Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Çlirimi i Mekës

[:al]Çlirimi i Mekës është histori në vete, përplot urtësi e mësime për ata që kanë arsye. Të shkruash për këtë ngjarje shumë të rëndësishme të historisë njerëzore në përgjithësi dhe të asaj islame në veçanti,  kërkon njohuri dhe mund; këtë e kanë arritur disa nga historianët islam që kanë bërë hulumtime në këtë drejtim.

 

Shkruan: Jasir Osmani

Para se të japim disa nga mësimet e shumta të kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë sonë të bujshme islame, e shoh të arsyeshme me disa fjalë të përshkruajmë historikun e Çlirimit të Mekës.

Meka që nga dita që është themeluar e deri më sot është i pari nga tre qytetet e shenjta të myslimanëve. Aty lindi vula e profetëve,  Muhamedi (a. s.), aty shtrihen vendet e shenjta si Qabeja, Arafati, Muzdelifja, Mina, Shpellat Hira dhe Theur dhe shumë vende të tjera me rëndësi të historisë islame.  Me fjalë të tjera,  është vendi ku filloi shpallja dhe përhapja e Islamit. Në vitin 622 profeti Muhamed (a. s.),  pas shumë persekutimeve, u detyrua ta lëshojë vendlindjen e të shpërngulet për në Medinë. Pas pritjes së ngrohtë vëllazërore atje, për një periudhë të shkurtër marramendëse themeloi Shtetin Islam. Një nga mësimet hyjnore ishte që të jetojë në paqe me të gjithë.  Me këtë arsye edhe bëri marrëveshjen e njohur të Hudejbijes me idhujtarët. Këta të fundit,  pas tre viteve,  këtë marrëveshje e thyen dhe si pasojë e kësaj u bënë disa luftëra. Një nga ato luftëra, por pa derdhur gjak dhe pa u përleshur,  ishte edhe çlirimi i Mekës, ku Muhamedi (a. s.) në vitin e 8 hixhri, më 20 ramazan të vitit 630, me një ushtri prej 10.000 vetave, pa derdhur asnjë pikë gjaku, e çliroi dhe pastroi Mekën nga idhujt. Vlen të përmendet se më herët Mekën kanë dashur ta pushtojnë romakët, bizantinët, madje Kurani përmend edhe rastin e Ebrehasë,  që dëshironte ta rrënonte Qabenë, por këto tentativa ishin të pasuksesshme. Me ndihmën e Allahut të Madhërishëm,  Meka pa dhunë dhe pa luftë u çlirua nga ana e myslimanëve. Historia njerëzore nuk do ta mbajë mend shumë këtë çlirim,  sa nuk do ta harrojë fjalimin historik të Muhamedit (a. s.) drejtuar mekasve, atyre që e keqtrajtuan dhe e dëbuan nga vendlindja. Pas një periudhe dhjetëvjeçare, kur tanimë Muhamedi (a. s.) hyri në këtë qytet, kur të gjithë pritnin hakmarrje, ai ua fali. Nga kjo ngjarje që ka ndodhur para XV shekujve mund të nxirren shumë mësime edhe sot e kësaj dite; për atë edhe janë shkruar libra të shumtë. Ne këtu do të përmendim shkurtimisht vetëm disa prej tyre.

Pa sakrificë nuk ka sukses

Çlirimi i Mekës ishte një fillim i fitoreve të myslimanëve, u realizua ajo që e premtoi Allahu i madhërishëm. Pas maratonës njëzetvjeçare të mundit, durimit dhe sakrificës Allahu i Lartësuar solli fitoren. Nga kjo ngjarje del një mësim edhe për njeriun bashkëkohor të këtij shekulli, njeriu, qoftë për ndonjë kauzë apo çështje të kësaj bote, sado që të jetë e vogël, apo për shpëtim në botën pafund, pa sinqeritet, vendosmëri, mund, durim, sakrificë dhe angazhim, nuk mund të arrijë të dëshiruarën. Individët dhe shoqëritë që nuk e kanë të qartë këtë, janë shoqëri përtace dhe të pasuksesshme; atyre,  edhe nëse u dhurohet një liri apo një e drejtë, nga arsyeja se ka ardhur e gatshme,  nuk ia dinë vlerën,  madje shumë shpejt edhe e humbin.

Falje

Ditën e çlirimit,  kur të gjithë ata që persekutuan dhe maltretuan, që mbytën e dëbuan pritnin hakmarrje, Muhamedi (a. s.) ua fali të kaluarën. Kjo ngjarje na mëson se edhe ne brenda jetës mund të gabojmë, por edhe dikush tjetër mund të na bëjë ndonjë padrejtësi neve. Nga ky veprim i Muhamedit (a. s.) mësojmë që të mësohemi se si t’ia falim vetes, familjes, shoqërisë,  madje edhe popullit në përgjithësi po qe se na është bërë ndonjë padrejtësi. Kjo ngjarje mëson edhe ata që jetojnë në shtetet multikulturore, multifetare dhe multietnike se besimtari në këto rrethana duhet të jetë promotor i faljes, paqes, tolerancës dhe jo i destabilizimit dhe tollovive.

Besim i pastër

Me çlirimin e Mekës Muhamedi (a. s.) urdhëroi që të thyhen 360 putat që gjendeshin në brendi dhe në rrethinë, madje të fshihen edhe figurat e Ibrahimit (a. s.), Ismailit (a. s.) dhe Is’hakut (a. s.) të vizatuara në brendinë e Qabesë. Pas kësaj Profeti hyri brenda,  ku fali dy reqatë namaz, pastaj doli, përshëndeti gurin e zi dhe bëri tavaf Qabenë. Kjo do të thotë se asnjëherë nuk mund të qëndrojnë bashkë politeizmi dhe monoteizmi, mosbesimi dhe besimi. Allahu i Lartësuar na mëson se kur vjen e vërteta,  zhduket e kota. Na mëson se pas suksesit të arritur,  ne jo të dehemi nga gëzimi,  por të falënderojmë Zotin e vetëm për këtë sukses. Mësojmë edhe atë se nuk preferohet falja e namazit në vende ku ka puta dhe fotografi.

Respekto marrëveshjen

Çlirimi i Mekës ndodhi pasi që idhujtarët tradhtuan fjalën e dhënë dhe thyen marrëveshjen dhjetëvjeçare që kishin bërë me myslimanët. Nga ky veprim i mësuesit tonë,  Muhamedit (a. s.),  duket qartë se ne myslimanët e kemi imperativ që t’u qëndrojmë besnik marrëveshjeve të bëra,  qofshin ato me mysliman apo jomysliman. Madje,  na mëson se jo vetëm kur të jesh i dobët, por edhe kur të jesh i fortë duhet të japësh maksimumin dhe të kontribuosh dhe mundohesh të arrish marrëveshje për paqe.

Modestia

As Muhamedi (a. s.),  po as sahabët nuk hynë në Mekë me kryelartësi, por kokulur, me modesti dhe falënderim ndaj Krijuesit. Gjatë qëndrimit të shkurtër në Mekë u mor vendimi që lufta në këtë qytet është e ndaluar, se Meka është një qytet i sigurt, i shenjtë dhe i bekuar. Nga kjo mësojmë edhe disa obligime fetare. Kur të arrijmë ndonjë sukses në jetën tonë, qoftë në jetën private apo profesionale, madje edhe kundrejt armikut mos të bëhemi kryelartë e të krenohemi,  por të jemi modest, të falënderojmë Zotin për atë mirësi që na u ofrua.

Përmbyllje

Asnjëherë mos ta largojmë nga mendja se nëse sot miliona myslimanë vizitojnë Qabenë për të bërë haxhin apo umren, pra hyn në Mekë, janë borxhlinj Ibrahimit (a. s.) dhe Ismailit (a. s.) që e ndërtuan dhe Muhamedit (a. s.) që e çliroi atë vend.[:]

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni