Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

[:al]Beteja e Bedrit, moment historik i myslimanëve[:]

[:al]Secili popull shënon datat e rëndësishme në historinë e vet. Ngjarjet historike shënohen, sepse disa prej tyre i kanë ndryshuar rrjedhat e historisë. Ato mundësojnë që të përfundojë një epokë e historisë e të lindë një tjetër, e re.

Shkruan: Mr. Lutfi Nexhipi

Beteja e Bedrit konsiderohet si beteja më e njohur në gjithë historinë islame. Allahu i Madhëruar në librin e Tij e emërton këtë betejë si Dita e Furkanit (e ndarjes mes të kotës dhe të vërtetës), duke thënë: “….Dhe në atë që i kemi shpallur robit Tonë ditën e Furkanit (luftën e Bedrit), atë ditë kur u ndeshën dy ushtritë. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Kuran, VIII:41)

Kjo betejë ka ndodhur në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të shenjtë të Ramazanit,  viti i dytë pas migrimit të Muhamedit (a. s.) në Medinë, e cila korrespondon me datën 13.03.624 sipas kalendarit diellor.

Shkaqet e Betejës së Bedrit

Shkaku i Betejës së Bedrit ishte dalja e të dërguarit të Allahut me shokët e tij dhe zënia pritë për karvanin e kurejshitëve që kalonte nga Shami në Mekë. Nuk ka dyshim se një veprim i tillë i Muhamedit (a. s.) i irritoi kurejshitët, sepse ata ishin në luftë me të dhe në mes tyre nuk kishte asnjë marrëveshje. Përveç kësaj, ata e dëbuan Muhamedin (a. s.) bashkë me shokët e tij nga vendlindja e tyre dhe ua konfiskuan pasurinë, si dhe me një arrogancë të paparë kundërshtuan thirrjen e të Dërguarit për besimin në Një të Vetmin Zot, në Allah. Me të dëgjuar mekasit për sulmin ndaj karvanit,  menjëherë u përgatitën,  të bindur se do të mund ta realizojnë atë që kishin në mendjet e tyre ku Allahu (xh.sh.) në Kuran thotë: “Mos u bëni si ata që dolën prej shtëpive të tyre sa për krenari e për t’i parë bota, e që pengonin nga rruga e Allahut. Allahut nuk mund t’i shpëtojnë me atë veprim të tyre.” (Kuran,VIII:47).

Janë paraqitur ashtu siç ka thënë Pejgamberi: “Me fuqitë e veta dhe me parzmoret e veta, për të qenë të padëgjueshëm ndaj Allahut dhe pejgamberit të Tij”, dhe siç thotë Allahu: “Dhe ata u nisën herët,  të bindur se mund ta zbatonin atë (që kishin ndër mend).” (Kuran, LXVIII:25)

Për këtë Muhamedi (a. s.) i tuboi shokët e vet,  me qëllim që t’i njoftojë me situatën në të cilën gjendeshin e njëkohësisht,  të marrë mendimin e tyre për hapat e mëtutjeshëm. Pasi që Pejgamberi (a. s.) ia paraqiti situatën trupit këshillues ushtarak, i paralajmëroi për pasojat e kthimit në Medinë apo mbetjes në Bedër. I pari e mori fjalën Ebu Bekri,  i cili i pranoi propozimet e Muhamedit (a. s.) dhe i lavdëroi ato. Pas tij u ngrit Omer b. Hattabi,  me të njëjtin mendim sikurse Ebu Bekri (r. a.).  Në vazhdim u ngrit Mikdad b. Amir e tha: O pejgamber i Allahut, shko rrugës të cilën ta ka treguar Allahu. Ne jemi me ty. Pasha Allahun,  çka do që të ndodhë,  me ty nuk do të themi ashtu siç i kanë thënë Beni Israilët Musait (a. s.).

“…Shko,  pra ti dhe Zoti yt,  e luftoni, ne po rrimë këtu!” (Kuran,V:24) Ne do të luftojmë djathtas teje dhe majtas teje, para teje dhe prapa teje. I dërguari i Allahut u gëzua dhe i ndriçoi fytyra nga këto fjalë dhe e luti Allahun (xh.sh.) për të.

Ushtria e Muhamedit (a. s.) numëronte 300 persona, të cilët kishin dy kuaj dhe 70 deve. Myslimanët nuk kishin synim luftën, megjithatë Allahu i Madhërishëm kishte vendosur të vijë deri te Beteja dhe të ndodhë ajo që Ai kishte caktuar. “Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtësi, e Allahu ka fuqi për t’u ndihmuar atyre (myslimanëve).” (Kuran, XXII:39)

Ky ajet u shpall mes ajeteve të tjera,  në të cilat shpjegohet se kjo leje ka ardhur për t’iu shmangur mizorive dhe për të vendosur dispozitat e Allahut (xh.sh.),  i Cili thotë: “(Ai ndihmon) Ata të cilët kur Ne u mundësojmë vendosjen në tokë, e falin namazin, japin zeqatin, urdhërojnë për të mirë dhe largojnë prej të keqes. Allahut i takon përfundimi i çështjeve.” (Kuran, XXII:41)

Zhvillimi i Betejës

Myslimanët bujtën natën e Bedrit duke lutur Allahun që t`u jepte fitore kundër armiqve. Kështu,  Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi ta. Ata u qetësuan dhe i kaploi një kotje e vogël. Për këtë Allahu i Madhëruar thotë: “Ai bëri që ju të koteni në gjumë të lehtë, si shenjë sigurie nga ana e Tij dhe lëshoi nga qielli shi për t`ju pastruar nëpërmjet tij, për të larguar nga ju ndyrësirën e djallit dhe për të forcuar zemrat dhe këmbët tuaja.” (Kuran, VIII:11)

Muhamedi (a. s.) atë natë falej dhe lutej me frikë ndaj Allahut dhe i kërkonte Atij që të triumfonin besimtarët. Duke ju lutur Allahut me këto fjalë: “O Zot, kërkoj premtimin që më ke dhënë! O Zoti im, nëse sot do t`i zhdukësh myslimanët,  nuk do të adhurohesh kurrë më!”Ebu Bekri e kapi për dore dhe i tha: “Të mjafton kjo lutje, o i Dërguar. Vërtet,  ti u lute dhe i kërkove shumë Atij.” Muhamedi (a. s.) doli me një mburojë në dorë, duke thënë: “Së shpejti do të thyhet grupi dhe (secili prej tyre) do t`ia mbathë. Me të vërtetë, Dita (e Kiametit) është takimi i premtuar dhe ajo Ditë do të jetë më e tmerrshme dhe më e hidhur.” (Kuran, LIV:45-46)

Nga ana tjetër,  idhujtarët kurejshitë bujtën me të ngrënë e me të pirë, me këngë e me valle, duke u mburrur me forcën dhe pajimet luftarake që i kishin në dispozicion,  të bindur në kufrin dhe idhujtarinë e tyre, të paluhatshëm në armiqësinë ndaj Allahut të Madhëruar dhe Muhamedin (a. s.).  Në mëngjesin e ditës së betejës myslimanët u falën pas të dërguarit të Allahut dhe pas namazit Muhamedi (a. s.) u foli,  duke i inkurajuar për luftë dhe durim. Njerëzit prisnin urdhrin e Muhamedit (a. s.) për fillimin e betejës.

Edhe kurejshët i kishin formuar rreshtat dhe ishin bërë gati për luftë. Njëri prej kurejshëve u mundua të pinte ujë nga burimi,  duke depërtuar në rreshtat e myslimanëve, por atij ia preu rrugën Hamza bin Abdul Mutalibi dhe e vrau. Pas kësaj filloi dueli i parë mes palës së idhujtarëve: Utbe bin Rabia, djali i vëllait të tij Shejbe bin Rabia dhe djali i tij Velid bin Utbe, dhe palës myslimane; Hamza bin Abdul Mutalib, Ali bin Ebi Talib dhe Ubejde bin Harith, pra të gjithë ishin pjesëtarë të familjes së Muhamedit (a. s.).  Ky dyluftim mbaroi me vrasjen e idhujtarëve dhe plagosjen e Ubejde bin Harithit, i cili më vonë ra dëshmor.

Dy grupet u përballën me njëri-tjetrin dhe filloi beteja. Muhamedi (a. s.) mori një grusht me dhe,  e gjuajti mbi kurejshët, duke thënë: “U nxifshin fytyrat e idhujtarëve.” Për këtë rast zbriti fjala e Allahut të Madhëruar: “…Kur gjuaje, nuk ishe ti (Muhamed) që gjuaje, por ishte Allahu Ai që gjuante,  me qëllim që t`u bënte besimtarëve një dhuratë të bukur. Vërtet, Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.” (Kuran, VIII:17)

Beteja mes të dy palëve u ashpërsua. Muhamedi (a. s.) qëndronte në rreshtat e parë, kështu që edhe sahabët ruheshin pas tij. Shumë sahabë treguan trimëri të rrallë në këtë betejë, prandaj filluan të dukeshin shenjat e triumfit.

Idhujtarët u mundën; gjithashtu dhe krerët e tyre si: Ebu Xhehli, Utbe bin Rabia, Umeje bin Halefi dhe shumë të tjerë u vranë. Numri i tyre arriti deri në shtatëdhjetë të vrarë, ndërsa ata që mbetën gjallë u larguan të shpartalluar pa parë se çfarë linin prapa. Pas betejës myslimanët qëndruan në Bedër tri ditë, ku varrosën dëshmorët, numri i të cilëve kishte arritur në katërmbëdhjetë shehidë.

Pas kësaj Muhamedi (a. s.) dhe shokët e tij u kthyen në Medinë shëndoshë e mirë, bashkë me prenë e luftës që kishin marrë. Atje i prisnin myslimanët me gëzim të madh për kthimin dhe për triumfin e qartë që korrën myslimanët në këtë betejë.

Mesazhet e luftës së Bedrit

Nëse kjo betejë përshkruhet vetëm nga aspekti historik, pa përfituar dispozita konkrete, atëherë ngjarja do të ngelte e vobektë, mirëpo dijetarët islamë këtë ngjarje e studiuan nga të gjitha këndvështrimet, prej ku dhe nxorën shumë mesazhe dhe mësime. Në vazhdim do të përmendim disa prej tyre:

Konsultimi i Muhamedit (a. s.) (shura) me sahabët

Pejgamberi (a. s.) vendosi të nisej me ushtrinë e tij dhe të zë pozitë afër lumit në Bedër. Në mëngjes arritën afër burimit të Bedrit. Habab ibn Mundhiri,  njëri nga vëzhguesit,  u ngrit dhe tha: A mendon,  o pejgamber i Allahut,  të qëndrojmë këtu? A të ka urdhëruar Allahu që të jemi në këtë vend dhe se nuk guxojmë të shkojmë as përpara,  as prapa,  apo kjo është çështje e mendimit të lirë,  luftë dhe taktikë? Pejgamberi (a. s.) u përgjigj: “Ky është vend për konsultim, luftë dhe taktikë.” Habab ibn Mundhiri vazhdoi dhe tha: O pejgamber i Allahut,  ky vend nuk është i mirë për të qëndruar; nisu me njerëzit derisa të arrish gjer te pusi më i afërt i kurejshëve, pusin rrënoje dhe mbuloje me dhe e me gurë. Kështu vepro edhe me puset tjera. Pastaj për vete do të hapim një kanal,  të cilin do ta mbushim me ujë. Vetëm atëherë do të nisemi në sulm. Ne do të kemi ujë për të pirë,  e ata jo. Pejgamberi (a. s.) u përgjigj: ”Plani yt është i mirë.”

Pejgamberi (a. s.) e ngriti ushtrinë dhe u nisën gjer te pusi më i afërt i kurejshëve. Aty arritën në mesnatë, e hapën kanalin dhe i mbuluan burimet kryesore.

Ngritja e thirrjes islame në nivelin më të lartë

Myslimanet në asnjë mënyrë nuk duhet të kënaqen me pozitën aktuale në qarqet vendimmarrëse botërore, por duhet të punojë me vendosmëri në marrjen e vendit meritor në arenën botërore,  në drejtim të hartimit të strategjive për zhvillimin ekonomik, politik, social, kulturor e teknologjik të njerëzimit.

Myslimanët nuk ngelën të mbyllur në Medinë, por vepruan fuqishëm në drejtim të afirmimit të tyre në arenën botërore, gjë që shkaktoi ballafaqim me palë të ndryshme,  të cilat shihnin se terreni u është ngushtuar dhe periudha e zmbrapsjes veç ka filluar. Rreziku nga ballafaqimi ushtarak me palët, nuk mundi t’i shuante ambiciet e myslimanëve për të qenë faktor stabiliteti dhe përparimi në botë.

Të bindur në veprimet e tyre

Myslimani ec në rrugën e realizimit të objektivave të veta me dinjitet, me vendosmëri dhe maturi, përkatësisht vepron konform parimeve hyjnore dhe për të realizuar qëllime madhore të cilat do të jenë të dobishme për të gjithë njerëzit, e nuk vepron sipas logjikës së inatit e me mendjemadhësi,  që çon në nënçmimin e tjetrit.

Pala idhujtare doli duke manifestuar mendjemadhësi dhe duke e festuar para kohe,  në formën më të pahijshme, të djallëzuar dhe jonjerëzore,  fitoren,  të cilën në Bedër kurrë nuk e arriti. Veprimet që u bënë me rastin e daljes së palës idhujtare në Bedër, tregonin qartë për krizën e thellë morale në të cilën gjendeshin dhe njëkohësisht argumentonin fuqishëm nevojën e tyre për misionarë dhe mësues që t’i kapë për dore e t’i nxjerrë nga humnera e errët e idhujtarisë,  në dritën e besimit.

Së këndejmi, edhe myslimanët e sotëm duhet ta kuptojnë qartë këtë porosi: Ne veprojmë për të realizuar objektiva madhorë,  që do të sjellin prosperitet për gjithë njerëzit, e nuk veprojmë të frustruar nga dikush apo për inat të dikujt tjetër. Ne nuk besojmë në inat, por besojmë në idealet e larta islame.

Kualiteti,  e jo kuantiteti

Numri i myslimanëve në luftën e Bedrit ishte më i vogël se numri i idhujtarëve. Por, edhe krahas kësaj, myslimanët korren fitore bindëse. Pra, duhet te kuptohet mesazh i qarte qe jep Bedri për domosdoshmërinë e kualitetit.

Myslimanet duhet te mundohen për kualitet në të gjitha sferat e jetës dhe ne fe,  para së gjithash, sepse kualiteti ka vlere dhe mundëson sukses e fitore, siç ishte rasti ne luftën e Bedrit,  kur fituan falë kualitetit, edhe pse ishin pak, ndërkaq kuantiteti është i zbehte dhe jo produktiv, edhe pse mund te duket shume ne vëllim,  por në esencë është i dëmshëm. Pra, ne si myslimanë te mundohemi të arrijmë kualitet në të gjitha fushat, ashtu siç kemi qenë në të kaluarën e jo të mbetemi në vagonin e fundit të zhvillimit.

Në këtë betejë Pejgamberi (a. s.) i dha përparësi diturisë

Islami është fe e dijes dhe e ngritjes intelektuale, dhe myslimanëve nuk u ka hije të jenë analfabetë, pasi kontribuuan për ngritjen shkencore të botës, në veçanti të Evropës. Pa dije dhe mësim, nuk ka ardhmëri për asnjë popull, e po ashtu edhe për myslimanët. Analfabetizmi nuk është vetëm nënçmim para botës, por edhe mëkat ndaj Krijuesit dhe mos falënderim ndaj Tij për mirësinë e trurit dhe logjikën.

Kjo më së miri shihet te sjellja e Muhamedit (a. s.) me robërit e luftës:  ai i cili dinte shkrim lexim dhe nuk kishte mundësi të shpengohej,  ka pasur për detyrë t’u mësonte shkrim-leximin dhjetë medinasve; ky ka qenë çmimi i shpengimit.

Muhamedi (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) në betejën e Bedrit dha shembull të shkëlqyer se duhet trajtuar njerëzit e ditur. Ai tregoi praktikisht se dituria është shpëtim dhe se dijetarët duhen shfrytëzuar, edhe nëse janë të palëve të tjera.[:]

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni