Edhe 14 certifikata nga Agjencia për Standardin Hallall

Edhe 14 certifikata nga Agjencia për Standardin Hallall

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, kanë ndarë më 3 tetor, 2019, në Hotel Gold në Shkup, edhe 14 certifikata nga Agjencia për Standardin Hallall. Kjo agjenci vepron në kuadër të BFI-së dhe tashmë qe shtatë vjet, bashkë me Ministrinë e Ekonomisë të RMV, po i certifikojnë firmat sipas Standardit Hallall, që nënkupton sigurimin shtesë në industrinë ushqimore, se produktet që nxjerrin në treg firmat janë të shëndetshme, kualitative dhe se të njëjtat nuk përmbajnë elemente kancerogjene, as ngjyra, aroma, aditivë, emulgatorë të dëmshëm për shëndetin e njeriut. Këtë vit, tha drejtori Muhamer Veseli, Agjencia për Standardin Hallall ka ndarë edhe certifikatën e parë për firmat shërbyese (hotele etj.), përkatësisht më 2019 atë e ka marrë Hotel Gold nga Shkupi.
Ministri i Ekonomisë, z. Kreshnik Bekteshi, u shpreh i kënaqur nga puna e Agjencisë për Standardin Hallall dhe tha se certifikimi i kompanive paraqet një lloj konfirmimi të përmirësimit të konkurrencës midis tyre dhe një lloj ‘kartoni të gjelbër’ gjatë sigurimit të plasmanit në tregjet e reja. Subvencionimi që bën Ministria e Ekonomisë, tha ai, do të vazhdojë, për shkak se tregu global Hallall vlerësohet në më shumë se 800 miliardë dollarë, ndërsa vetëm ai evropian në mbi 66 miliardë dollarë në vit.
Firmat që morën Certifikatën Hallall janë: Ferma e shpezëve “Shest Braqa”- Shkup, Flores doo Radovish, Aneta Kompani dooel Shkup, Vitaminka AD Prilep, Vitaminka – Brilijant Shtip, Tiamo doo Shkup, Gold Deluks dooel Shkup, Hit 73 doo Bogovinë, Alkaloid AD Shkup, Swislion Agroplod dooel Resnjë, Andonov dooel Sveti Nikole, Grand Eksport (Busto) dooel Shkup, Ëmbëltore Antep – Omer. M Gostivar dhe Viaprom dooel Ohër.

Comments are closed.