Si ta lexojmë të vërtetën

imageMe shkas

Si ta lexojmë të vërtetën

Këtyre ditëve, nëpër medium dëgjuam informacione nga më të ndryshmet lidhur me Raportin vjetor të DASH-it, por se komentet do të jenë aq të tepërta, me aq shtrembërime dhe me aq keqinterpetime tendenciozesa këtë nuk mund ta paramendonin as skenaristët më gebelsianë. O Zot, si po na mbanë kj tokë

Nga Afrim Tahiri

Raporti i sivjemë i DASH-it thotë se Qeveria e RM favorizon Kishën Ortodokse Maqedonase! AQsnjë analizë e koment, asnjë përpjekje mediale rreth asaj se, përse favorizohet një komunitet fetar kundrejt tjetrit. Çuditërisht, po thuajse të gjithë iu vërsulen atij komuniteti fetar (BFI-së) që është i privuar nga të drejtat të garantuara me Ligj, madje tërë sulmi kishte qenë sepse dikush kishte verejtur se një nga të drejtat e garantuara me Ligj, po i sillka përfitime materiale BFI-së. Që në fillim të këtij shkrimi më duhet të nënvizoj se, BFI-ja e RM-së haxhin e organizon në bazë të Ligjit, Memorandumit të nënshkruar me Ministrinë e Haxhit dhe në përputhshmëri me aktet e saj normative.
Bashkësia Fetare Islame e RM, për dallim nga komunitetet e tjera fetare, vazhdon akoma të luftojë për pronat e veta të nacionalizuara, pra shteti vazhdon ta diskriminojë. BFI privohet nga e drejta për rindërtime, rinovime të objekteve për të cilat nuk ka asnjë pengesë juridike. BFI shpeshëherë privohet edhe nga e drejta për të blerë! BFI dhe muslimanët e vendit nga zyrtarë shteteror shpesh kanë përjetuar etiketime si “radikalistë”, “eksremistë” e të ngjashme, thjesht që përmes këtyre etiketimeve të provojnë kapjen e “ndonjë suksesi diplomatik” në arenën ndërkombëtare! Nisur nga kjo, unë farek nuk habitem kur armiqtë e BFI-së dhe të muslimanëve turpin e tyre dëshirojnë ta mbulojnë përmes gënjeshtrave! Dhe, fatkeqësisht, kësaj radhe me gjasë ia arritën, tash nuk po merret vesh se cila bashkësi fetare është e favorizuara: Kisha Ortodokse apo Bashkësia Fetare Islame!
Nuk do të humb kohë e të lodh lexuesin duyke nenvizuar këtu dezinformata, shtrembërime dhe komente mediale, por thjesht, përmes theksimit të disa neneve nga LIGJI PËR POZITËN JURIDIKE TË KISHËS, BASHKËSISË FETARE DHE GRUPEVE RELIGJIOZE NË RM, ta përkujtojmë realitetin e hidhur.
Dhe, në Nenin 1, alineja 1, të këtij Ligji thuhet: Me këtë ligj rregullohen themelimi dhe statusi juridik i kishës, bashkësisë fetare dhe grupit religjioz, rregullimi i shërbesës fetare, i lutjes dhe ceremonisë fetare, i mësimit fetar dhe veprimtarive arsimore, të hyrat e kishës, bashkësisë fetare dhe grupet religjioze si dhe çështje të tjera.
(2) Kisha, bashkësia fetare dhe grupet religjioze janë të ndara nga shteti dhe janë të barabarta para ligjit.
Në rastin kur DASH-i mes tjerash thotë se, Qeveria e Maqedonisë favorizon Kishën Ortodokse Maqedonase, kujtoj se, fokusi i mediave duhet të jetë pikërisht në këtë pikë, sepse Qeveria e shkel Ligjin që në Nenin 1, alineja 2. Sipas Ligjit bashkësitë fetare janë të ndara nga Shteti, por ky shtet sillet krejtësisht ndryshe dhe praktikisht nuk trajton në mënyrë të barabartë të gjitha bashkësitë fetare. Ky është fokusi kryesor dhe gjigant i DASH-it që e thekson në raportin e vet e që, çuditerisht, nuk e vërejnë medisat e vendit
Në Neni 4, alineja 1 thuhet: Nuk është i lejuar diskriminimi fetar. Ndërsa DASH-I vëren se vazhdimisht investohet në rritje të diskriminimi fetar!
Neni 6 i po të njëjtit Ligj thotë: Shteti e respekton identitetin e kishave, të bashkësive fetare, grupeve religjioze dhe format e tjera të bashkimit religjioz dhe me to vendos marrëdhënie të dialogut të vazhdueshëm dhe zhvillon forma të bashkëpunimit të përhershëm.
Jo vetëm DASH-i por, të gjithë ne që jetojmë në këtë nënqiell, pra edhe mediat e vendit, jemi dëshmitarë të dekleratave të përditësuara të përfaqësuesve të Qeverisë, institucioneve dhe organeve të saj, jemi dëshmitarë të gjallë të veprimeve të vazhdueshme qeveritare që janë tërësisht injoruese kundrejt BFI-së. Me këtë sjellje injoruese në fakt përçohet mesazhi i Qeverisë se, realisht, nuk janë të interesuar për të vendosur marëdhënie të dialogut të vazhdueshëm dhe për të zhvilluar forma të bashkpunimit të përhershëm. Interesimi i tyre në këtë drejtim ndodh vetëm kur kanë interese të caktuara, si psh. për të shuar situate apo tensione që vetë i krijojnë, ose kur, thjesht, diçka e tillë u duhet sa për marketing!
Po ashtu, në Ligji për pozitën juridike të kishës, bashkësisë fetare dhe grupeve religjioze në RM, në nenin 7, alineja 2, shprehimisht thuhet: Organet shtetërore në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve të veta krijojnë kushte për kryerjen e papenguar të aktiviteteve të kishës, të bashkësisë fetare dhe grupit religjioz.
Ekzistojnë dhjetëra raste konkrete që flasin se BFI-së nuk i është siguruar kjo e drejtë nga ana e pushtetmbajtësve. Me këto raste, jo njëherë, pikërisht përmes mediave të vendit, e kemi njohtuar mbarë opinionin. Më tej, Nenin 8 i këtij Ligji tyhotë: Me ligj mund të kufizohet liria e shprehjes së religjionit ose bindjes nëse kjo është e domosdoshme në interes të sigurisë publike, rendit, shëndetit, moralit ose mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të tjerëve. Dhe, përfitmiten nga ky nen gjithnjë i kanë përjetuar vetëm KOM-i, sepse këtë ia ka mundësuar, ia ka garantuar dhe ia ka servirur vetë politika zyrtare e shtetit. Në këtë plan, BFI, por edhe grupet e tjera religjioze, gjithnjë mbeten të diskriminuar.
Neni 18, alineja 4 i Ligjit në fjalë thotë: Udhëtim pelegrinazhi është udhëtimi i organizuar i një grupi besimtarësh, nëpunësish fetarë në vende të shenjta nga ana e kishës, bashkësisë fetare dhe grupit religjioz. Gjatë organizimit të udhëtimit të pelegrinazhit organizatori është i detyruar që për grupin e besimtarëve, të nëpunësve fetarë t’i zbatojë dispozitat për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse që kanë të bëjnë me mbrojtjen preventive.
Meqenëse, bashkësitë e tjera të vendit siç duket nuk janë aktive dhe besimtarëve të tyre nuk u organizojnë pelegrinazh, sepse edhe nuk e kanë traditë dhe, mbase edhe jo normë religjioze, ky Nen, sipas institucioneve shteterore, del se na qenka në favor të BFI, dhe ja, lavdërohen, i mundësojnë BFI-së përfitime. Pra, në këtë grackë të propagandës gebelsiane qeveritare bijnë edhe mediat e vendit, mjerisht! Mjerimi është edhe më i trishtë kur disa media “tona” nuk merren me të tjera vërejtje, por merren me këtë të drejtë ligjore duke bërë komente dhe shtrembërime të cilat për argument nuk kanë asgjë më tepër se thashethëmet dhe projeksionet personale të individëve të sëmurë pas interesave meskine.
Mediat maqedonase, si çdo herë, nuk u ndalën që të hedhin dritë mbi disikriminimin fetar në vend, siç e vë fokusin edhe DASH-i në Raportin e vet por, të gjitha, si zakonisht, hidhen në sulm kundër të tjerëve për ta mbrojtur turpin e vet. Për fat të keq, disa nga mediat shqipëfolëse në vend, nuk pozicionohen ndryshe përveçse në shërbim të të favorizuarit! Aferim ju qoftë. Mbase edhe marrin ndonjë kockë për shërbimin antikombëtar e antifetar që e kryejnë!
Neni 19, alineja 1, e këtij Ligji, thotë: Objekti fetar ndërtohet në bazë të kërkesës për marrjen e pëlqimit për ndërtim. Po i theksoj këtu disa nene me qëllim që t’ju hap tema investigative mediave tona dhe të shohin se si diskriminohet tmerrësisht BFI dhe jo si përfiton. Fundja, le t’i investigojnë edhe “përfitimet” tona të cilat shkojnë ekskluzivisht në mirëmbajtjen e Medresesë dhe të Fakultetit të Shkencave Islame si dhe të institucioneve të tjera të BFI-së. Në këto sfera, KOM-i i ka të mbuluara të gjitha shpenzimet pikërisht nga Qeveria, nga shteti. Një hulumtim i përciptë medial do të nxjerrë në pah se shumë kërkesa të BFI-së presin përgjigje me vite dhe dekada. Alineja 2 i këtij neni thotë këtë: Organet e komunave dhe Qyteti i Shkupit kompetentë për urbanizëm dhe miratimin e planeve urbanistike në procedurën para dhënies së pëlqimit për ndërtimin e objektit fetar mund të kërkojnë mendim nga kisha ekzistuese, bashkësia fetare dhe grupi religjioz, gjë e cila nuk është obligative për organin. I siguroj mediat e vendit, sidomos mediat “tona” se përfitimin e kësaj alineje asnjëherë nuk e ka shijuar BFI në RM
Le t’i komentojmë shkarazi vetëm edhe dy nene të këtij ligji, sa për të parë më qartë se si diskriminohet BFI-ja dhe jo se si po “përfituaka” të mira nga kjo Qeveri. Neni 22, alineja 2, thotë: Institucionet arsimore fetare janë të barabarta me institucionet tjera arsimore dhe nxënësit dhe studentët e tyre i kanë të drejtat dhe obligimet e njëjta. Përkundër kësaj “bukurie” në letër, SHMI Medreseja Isa Beu:
– vazhdon të mos akreditohet.
– nxënësit dhe studentët i kanë obligimet e njëjta por jo edhe të drejtat.
Po të mos ishte Medreseja Isa Beu, mbi 800 nxënës do të ishin barrë mbi supet e buxhetit të RM, meqë shkollimi i mesëm është i deturuar. Rhjedhimisht BFI me vetëfinansim të shkollave të saj, po kontribuon në buxhetin e RM, ndërkaq po ky buxhet nuk parasheh as më të vogli zë, qoftë për asistencë në ndonjë rast të caktuar! A pyet ndonjëherë dikush, qofshin këta edhe mediat “tona” se sa i kushton BFI-së Medreseja Isa Beu dhe Fakulteti i Shkencave Islame? Përse askush (qofshin këta institucionet shtetërore apo mediat e vendit) nuk pyesin se cili është shpenzimi ditor i BFI-së, e cila, çdo ditë në menset e medresesë shtron mbi 1000 vakte. Po mirëmbajtja e konvikteve, në të cilat kurrë nuk mungojnë as dritat por as edhe ngrohja në kushtet edhe më të ashpra të dimrit?
Ndërkaq Neni 24, alineja 1, thotë: Planet dhe programet mësimore në institucionet arsimore fetare nuk guxojnë të jenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet. (2) Organi i administratës shtetërore kompetent për arsimin mund të kryejë kontrollin e planeve dhe programeve mësimore në institucionet arsimore fetare në kuptimin e paragrafit (1) të këtij neni.
Pa dyshim, institucionet arsimore të BFI-së plotësisht e respektojnë këtë nen, por, shtrohet pyetja, sa ky nen dhe ky Ligj, në këtë plan, ia lehtësojnë punën BFI-së? Sidoqoft, le të flasin e le të komentojnë kush të dojë çfarë të dojë! BFI do të vazhdojë t’i përmbush nevojat e besimtarëve, do t’i mbështesë besimtarët dhe do të angazhohet në mbrojtjen e të drejtave të tyre, gjithnjë duke e ngritur zërin që paratë e tyre të mos harxhohen në të mirë të një komuniteti fetar. Asnjëherë nuk do të rreshtim së kërkuasri që buxheti shtetëror të parashikojë zëra finansiare njësoj për të gjitha bashkësitë fetare të vendit. Angazhimet tona në këtë drejtim nuk do të pushojnë as përballë përpëlitjeve mediale që të na heshtin përmes skenareve gebelsiane, sepse BFI-ja është Institucion mbi gjashtëqind vjeçar që u ka bërë ballë lloj-lloj pushtuesve, perandorëve e armiqve. Janë ndërruar e kanë rënë mbretëri, pushtete e qeveri, BFI-ja gjithmonë ka qenë me besimtarët e vet dhe pran tyre. Kështu do të jetë përjetë.

(Autori është Sekretar general i BFI në RM)

Comments are closed.