Reagim i Bashkësisë Fetare Islame ndaj dhunës në Kalanë e Shkupit

Untitled-6
Pas dhunës së shkaktuar ditëve të fundit në Kalanë e Shkupit, Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame shpreh dhimbje të madhe dhe shpreh keqardhje që Qeveria e Republikës së Maqedonisë edhe kësaj radhe zgjodhi taktikat e projekteve monofetare dhe monoetnike në vazhdën e retorikës së acaruar të marrëdhënieve fetare dhe etnike kohëve të fundit.
Dhuna dhe përdorimi i tepërt i forcës nuk mund të justifikohen dhe duhen shmangur. Jemi të shqetësuar për faktin se vetë Qeveria me projektet e saj  rrezikon që me akte të tilla të vë në rrezik jetën e qytetarëve tjerë të pafajshëm.
Bashkësia Islame si një institucion fetarë asnjëherë nuk kundërshton ndërtimet e objekteve fetare, pavarësisht kujt feje i takojnë, por kur mbi themelet e një objekti fetarë rrezikohet që të derdhet gjak i pafajshëm atëherë humbet kuptimi shumëdimensional i objekteve fetare.
Islami na mëson se objektet fetare duhet të kuptohen edhe si vend ku formohen personalitete të pastra njerëzore, sepse ajo është shtyllë kryesore që e orienton njeriun kah përsosshmëria e shpirtit dhe personalitetit.
Por ky kuptim shumë domethënës për objektet fetare nuk shihet me rastin e ndërtimit të Kishës në Kalanë e Shkupit.
Dhuna që u përdor të dielën në kala duhet të jetë mjeti i fundit i Qeverisë së Maqedonisë për ti thënë STOP retorikës nacionaliste për të nxitur një konflikt ndërfetar dhe ndëretnik sepse ajo dhunë jo vetëm që plagosi disa persona, por mund të plagos deri në vdekje edhe indet që mund t’i lidhë historitë e dy popujve në këto hapësira.
Rezultat i kësaj dhune ishte edhe tentimi i djegëjes së xhamisë së Hamza Beut në Manastir por edhe shkatërrimin e ndriçimit të varrezave myslimane në Strugë. Ky terror mbi popullatën islame në vendet ku ato janë pakicë e shqetëson Bashkësinë Islame në vend dhe reagon fuqishëm ndaj çdo akti të dhunës. Rezultat i kësaj gjendje është politika e viteve të fundit të Qeverisë së Maqedonisë për të promovuar vetëm ortodoksizmin si fe shtetërorë duke lënë kështu islamin që i përkasin gati gjysma e popullsisë së Maqedonisë, gjatë gjithë kohës është kundërshtuar nga Bashkësia Fetare Islame si institucion që mbron dhe kultivon ndjenjat fetare.
Dhuna në Kalanë e Shkupit, nuk mund të justifikohet ndryshe vetëm se si reflektim i diskriminimit zingjiror islam që nga pavarësia e Maqedonisë duke filluar me ndërtimin e kryqeve mbi Sahat Kullat islame, pastaj me djegien e xhamive gjatë konfliktit në vitin 2001, mos lejimin e rindërtimit të tyre si që është rasti më xhaminë e Prilepit, uzurpimin e xhamive nga ana e shtetit si Jeni Xhamisë në Manastir ku shteti në mënyrë eksprese tani në aktet e veta e  emëron si Kisha e Shën Gjergjit, pastaj  shitjen e Husamedin Xhamisë në Shtip Kishës Ortodokëse Maqedonse,  ndërtimin e kishës së Klimentit mbi themelet e Xhamisë së Imaretit në Ohër, ndërtimi i Filharmonisë mbi themelet e Xhamisë Ibni Pajkos, mos kthimin e pronave të nacionalizuara të vakëfit edhe pas 10 vitesh të sjelljes së ligjit për denacionalizim duke arrit kulminacionin me injorimi i kërkesës së BFI për rindërtimin e Burmali Xhamisë.
Shteti nuk përfundon këtu, po vazhdon me avazin e diskriminimit institucional duke publikuar edhe tenderin për ndërtimin e Shtëpisë së Oficerëve mbi themelet e Xhamisë Burmali.
Presim që Qeveria të ketë mirëkuptim të mjaftueshëm dhe të tërheq publikimin e tenderit për Shtëpinë e Oficerëve por edhe tenderin për  “Zgjedhje ideore për revitalizimin e Kalasë së Shkupit” i cili kërkon që të kihet kujdes të veçantë vetëm për “Mjaftueshmërinë dhe respektin e objekteve sakrale ortodokse”, dhe i njëjti të zëvendësohet me“Mjaftueshmërinë dhe respektin e objekteve fetare”, duke i bërë kështu vend edhe rindërtimit të xhamisë së Haki Pashës në Kalanë e Shkupit që ka ekzistuar pesë shekuj me radhë, rindërtimin e turbes së Nakshi bendit, por edhe objekteve të tjera që kanë zbuluar gjatë gërmimeve arkeologjike. Vetëm në këtë mënyrë Kalaja e Shkupit do të bëhet një vend i cili dëshmon se në këto troje në çdo pjesë të historisë ka mbizotëruar fryma e respektit të ndërsjellët mes feve dhe etnive, shoqëri për të cilën punon edhe Bashkësia Fetare Islame.
Ky të jetë gjesti i parë i vullnetit të mirë. E, përveç kësaj, të gjendet edhe një zgjidhje, që në thelb ka një marrëveshje të duhur e cila do të ndihmoj që të  vendoset komunikimi mes të gjithë qytetarëve pavarësisht kujt feje dhe etniteti i takojnë.
Ky zë kaq i fuqishëm i BFI-së nuk duhet të keqkuptohet dhe të interpretohet se BFI po përzien punët në politikë. Përkundrazi BFI-ja ka shumë arsye për të protestuar për dallim nga Kisha Ortodokëse e cila hesht ngase për interesin e saj punon një Qeveri e tërë ndërsa për të keqen tonë punon po ajo Qeveri. Mjafton të shikoni bilancin e ndërtimin të objekteve fetare nga Qeveria. Rezultati është diskriminues, dhjetëra kisha asnjë xhami.
Përdorimi i retorikës provokuese dhe sugjerimi apo toleranca e çdo lloj dhune i shkakton një dëm të madh popullit të Maqedonisë .
Kërkojnë nga institucionet policore që sa më shpejt të zbardhin rastin për tentimin e djegëjen e xhamisë në Manastir, në të kundërtën heshtja e tyre do të vërtetoj dyshimin se incidenti ishte një skenarë i organeve të brendshme.
Bashkësia Fetare Islame është e një zëshme dhe njëkohësisht apelon fuqishëm për hapa të logjikshëm në këto momente të rënda e delikate , theksojmë me forcë nevojën se klasa politike duhet të gjejë e të vej në përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë e demokratikë për të dalë nga kjo situatë problematike, për të siguruar qetësinë dhe stabilitetin e duhur për vendin dhe shoqërinë në realizim të projekteve dhe të ardhmes sonë evropiane.

Comments are closed.