Intervistë me Reisul Ulemanë e BFI-se, H. Sulejman ef. Rexhepin

Untitled-2Muslimanëve të Europës u duhet një zë reprezentativ

Unë, personalisht, jam ithtar i ruajtjes, i kultivimit të diversiteteve tona dhe i trajtimit të tyre si vlera shumë të larta për mbarë njerëzimin. Nëse jemi ata që mezi presim të inkuadrohemi në BE, po ashtu jemi ata që mezi presim të vihemi në sprova të dëshmisë së respektit tonë për diversitetin e përgjithshëm europian

Biseduan: Abaz Islami

Avni Halimi

Nga mesi i muajit maj, në Bruksel të Belgjikës, Sekretariati i Shurës Euro-Aziatike pranë Dijanetit të Turqisë, organizoi një konferencë ndërkombëtare më temë “Uniteti në diversitet dhe perspektiva jonë e përbashkët në Evropë”. Ju duket që Evropa ka respekt për angazhimet dhe përpjekjet tona pro-evropiane? Cili diversitet u vu në spikame gjatë kësaj konference?

Fatkeqësisht, tragjedia që ndodhi pikërisht ato ditë në Soma të Turqi, ku humbën jetën mbi 300 minatorë turq, la nën hije qëllimin e tubimit tonë. Organizatori u desht të tërhiqet dhe të kthehet në shtetin e vet, pra në Turqi, ndërsa edhe ne të ftuarit, përfaqësuesit nga shtetet euro-aziatike, sado që u angazhuam rreth temës, megjithatë shprehëm solidarizimin tonë me organizatorin dhe mbarë popullin turk. Gjithësesi, përgjatë takimeve tona të ndërsjella me delegacionet e shumtë, jo se nuk e trajtuam hallin tonë të përbashkët. Cili është ky, aktualisht?

Habitati ynë tradicional e kulturor është jashtëzakonisht i pasur. Në këtë organizatë aderojmë dhjetra e dhjetra popuj të ndryshëm, prej të cilëve një pjesë bukur e madhe përfshihen dhe vegjetojnë rreth boshtit të shteteve të Bashkimit Europian. Në këtë rrafsh Organizata e Shurës Euro-Aziatike karakterizohet nga një diversitet me plotë respekt, harmoni e ndihma reciproke. Dhe ky diversitet duhet të ngritet deri në një zë unik, në një strategji të përbashkët dhe në një pikësynim nga i cili nuk guxojmë të heqim dorë për asnjë çmim. Organizata jonë, për nga aspekti i diversiteteve, është identik me atë të Bashkimit Evropian, i cili, ndonëse i përbërë prej shumë shteteve, popujve, traditave, mentaliteteve, kulturave, megjitahtë, ka arritur ta institucionalizojë dhe ta ngrisë në kult respektin, harmoninë dhe zërin unik, madje në të gjitha sferat e jetës shoqërore, politike, ekonomike, sociale, kulturore etj. Ne natyrshëm jemi pjesë e këtij Unioni dhe, unë mendoj që, komunitetet muslimane të rajonit duhet që sa më parë të arrijnë deri te ai zë reprezentativ që fuqishëm do ta kumtojë dëshirën por edhe nevojën për respektimin reciprok të diversiteteve të shumta që janë asete të dhuruara nga Krijuesi ynë i përbashkët. Pothuajse, na është ngritur në kompleks shtrembërimi i faktit se kinse Evropa nuk na pranon për shkak të përkatësisë sonë fetare!

Thoni që një përjashtim i tillë nuk është pjesë e strategjisë antimuslimane të shumë shteteve të BE-së?

Nuk ka strategji për përjashtime. Në asnjë mënyrë! Vetëm skeptikët e verbuar, naivët e rëndë dhe “pesimistët” e kamufluar do të ushqenin një mendim të tillë. Në shtetet Evropiane ka më shumë muslimanë se sa në të gjitha shtetet e tjera që kanë ngelur jasht Unionit Europian, përjashto këtu Turqinë.

Europa në mënyrë permanente po e përjashton Turqinë nga gjiri i vet?

Myslimanët e turqisë janë pjesëtarë të një civilizimi të hershëm, janë pjesëtarë të një perandorie e cila në rrafshin civilizues, kulturor, politik etj, botës i ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Sot, shtetasit e Turqisë jetojnë dhe kontribujnë anekënd shteteve europiane, janë të etabluar dhe të integruar në çdo shoqëri ku jetojnë dhe veprojnë. Janë model i punëve të hajrit e i kultivimit të vlerave të përgjithshme njerëzore. Sot Turqia është një nga dritaret kryesore tej së cilave Europa e shikon botën më për së afërmi. Fatkeqësisht, nëse më lejohet të shprehem figurativisht, ka hijena të cilat i zgjasin turinjtë kah kjo “dritare” duke e frikuar edhe Europën. Pra, Europa nuk i do të destabilizuar kufijtë e saj.

Me Turqinë në Europë – Europa do të obligohej që ta mbrojë një pjesë të kufirit të parehatshëm turk?

Kjo çështje kaq sensitive i ngelë për trajtesë politikave më të larta dhe fuqive shtetërore që dinë të ndërmarrin dhe të sjellin vendime konkrete në kohët e duhura. Unë, personalisht, jam ithtar i ruajtjes, i kultivimit të diversiteteve tona dhe i trajtimit të tyre si vlera shumë të larta për mbarë njerëzimin. Nëse jemi ata që mezi presim të inkuadrohemi në BE, po ashtu jemi ata që mezi presim të vihemi në sprova të dëshmisë së respektit tonë për diversitetin e përgjithshëm europian. Jam shumë optimist dhe ndjej se do ta kemi edhe ndihmën e Zotit Fuqiplotë që të arrijmë deri te një zë që do të jetë unik dhe reprezentativ për të gjithë ne, komunitetin musliman të shteteve që akoma jemi jasht kufijve të përkohëshëm dhe artificial të BE-së. Them kështu sepse, kufijt e natyrshëm të BE-së shtrihen edhe në Shqipëri dhe Turqi brenda të cilëve përfshihen edhe territoret e tjera shtetërore si, Maqedonia, Kosova, Bosnja, Mali i Zi, pse jo, edhe Serbia.

Por që ekziston një muslimanofobi dhe një islamofobi, këtë nuk mund ta mohojmë?

Mbajtja gjallë e një fobie kundër një komuniteti nacional (siç i thoni ju “muslimanofobia”) është ana tjetër e racizmit. Europa me racizmin ka vite e vite që është përshëndetur. Është një fuqi e pamposhtur në luftë kundër racizmit dhe këtë e ka dëshmuar në shumë raste, madje edhe në kohërat jo shumë të largëta për ne. “Islamofobija” – nuk është fenomen institucional, duhet të pranojmë, nuk është ndonjë strategji shtetërore, porse, më tepër është si një dukuri e shëmtuar që në mënyre incidentale shprehet nga komunitete të margjinalizuara, nga lëvizje fashiste e raciste që pa dyshim se janë të luftueshme nga qeverite e vendeve evropiane. Madje këtë problem në mënyre mjaft profesionale e rrahu dhe e elaboroi edhe Kryetari i Dijanetit të Turqisë. Ai në

mënyrë të qartë nënvizoi se në asnjë rast nuk guxojmë t’i lëshojmë vend fobive të tilla, sepse, në një situatë të tillë do të kishim vetëm urrejtje, ballafaqime dhe konflikte. A nuk është Europa pikërisht ajo që në asnjë mënyrë nuk e pranon as urrejtjen e as konfliktet. Prandaj mburret dhe investon pandarë në ruajtjen dhe në kultivimin e diversiteteve. Diversiteti është pasuri e përbashkët që na e dhuroi Krijuesi Fuqiplotë dhe që po ky diversitet na mban të tubuar rreth po Atij Krijuesi Fuqiplotë.

A kemi dhënë prova konkrete dhe të qarta se jemi përkrahës të pamohueshëm të diversitetit. Reisul Ulema, islami gjithnjë e më shumë po sulmohet dhe, edhe muslimanët jo se po rrinë gjithëaq indeferent ndaj përbaltjes, përdhosjes dhe sulmit që po i bëhet fesë së tyre.

Fatmirësisht, institucionet e BE-së por edhe të shteteve aderuese deri më sot nuk kanë shprehur ndonjë fobi apo sulm antisilam. Edhe ne, si komunitete apo si institucione fetare kemi qenë mjaft të kujdesshëm dhe gjithnjë në shërbim të islamit të vërtetë. Institucionet tona fetare, të të gjitha viseve që i nënvizuam më sipër, përgjatë bashkëpunimeve qoftë bilaterale qoftë multilaterale, çdo herë kanë hasur në mirëkuptim, në vlerësime dhe në respektim të vlerave tona të larta njerëzore nga ana e komunitetit dhe faktorëve të ndryshëm ndërkombëtar. Megjithatë, kujtoj se ka ardhur koha për një strategji më të lartë veprimi dhe bashkëpunimi. Evropa po shkon drejt rrumbullakësimit dhe unifikimit të institucioneve të veta. Evropa shumë shpejt, për çdo sferë do ta ketë një zë, një mendje, një institucione dhe, ky unitet nuk do të ketë kohë dhe nuk do ta pranojë si normale që të bashkëbisedojë e të bashkëpunojë me të gjitha komunitetet veç e veç, t’ua dëgjojë hallin dhe nevojat secilit në vete. Edhe ne duhet të gjejmë modalitete të reja përfaqësimi. Duhet ta gjejmë atë zë që do të flasë në emrin e të gjithë muslimanëve të këtyre viseve. Pra, na duhet ai zë reprezentativ, institucional dhe nga pala tjetër të trajtohet si i nivelit të barabartë. Vetëm ateherë do të jemi më afër, më të dashur, më të respektueshëm dhe rojtarë të devotshëm të diversiteteve tona.

Në javën e fundit të muajit maj, prezantuat edhe në një simpozium të organizuar nga Fakulteti Ilajihat i Universitetit të Stambollit, në të cilët morën pjesë drejtues të fakulteteve të shkencave islame nga Bosnja dhe Hercegovina, nga Prishtina, Maqedonia, Bullgaria, Greqia dhe Turqia. Qëllimi i simpoziumit ishte njohja me plan-programet e këtyre fakulteteve!

Po! Them që po bëhet shumë mirë me ngritjen e këtyre iniciativave. Shumë nga vendet tona po kalojmë nëpër reformat arsimore të bazuara kryesisht në “Sistemin e Bolonjës”! E kemi pranuar këtë sistem, sepse tashmë i njëjti është ngritur në vlerë të padiskutueshme europiane. Ne, nëse dëshirojmë të përfshihemi në kuadër të BE-së, nuk mund të qëndrojmë jashtë këtij sistemi arsimor. Gjithësesi, sistemi arsimor i fakulteteve tona është më specifik por, këtu jemi për harmonizim të punëve në të mirë të gjeneratave të reja. Në këtë simpozium nënvizova nevojën imediate për unifikim të programeve tona arsimore. Unifikimi i programeve nuk nënkupton eliminim apo harrje të vlerave të cilat janë kuptimi i diversitetit. Unifikimi i programeve

arsimore i përfshinë në sistem dhe i bën të obligueshme njohuritë fakultative dhe shkencore për të gjitha vlerat që i kemi veç e veç si popuj dhe si vende. Thellimi i njohurive veçsa na afron edhe më shumë, veçsa ia ngushton deri në zhdukje hapësirën thashethemeve, manipulimeve, interpretimeve te diskutueshme, që bëhen në emër të fesë, në emër të shkollave tona juridike fetare, në emër të shkencës islame.

Ju mendoni se kjo do të jetë sfida kryesore e universiteteve islame të shteteve që synojnë përfshirjen në BE?

Është një nga sfidat kryesore! Megjithatë, personalisht për mua, është një sfidë edhe më e madhe për të cilën po kërkoj mirëkuptim përgjatë shumë takimeve me faktorët e ndryshëm të vendeve arabe e islame. Duhet të përmirësohet një padrejtësi e madhe që i është bërë Historisë Islame, si lëndë shkencore. Në këtë lëndë në mënyrë të detajuaj mësohet për islamin në kohën e Pejgamberit a.s., pastaj për islamit në kohën e Hulefai Rashidin, për islamin gjatë periudhës së dinastisë abasite, emevite etj. por, fare pak mësohet për islamin e periudhës osmane. Pra, po flasim për lëndën e Historisë Islame dhe jo për Historinë e Perandorisë Osmane si lëndë më vete. Trashëgimia shpirtërore dhe kulturo-istorike e periudhës së Perandorisë Osmane flet për një përkushtim madhështor të kësaj perandorie në raport me fenë islame, flet për një sistem shpirtëror kryekëput islam, flet për një jetë, për një angazhim shekullor që ka qenë ekskluzivisht në të mirë të fesë islame, të muslimanëve por edhe në të mirë të popujve të tjerë, konform rregullave, parimeve dhe mësimeve islame. Veç të tjerave, i kanë shërbyer për plotë 500 vjet islamit, ndërsa e tërë kjo në Historinë islame mësohet shkarazi, gati me një mospërfillje të dukshme. Me këtë dua të them që, unifikimi i plan-programeve mësimore islame duhet të shtrihet edhe më gjërë dhe më thellë.

A ekziston rreziku që në emër të këtij unifikimi të eliminohen karakteristikat dhe veçoritë e muslimanëve të trevave ku funksionojnë këta fakultete islame?

Nëse ekziston ky rrezik, atëherë, ç’kuptim ka këtu që të flasim për përkushtimet tona në ruajtje dhe në kultivim të diversiteit. Veçoritë, vlerat historike e shpirtërore të çdo pjesëtari të islamit duhet të ruhen, të kultivohen, të njihen, të studiohen. Fundja, ky është vetë Vullneti i Krijuesit tonë, i cili, në Kur’an thotë: “… Ne ju krijuam Ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri tjetrin…” Natyrisht, një prej kushteve kryesore për ta praktikuar këtë ajet kuranor është respektimi i ndërsjellë, dashuria e sinqertë për njëri tjetrin, studimi me përkushtim për tiparet, veçoritë e njëri tjetrit, si fise, si etni, si popuj…

Në vazhdën e kësaj që po flasim këtu, prezantuat edhe në konferencën botërore për dialog ndërkonfesional organizuar nga Bashkësia fetare e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e punëve të jashtme të Kosovës. Bëhet fjalë për një konferencë të ngjashme si ajo që organizohet në çdo dy vite në Maqedoni!

Jo, jo! Konferënca ndërkonfesionale që organizohet në Maqedoni reflekton shumë nuanca të politikave nacionale maqedonase. Kjo konferencë shumë më tepër angazhohet që ta bëjë të

njohur Maqedoninë ndër ato vende prej nga vijnë klerikët e ftuarit, se sa që mëton të cysë një dialog të mirëfilltë ndërkonfesional. Në Kosovë kjo konferencë është shumë më e gjërë për nga aspekti i pjesëmarrjeve dhe me vija shumë të qarta në aspekt të përforëcimit të dialogut ndërfetar. Ne, si Bashkësi Fetare Islame, konferencën e vjetme në Maqedoni e bojkotuam, nuk morëm pjesë duke e informuar opinionin e vendit dhe atë botëror për arsyet e këtij bojkotimi. Thjesht, e bojkotuam për shkak të politikave diskriminuese që i zhvillon një shtet i cili mëton të na partaqitet si “kultivues i dialogut ndërfetar”! Dy javë më vonë, në Pejë të Kosovës, u mbajt konferenca botërore e dialogut ndërfetar ku ne prezantuam dhe takuam shumë delegacione që kishin marrë pjesë në konferencën e Maqedonisë e që plotësisht shprehnin solidaritet me qëndrimin tonë karshi politikave shtetërore diskriminuese për ne.

Reisul Ulema, këtu folëm për angazhimet e juaja në konferenca e simpoziume botërore, evropiane e ballkanike. Po takimet ndërmjet prijësve fetar të viseve tona etnike?

Takimet i kemi të vazhdueshme. Madje si rrjedhojë e këtij bashkëpunimi të ngjeshur kemi ngritur një iniciativë shumë të shëndoshë. Këto ditë qëndruam në Tiranë për t’i dhënë udhë një nisme shumë të mbarë. Thënë shkurt, për të hedhur bazat e një fjalori terminologjik islam në gjuhën shqipe i cili, pa dyshim, do ta pasuronte fjalorin e sotshëm të gjuhën sonë.

Në këtë kohë kur në mes të intelektualëve, akademikëve e albanologëve shqiptarë po zhvillohet një debat i ashpër për sa i përket pasurimit të fjalorit me fjalë dialekti, sidomos nga ai geg! Standardistët (“rojtarët” e gjuhës standarde) në mënyrë kategorike refuzojnë ndërhyrjen në fjalorin shqip!

Ne nuk pretendojmë të futemi në kompetencat e këtyre “rojtarëve”. Thjesht, ne po angazhohemi për një standard të veçantë, standard ky që do të ishte në funksion të gjuhës së sotshme shqipe. Kur intelektualët e kohës iu qasën projektit më madhor kombëtar, standardizimit të gjuhës sonë, për këta intelektualë, përkatësisht për politikën e atëhershme zyrtare, feja islame ishte veçse një nocion. Kush e ka menduar atëherë se një ditë shqiptarët do të ngriten kualitativisht në aspekt shpirtëror, se do të bëhen me medrese, fakultete e institucione të ndryshme islame. Për rrjedhojë, sot, nëpër debate të ndryshme, shumë nga intelektualët tanë, të “proviniencës laike”, po dalin qesharakë kur po i futen debateve fetare, po flasin me një fjalor shumë të varfër, me një terminologji të pakuptimtë e të shtrembëruar. Natyrisht, janë plotësisht të pafajshëm, sepse, nuk kanë literaturë adekuatë, siç do të ishte një fjalor terminologjik islam në gjuhën shqipe.

Mendoni se intelektualët e “proviniencës fetare” janë korrektë në aspekt të përdorimit të terminologjisë islame?

Pa dyshim që po! Korrektë, kompetentë dhe profesionistë! Por, edhe në mesin tonë kemi probleme gjuhësore, pra, janë të natyrës drejshkrimore. Unë, nëpër shkrimet e teologëve tanë, shpesh has nëpër fjalë që më fusin në dilemma. Në mungesë të atij standardizimi të gjuhës shqipe islame, në letrat shqipe ndeshim herë fjalën mysliman e herë musliman. Përdoret herë si Allah e herë si All-llah! Herë si Muhamed e herë si Muhammed! “Nuk dimë” si ta pagëzojmë

fëmijën: Ymer, Omer, Umer! Ta përdorim fjalë Ummet, Umet apo Ymet! Veç kësaj, është e pafalshme, për të mos thënë madje edhe e turpshme, përdorimi i fjalëve greke e latine përgjatë shpjegimit të problemeve dhe fenomeneve islame. Të gjithë shqiptarët, pa dallim përkatësie fetare, duhet të shkrihemi për gjuhën tonë, ta ruajmë gjuhën e standardizuar si thesarin tonë më të çmueshëm. Por, pa dyshim, kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga ato fjalë që na vijnë nga Gjuha e Krijuesit tonë, nga ato fjalë islame të cilat janë të pashpjegueshme me cilatdo fjalë të tjera dhe nga cilado gjuhë tjetër. Janë vërejtur dhe akoma vërehen përpjekje për t’i përkthyer fjalët nga terminologjia islame por, të jeni të sigurtë, në tetëdhjetë për qind të rasteve ato përpjekje nuk e tregojnë kuptimin e duhur dhe të mirëfilltë islam.

Problemet, për të cilat po flisni me të drejtë, jo rallë i hasim edhe në shkrimet apo përkthimet e atyre që janë më të thirrur që sa më pak të gabojnë në këtë drejtim!

Tashmë puna e shkrimit dhe përkthimeve ka ngelur në shijen e autorëve dhe të përkthyesve. Secili po përdor fjalë, emra e terme ashtu siç i pëlqen atij, ashtu siç mendon ai se është më drejtë. Po ky problem nuk duhet të jetë punë dëshirash! Paramendoni sikur kjo të ndodhte në fjalorin terminologjik të shkencave kompjutoristike, të informatikës, kibernetikës etj! Do të kishim një kakofoni temresh sa diletanteske aq edhe qesharake. Gjuha islame është mijëra vite para gjuhës së këtyre shkencave bashkëkohore por, fatkeqësisht, fjalët e kësaj gjuhë në shqip i keqshkruajmë, i keqshqiptojmë, i keqinterpretojmë.

Rrugëdalja?

Ne, udhëheqësit e komuniteteve islame të trevave tona etnike, kujtojmë se jemi në një nismë të mbarë, të hajrit dhe shumë shkencor. Këto ditë nënshkruam bashkëpunimin për hartimin e një Ilmihali të përbashkët në gjuhën tonë. Kjo do të jetë hyrje në unifikimin e literaturës islame në gjuhën shqipe. Kjo do të ndihmojë edhe nismat e përbashkëta për një fjalor terminologjik islam në shqip. Do të ngrisim komisione prej gjuhëtarëve, ekspertëve islamologë, prej profesionistëve adekuatë të cilët do ta përpilonin fjalorin terminologjik islam si dhe një libër rregullash për shkrimin e drejtë të shprehjeve dhe termave islame në gjuhën shqipe.

Po e përmbyllim këtë bisedë rasti me Muajin Ramazan. Ramazani filloi ndërsa si Rijaset keni zhvilluar sërë përgatitjesh me qëllim që ky muaj të shkojë sa më mbarë për të gjithë muslimanët e vendit. Çka e karakterizon periudhën e juaj në mes të dy Ramazaneve?

Natyrisht, punët e përditshme, përcaktimi i prioriteteve, ndarja e detyrave, marrja e obligimeve, kryerja e punëve në shërbim të muslimanëve të vendit! Kemi Medresenë, tashmë të dispersuar nëpër disa qytete, medresenë e vajzave, kemi Fakultetin, pastaj Konviktin e Medresesë, kemi organet e Bashkësisë Fetare Islame… Dikush për këto dhe për mbarëvajtjen e punëve duhet të mendojë dhe të angazhohet. Vetëm për medresantët tanë në ditë shtrohen nga 900 shujta! Në mes të dy ramazaneve kemi mbajtur manifestime të ndryshme, kemi shënuar data e ngjarje të rëndësishme për fenë tonë; kemi ndërtuar xhami por dhe kemi shtuar vakëfin. Janë përgatitur qindar orë emisione televizive, janë regjistruar dhjetra ligjërata fetare kushtuar Muajit të Bekuar

të Ramazanit. Angazhimet dhe detyrat shtohen gjithnjë e më shumë në prag të Muajit të agjërimit. Të gjitha këto i rrumbullaksuam me tubimin madhështor që e patëm në Sallën Universale ku sado pak ndikuam në përjetim të një atmosfere festive në prag të Ramazanit. Për këtë qëllim, personalisht isha angazhuar që ky tubim të përshkohej edhe me një program artistik i përbërë nga ligjerata profesionale mbi muzikalitetin e Kur’anit, mbi nuancat muzikore në të kënduar të Kur’anit. Ligjërues ishte profesori i respektuar nga Turqia, docent doktor Ubejdullah Sezikli, i cili, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e vet si dhe nga profesori yn i mirënjohur, Abaz Jahja, mahniti të pranishmit me zërin e vet të mrekullueshëm gjatë ekzekutimit të disa pikave muzikore islame. Unë e lus Allahun xh.sh. që gjatë tërë ramazanit të na përshkojë kjo frymë festive, agjëruesit të kalojnë një agjerim të lehtë e të mbarë. E lus Allahun xh.sh. që të na i pranojë të gjitha ibadetet e kryera gjatë këtij Muaji të Bekuar, të jemi më të vëmendshëm ndaj xhematit tonë në nevojë, të jemi sa më pranë tyre, të jemi sa më shumë kontribues në mirëmbajten e institucioneve tona fetare e arsimore. Vetëm kështu mund ta përplotësojmë devotshmërinë tonë. Allahu xh.sh. na i pranoftë ibadetet përgjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit, na dhëntë jetë më të gjatë për ta përjetuar sa më shumë bukurinë dhe të mirat madhështore të Ramazanit.

Amin!

Comments are closed.