Vazhdojnë aktivitetet e xhemateve tona në Diasporë

Vazhdojnë aktivitetet e xhemateve tona në Diasporë

Xhamia “Ikre-Lexo-Lesen” në Rorschach të Zvicrës këto ditë organizoi tribunë fetare me temë “Veprimi estetik shërbimi kulmor ndaj Fesë Islame”, kurse ligjërues i kësaj teme ishte Dr. Selver Xhemaili drejtor në sektorin për diasporë pranë BFIM.
Tribuna u moderua nga imami i xhamisë Burim ef. Sherifi si dhe u zbukura me zërat e bukur të vëllezërve Nusret dhe Mevlan Kurtishi dhe Burim ef. Sherifi të cilët interpretuan ilahi. Temë boshte e ligjëratës së Dr. Selverit ishte e bukura dhe realiteti i pamohueshëm që del prej saj, ndaj dhe e bukur, veprimi estetik, është shërbimi dhe prezantimi më i mirë që mundë t’i bëhet Fesë Islame. Ligjëruesi i kësaj teme efendi Xhemaili duke iu referuar burimeve islame Kuranit dhe hadithit mes tjerash theksoi: “Islami-nënshtrimi, imani-besimi dhe Ihsani-veprimi estetik janë pjesë përbërse të fetarisë së myslimanit. Ihsan nënkupton veprimin estetik duke qenë gjithmonë i vetëdijshëm se je nën vëzhgimin e Zotit. Ihsan për besimtarin është ndjenja e ndodhjes nën vëzhgimin hyjnor dhe vazhdimi i sjelljes nën këtë ndjenjë. “Ihsani është ta adhurosh Allahun sikur ti e sheh Atë sepse edhe nëse ti s’e sheh Atë, Ai patjetër që të sheh ty! Vepërmirësia është që shpirti ta kthejë vëzhgimin e Allahut në një gjendje vetëdijeje të vazhdueshme. Nuk duhet harruar se në çdo vend ku e mira është pasive e keqja vetvetiu aktivizohet. Kjo është si rezultat i vetë natyrës së të keqes. E keqja është sikur errësira. Nuk ekziston vetvetiu. Ajo është një gjendje e mungesës së dritës. Sureja Muddethir e cila është në mesin e sureve të para të shpallura, është ndër kryesoret që ndërton personalitetin e Pejgamberit a.s. në vitet po sa kishte filluar misionin e tij si Pejgamber. Ajetet fillestare të kësaj sureje “mirësinë potenciale” synojnë ta shndërrojnë në “mirësi praktike/aktive”. Prandaj bashkëbiseduesit të parë (Pejgamberit) i drejtohet me thirrjen: O ti, i mbështjellë (o Muhamed)! Çohu dhe paralajmëro! Kuptimi i kësaj është: O ti i mirë që je shtrirë! I miri i shtrirë nuk është i mirë! Çohu dhe paralajmëro! Do me thënë, nga gjendja pasive kalo në gjendje aktive dhe përhape të mirën! Personaliteti i besimtarit që ndërtohet me vetëdijen dhe ndjeshmërinë e të qenët gjithmonë nën vëzhgimin e Zotit madhëriplot si dhe ndërton moralin e llogaridhënies në sjelljet e veta vazhdimisht ka parasysh fitimin e pëlqimit të Allahut xh.sh. dhe në asnjë mënyrë nuk ndikohet nga sjelljet negative të tjerëve. Ai kriter kryesor në veprim e ka mesazhin hyjnor. Prandaj vetëm me sjellje të bukur kemi mundësi të bëjmë prezantimin më të mirë të mesazhit hyjnorë”, ka nënvizuar efendi Xhemaili.
Ndërsa në Xhamia “Hëna e re” në Kreuzlingen-Zvicër, organizoi koncertin tradicional Islam 2017, i katërti me radhë, në prani të qindra besimtarëve dhe personaliteteve të jetës fetare në Zvicër. Një program i begatë, emocionues dhe përplot surpriza. Programin e begatuan me zërat e tyre të bukur vogëlushi Enes Halili, vëllezërit Nusret dhe Mevlan Kurtishi, vëllezërit Sabaatin dhe Xhemail Nuhiju, korri nxënësve të mektebit në xhaminë Hëna e re në Kreuzlingen si dhe korri i shkollës shqipe në Kreuzlingen.
Nën udhëheqjen e imamit vizionar dhe aktivist i palodhshëm i jetës edukative, arsimore, fetare dhe kombëtare në Zvicër Mr. Rejhan ef. Neziri, programi u fillua me fjalët përshëndetëse të personaliteteve të ndryshme të jetës fetare. Fillimisht të pranishmit i përshëndeti kryetari i xhamisë “Hëna e re” në Kreuzlingen, z. Faredin Xhaferri, pastaj kryetari i shoqatës DIGO Bekim ef. Alimi, sekretari i Unionit të Imamëve në Zvicër haf. Mehas ef. Alija si dhe Dr. Selver Xhemaili drejtor në sektorin për diasporë pranë BFIM i cili në emër të organeve më të larta të Bashkësisë Islame të Maqedonisë i përshëndeti të pranishmit duke i falënderuar dhe duke u shprehur mirënjohje për organizimin e jetës fetare në Diasporë. Efendi Xhemaili mes tjerash theksoi: “Prezenca juaj në mënyrë masovike në këtë manifestim dëshmon qartë se ju, në mënyrë të sinqertë jeni duke i kultivuar elementet bazike të identitetit fetar dhe kombëtar. Njëkohësisht ky aktivitet në të cilin do të prezantohen zëshëm ndjenjat e brendshme estetike, gjithashtu vërteton thënien e të Dërguarit të Allahut që thotë “Njeriu është bashkë me atë që e donë” do të thotë ju jeni këtu ngase e doni dhe e respektoni të shenjtën, hyjnoren dhe dimensionin estetik të fesë. Andaj kudo që të ndodhemi kemi nevojë që ti prezantojmë këto vlera të bukura fetare për të dëshmuar se ne frymëzohemi nga burime të larta hyjnore. Uroj që këto aktivitete të jenë të vazhdueshme.”
Programi u mbyllë me shpërndarjen e mirënjohjeve për afaristë të ndryshëm shqiptar të cilët gjithmonë mbështesin aktivitetet fetare dhe kombëtare në Diapsorë.
07.02.2017
Shkup

ch7

ch77

ch777

Comments are closed.