[:al]Ramazani, muaj i begatisë[:]

[:al]Mëshira e Allahut ndaj besimtarëve (apo robërve të tij) vërehet në atë se ai u ka caktuar ditë dhe net, por dhe muaj, për të forcuar dhe shtuar bindjen e besimtarëve ndaj Tij. Ky muaj është muaji i begatisë, të cilin besimtarët e presin me padurim dhe ta kalojnë ashtu siç duhet.
“O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (BAKARA: 183)

Shkruan: Prof. mr. Nurten Shehi-Sakipi

Myslimanët janë nderuar me ardhjen e një muaji në të cilin ata i pastrojnë shpirtrat nga gjynahet. Transmetohet nga Ebu Hurejre, se Muhamedi (a. s.) ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me bindje dhe kënaqësi, i falen mëkatet e bëra.”
Ramazani është një muaj i veçantë dhe i shenjtë, është muaj i cili tregon bashkimin dhe njësimin e myslimanëve. Ramazani është muaji i kuptimit. Ramazani është një periudhë ku veprat e mira bëhen me lehtësi. Ramazani dhe agjërimi e ndihmojnë njeriun të edukojë ndjenjën e vetëkontrollit, kështu që ndihmon edhe për t’u larguar nga punët e padëshirueshme gjatë këtij muaji.
Transmeton nga Ibni Mes`ud el –Gaffari se Muhamedi (a. s.) ka thënë: ”Sikur ta dinë njerëzit vlerën e Ramazanit, do të dëshironin të jetë i gjithë viti Ramazan.”
Ramazani është muaji i cili e ngre besimtarin në një shkallë të lartë hyjnore, i sjell të mira, dhunti dhe suksese në të gjitha sferat e jetës. Allahu (xh. sh.) njeriun e ka ngarkuar vetëm me gjërat të cilat i sjellin dobi atij. Ramazani është muaji i buzëqeshjes, i lumturisë, i haresë dhe i ngritjes shpirtërore.
Të mos harrojmë se në Ramazan ka butësi, zemërgjerësi, dhembshuri dhe falje.
Vlera e agjërimit shihet gjithashtu edhe në atë se agjërimi është një sekret, është një vepër e fshehtë të cilën nuk e di askush e as nuk mund ta vërejë tjetër përveç Krijuesit. Kjo tregon se besimtari me agjërim i afrohet më afër Krijuesit. Agjërimi është mburojë, është muaj i kultivimit.
Allahu (xh. sh.) për të mirat i shpërblen besimtarët më shumë se çdo muaj tjetër të vitit.
Mbi të gjitha, është muaj gjatë të cilit është shpallur Kurani, i cili është udhërrëfyes, shpjegues dhe udhëzues për njerëzit. Është muaji i shpëtimit nga xhehenemi. Hadithe të shumta flasin për atë se: ”Kur të vijë muaji i agjërimit, hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe lidhen djajtë me pranga.” Ndërsa në një hadith tjetër Pejgamberi (a. s.) ka thënë: ”Kush agjëron një ditë në rrugë të Allahut, Allahu për këtë ditë do t’ia largojë fytyrën nga zjarri për shtatëdhjetë vjet.” [Transmeton Muslimi] “Ramazani është një muaj në të cilën shfaqet qartë besimi i sinqertë dhe dashuria ndaj Tij.” “Ummetit tim i janë dhuruar pesë gjëra në muajin e Ramazanit, të cilat nuk i janë dhënë asnjë të dërguari para meje.
Njëra prej tyre është se Zoti i Madhëruar i shikon ata në natën e parë të Ramazanit, e atë që e shikon Ai nuk e dënon asnjëherë.
E dyta është ajo se era e keqe e gojës së tyre në mbrëmje është më e mirë se aroma e miskut.
E treta është se engjëjt kërkojnë falje për ta çdo ditë e çdo natë.
E katerta, se Zoti i madhëruar e urdhëron xhenetin kështu: ”Përgatitu dhe zbukurohu për robërit e mi, sepse është afruar dita e pushimit të tyre në shtëpinë dhe zemërgjerësinë time nga lodhjet e kësaj bote.
E pesta është se Zoti i madhëruar i fal të gjithë në natën e fundit.”
Vetë zbritja e Kuranit në këtë muaj i shton edhe më shumë vlerën muajit.
Në këtë muaj ndodhet një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj, Nata e Kadrit, për të cilën Allahu ka thënë: “Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj!”[Kadr,3]
Të devotshmit në këtë muaj e shfrytëzojnë kohën e tyre me bindje, lexim të Kuranit dhe me çdo punë të mirë. Allahu (xh. sh.) do t’ju mundësojë që agjërimi dhe Kurani të ndërmjetësojnë në Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: “O Zot, ia ndalova robit ushqimin dhe epshet, prandaj më bëj ndërmjetësues!” Kurani do të thotë: “O Zot, e kam ndaluar robin tënd nga gjumi i natës, prandaj më bëj për të ndërmjetësues.” [Transmeton Ahmedi]
Në këtë muaj s’ka dyshim se rrethi i bamirësisë zgjerohet. Agjërimi i ndihmon myslimanit ta kuptojë ndjenjën e mungesës së ushqimit, përjetimin e vështirësive. Kjo i nxit njerëzit të bëhen humanë.
Kështu, zemrat e besimtarëve shpejtojnë në nxitjen e tyre për bujari dhe çdo të mirë. Kështu që, besimtarët në këtë muaj japin sadaka, u ndihmojnë vëllezërve.
Myslimani në muajin e agjërimit është më i butë për t’ia shtrirë vëllait të vet dorën e pajtimit.
Sa shumë vlera ka agjërimi i muajit të Ramazanit! Lum ai i cili e shfrytëzon këtë muaj dhe përfiton prej asaj që ka vendosur Allahu (xh. sh.) në këtë muaj![:]

Comments are closed.