Mesazhi i Reisul Ulemasë së BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, për mjetet e informimit me rastin e Fitër Bajramit, 2014

imageNë gëzimet tona t’i përfshijmë edhe njerëzit tanë që janë në nevojë
(Mesazhi i Reisul Ulemasë së BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, për mjetet e informimit me rastin e Fitër Bajramit, 2014)

Të dashur besimtarë, vëllezër e motra!

Sot, po e përfundojmë Muajin e agjërimit dhe, me plotë arsye ndjehemi më të përmbushur, më krenarë, sepse, me përulësi e me lutje, me ibadete e mirësi, duke triumfuar mbi të keqen, të ligën, të shëmtuarën, arritëm që të jemi më të devotshëm pranë Krijuesit tonë Mëshirëplotë. Muaji i Ramazanit është pikënisja e rrugëtimit tonë të përjetshëm drejt Dritës së Shenjtë, që u shfaq pikërisht në këtë Muaj e që do të ndriçojë përjetë.
Gëzohuni vëllezër e motra, qëndroni krenar të gjithë. Allahu Fuqiplotë na i ndjeu lutjet, ibadetet tona, ndaj dhe për tridhjetë ditë rresht na i mbajti të hapura dyert e Xhenetit. Në Xhenet hyjnë vetëm të devotshmit, ata që janë të pastër në shpirt, vetëm ata të cilëve Allahu i Madhërishëm u dhuroi mëshirë. Dhe ne sot lutemi me përulësi:

“Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh”. (Ali Imran 8)

Vëllezër e motra, të dashur besimtarë!

Nesër do ta festojmë Bajramin. Do ta falenderojmë Allahun xh.sh. për atë që na e mundësoi të agjërojmë edhe një Ramazan, e falënderojmë për të mirat që na i ka dhënë! Por, të mos harrojmë: këto falenderime do të kishin kuptim dhe do të ishin të pranueshme vetëm nëse në gëzimet tona do të përfshinim edhe njerëzit tanë që janë në nevojë: skamnorë, të varfër, jetimë, por edhe institucionet tona islame. Prandaj, në fund të Ramazanit na është bërë obligim dhënia e Zekatul Fitrit. Pejgamberi a.s. thoshte se me dhënien e Zekatul Fitrit ne pastrojmë agjërimin tonë nga fjalët e tepërta, mëkëmbim dhe përforcojmë institucionet e thirrura për normat islame si dhe ndihmojmë ata që janë në nevojë.
Unë e lus Zotin Fuqiplotë që të na i pranojë të gjitha veprat e mira, të gjitha lutjet dhe ibadetet që i kemi kryer gjatë Muajit të Ramazanit. E lus Zotin Fuqiplotë të na ruaj prej të këqijave dhe prej qëllimkëqinjve. Paçi bekimin e Allahut xh.sh.
Për fund, vëllezër e motra, më lejoni nga zemra t’ju uroj

GËZUAR FITËR BAJRAMIN

Reisul Ulema i BFI-së
H. Sulejman ef. Rexhepi

Comments are closed.