[:al]U REALIZUA EDHE NJË ËNDËR[:]

[:al]Fill pas aprovimit të ndryshimeve kushtetuese, një gëzim dhe kënaqësi tjetër po përjeton populli ynë. Ëndra e kahmotshme, përpjekja jonë e vazhdueshme, synimi i gjeneratave dhe qëllimi gjithëpopullor u realizua. Gjuha shqipe prej sot u bë gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Urime, urime, urime, e gëzofshim për jetë e mot të gjithë bashkë. Kjo gjuhë e lashtë, e ruajtur me dashuri e xhelozi dhe e kultivuar ndër shekuj edhe kur ishte e padrejtësuar dhe e ndaluar, u bë gjuhë zyrtare edhe në institucionet shtetërore.
Jam tejet i lumtur dhe i gëzuar që gjuha shqipe, përkundër vështirësive me të cilat u ballafaqua dhe përkundër pengesave e ndërkëmbëzave që ia bënë forcat destruktive politike që mjerisht akoma po frymojnë në Maqedoni, u zyrtarizua dhe me vete solli ndjenjën aq të dëshiruar shqiptare të barabarësisë së plotë.
Me këtë rast të cilin e konsideroj historik, në emrin tim personal dhe në emër të Bashkësisë Islame të Maqedonisë, e uroj popullin shqiptar për këtë të arritur të veçantë. Njëkohësisht, i uroj dhe i përgëzoj përfaqësuesit tanë politikë të cilët me mençuri dhe me këmbëngulje arritën t’a finalizojnë procesin e zyrtarizimit të gjuhës shqipe.
Ky urim, kuptohet, i drejtohet edhe Qeverisë aktuale të Maqedonis që tregoi kapacitetin e vetë demokratik dhe orientimin eurointegrues, e vetëdijshme se barabarësia e njerëzve në këtë shtet mund të sjellë vetëm përparim të përgjithshëm dhe stabilitet.
Allahu xh. sh. qoftë përherë me popullin tonë. Gjuha shqipe, kjo gjuhë më e lashtë indoeuropiane për të cilën Naimi i madh këndoi dhe e cilësoi si gjuhë të Perëndisë, le të lulëzojë brënda shoqërisë evopiane. Maqedonia si shtet i përbashkët i popujve që jetojnë në këtë nënqiell qoftë përherë shembull i tolerancës dhe mirëkuptimit[:]

Comments are closed.