një gracke në të cilën rrezikon të bie në çdo moment. Por, kur këtë sintagmë, fund e krye raciste, e shqipton një oponent i yti fetar, një oponent i yti ideologjik, etnik, kulturor, për më tepër, kur këtë ta shqipton një diplomat i huaji, atëherë kemi të bëjmë me një tendencë tepër të rrezikshme, me një sinjal që përçn mesazhe lufte.

Këto ditë, në një intervistë për një gazetë shqiptare, një diplomat i një shteti mik i popullit tonë, deri sa po fliste për pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën e Sirisë, kishte nënvizuar se “shqiptarët duhet të kenë kujdes nga “islami radikal”! Për ne teologët kjo sintagmë është e papranueshme dhe demaskimi i saj kërkon përpjekje të parreshtura.

Mbi të gjitha, duhet ditur se, sintagma “islami radikal” është një ofendim shumë i rëndë, është një akuzë që del nga kuzhinat raciste, është një definicion i një strategjie sekrete për ta luftuar islamin. Çdo gjë radikale është e papranueshme dhe, si e tillë, e luftueshme. Institucionalizimi i kësaj sintagme nënkupton shpallje luftë islamit!

Në esencën e vet të gjitha fetë janë paqësore

Feja islame është fe e shumë popujve, e shumë kombeve, etnive me histori, mentalitet, traditë e kulturë të ndryshme, e njerëzve me lloj-lloj temperamentesh. Të gjithë këta feja islame i thërret në paqe, i fton të kultivojnë veçse dashuri dhe humanizëm. I përjashton nga gjiri i vet të gjithë

ata që veprojnë jasht porosive dhe normave islame, siç e bëjnë këtë edhe fetë e tjera. Në esencë, nuk ka fe radikale. Radikale mund të jenë vetëm ideologjitë, pikëpamjet dhe lëvizjet politike. Në momentin kur një parim apo një porosi fetare ngritet në ideologji, ai parim vetëvetiu përjashtohet nga feja dhe, kësisoj, përjetë ruhet shenjtëria e fesë. Nëse mbarë njerëzia ndajmë mendimin se fetë janë të shenjta, atëherë, çkuptim do të kishte që t’i quajmë “fe radikale”!

Zoti Fuqiplotë, në rrumbullakësimin e Kur’anit të Shenjtë, thotë “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj”. (El Maide, 3)

Po çka është Islami? Çka i porosit Islami pjesëtarët e vet të devotshëm? Këtë më së miri e shpjegon hadithi i Pejgamberit a,s, të cilin e interpreton Museddedi, të cilit ia kishte treguar Ismail b. Ibrahimi, këtij Ebu Hajjan et-Tejmiu i cili kishte dëgjuar nga Ebu Zur’a duke thënë: E kam dëgjuar Ebu Hurejre r.a. duke thënë: “Një ditë Pejgamberi s.a.v.s. doli në mesin e njerëzve; iu afrua atij një njeri dhe e pyeti: “Çka është besimi (imani)?” “Besim (iman) është të besosh Allahun, melekët e Tij, takimin me Të (në Ditën e Kijametit), të besosh pejgamberët e Tij dhe ringjalljen.” – u përgjigj Pejgamberi s.a.v.s. “Po, çka është Islami?” – pyeti ai. “Islami është ta adhurosh Allahun, të mos i përshkruash shok Atij, të falësh namazin, të japësh zekatin dhe të agjërosh Ramazanin.” – u përgjigj Pejgamberi s.a.v.s.

Ky është Islami dhe, të gjeshë “radikalizëm” në këta shtylla kaq paqësore dhe të shenjta, ose njeriu duhet të jetë i verbër, ose dashakeq, ose pjesëtarë i një strategjie që nuk ia do të mirën njerëzimit.

Le ta sjellim këtu edhe hadithin e transmetuar nga Omer b. Halidi i cili e kishte dëgjuar nga Lejthi, ky nga Jezidi, ky nga Ebu-l-Hajri, ky nga Abdullah b. Amri r.a. i cili thotë se, një ditë iu afrua Pejgamberiit a.s. një njeri dhe e pyeti: “Çka është më së miri të punohet sipas Islamit?” Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: “Ta ushqesh të uriturin dhe t’i japësh selam atij që e njeh dhe atij që nuk e njeh.”

“Djemtë e djajve” dhe “islami radikal”

Popujve të ndryshëm, që aderojnë nëpër fe, religjione e sekte të ndryshme fetare, përgjatë historisë së tyre u ka ndodhur lloj-lloj ngjarje, luftë, sëmundje, përpjekje mbijetësore, periudha të arta por edhe shfarosje e zhdukje. Madje shumë nga këto dukuri e fenomene u kanë ndodhur si pasojë e trazirave dhe organizimieve brenda komunitetit përkatës. Le ta nënvizojmë këtu periudhën më të errët, më të tmerrshme dhe më antinjerëzore në istorinë e njerëzimit – periudhën e inkuizicionit të ushtruar nga kisha. Apo, le ta sjellim këtu, sa për ilustrim, edhe periudhën e cila, sipas shumë historianëve llogaritet si periudha më e rëndë dhe më e përgjakshme e njerëzimit – shekulli dhjetë, periudhë kjo kur Kisha formoi lëvizjen politiko-ushtarake, të ashtuquajturën “Pax Dei” apo Lëvizja Paqësore. Natyrisht, kjo Lëvizje nuk mund të arrihej pa armë. Lëvizja në fjalë drejtohej dhe aderohej ekskluzivisht prej priftërinjëve, nxënësve të tyre, murgjëve. Pesëdhjetë vitet e para të vitit 1000 janë vite që historia e njerëzimit i mban mend si vitë të krimeve më makabre të ndodhura ndonjëherë në emër të fesë, në emër të “Paqes së Zotit”. Arqipeshkvi i njohur italian i shekullit X, Ratheriusi nga Verona, do t’i qortojë ashpër të gjithë priftërinjtë e asaj kohe, për shkak se, duke u lëshuar pas lufte dhe imoraliteti ua kanë kthyer shpinën kanoneve kishtare. Të gjithë ata priftërinjë që zhvilluan luftëra të tilla në emër të fesë krishtere, Papa Zaharia do t’i quaj “priftërinj të rrenjshëm”, ndërkaq Papa Sergi II do t’i quajë si “djemtë e djajve”.

Në ditët e sotshme, referuar ngjarjeve rrëqethëse që po ndodhin herë pas here në Kishë, do të ishte mëkat i pafalshëm të emërtohej Feja Krishtere si “fe pedofile” për faktin se, mijëra priftërinjë u kapën dhe u akuzuan për pedofilizëm.

Pikëpamjet individuale, veprimet kafshërore, synimet e ulta grupore, ideologjitë e mbrapshta për qëllime klanore, strategjitë djallëzore për rrëmbime të pushteteve me luftë e gjak, mentalitetet tradicionale, mitologjiko-folklorike, afinitetet për të manipuluar në emër të fesë, asgjë nuk kanë të përbashkët me parimet fetare. Ndaj “fetë ideologjike”, “fetë kombëtare”, “fetë radikale”, “fetë shtetërore”, nuk janë asgjë tjetër përveçse lëvizje që synojnë majen e interesave meskine përmes gjakderdhjes dhe shfarosjes. Kjo pra nuk është fe! Kjo është vepër e djallit. Siç është djallëzore edhe emërtimi i Islame si “fe radikale”.

Comments are closed.