Mesazhi i Reisul Ulemasë së BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, me rastin e Muajit të Ramazanit 2011

Bismil-lahir-rahmanir-rahim!
“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”(El Bekare:183) 
dsc00900
Të nderuar besimtarë, motra e vëllezër
I Lartëmadhëruar është Allahu Fuqiplotë që na ofroi mundësinë që edhe këtë vit të përjetojmë madhështitë e muajit më të bekuar të vitit, gjegjësisht Ramazanit.
Për besimtarët e denjë dhe të ndershëm, muaji i madhërishëm i Ramazanit paraqet edhe një mundësi që me përkushtim t’i përgjigjemi ftesës së Allahut për agjërim, edukim shpritëror, moral, arsimim, ibadet dhe respekt. Ky është muaji i shkecës dhe dijes, ngase pikënisjen e kishte shpallja e fjalës më të ndritur dhe të përkryer e Zotit – Kurani Fisnik, në suren El- Bekare verseti 185, Allahu i Plotëfuqishëm thotë: ” Muaji i Ramazanit është muaji kur filloi të shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i të vërtetës nga gënjeshtra”. 
Ramazani është muaji kur të gjithë Ne e ndërtojmë karakterin e fuqishëm dhe autoritetin tonë në bazë të parimeve fetare islame, duke bërë pastrimin e ndërgjegjës tonë nga çdo ves i keq dhe shëmtuar.
Besimtarët e vërtetë dhe të moralshëm të cilët e kanë të qartë se ky është muaj i solidaritetit dhe afrimit mes vete gjithsesi duhet shtri dorën e mëshirës dhe ndihmës skamnorëve dhe nevojtarëve, numri i kësaj kategorije për fat të keq nga dita në ditë po rritet në mesin tonë. Mbi të gjitha të krijojmë mundësi që e ardhmja e gjeneratave të reja të vazhdojë në vendlindje e mos të ikin nga atdheu për një kafshatë buk.
Ky Ramazan le të jet edhe shprehje e ngritjes së kapaciteteve intelektuale në shoqërinë tonë, nata e bekuar e Kadrit me vlerën e saj të lartë na bënë të kuptojmë që të gjithë ne duhet t’i përkushtohemi dijes dhe arsyes. Kjo fjalë e shenjtë Hyjnore e Allahut, ka bërë që Bashkësia Fetare Islame të ecë para me institucionet edukativo-shkencore të saj, të cilat kanë qenë të mirëmbajtura pikërisht nga xhematet tona në vend dhe diasporë. Ku me përkrahjen e juaj po i përgjigjemi nevojave të perspektivës tonë në sferën e shkollimit fetar.
Vllezër e motra – për të gjithë Ne, le të jetë ky muaj mundësi për ndryshime pozitive si në aspektin individual, familjar dhe shoqëror. Mbi të gjitha le të jet muaj ku do t’i përkushtohemi me sinqeritet të plotë dashurisë së Allahut Fuqiplotë, nga i cili do të kërkojmë që të na pranoj agjërimin që e bëjmë në emër të Tij, të na fal për lëshimet tona eventuale nga përditshmëria jonë e egër që po na ofron modernizmi dhe bota bashkëkohore. Meqë ky është muaj përplot sfida, atëher le të jet sakrifica jonë vetëm për kënaqësi të Allahut, nga i cili presim edhe shpërblimin e veprave tona.
Të nderuar vëllezër e motra 
Nga Bashkësia Fetare Islame ju përcjelli bekimet e Allahut kudo që gjendeni, në vendlindje dhe diasporë, duke ua uruar përzemërsisht fillimin e muajit të madhëruar të Ramazanit, duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi e begati në familjet tona, dhe agjërim të lehtë e të pranuar tek Allahu i Gjithëmëshirshëm.
Me fat u qoftë muaji i Ramazanit

Comments are closed.